Ylli Ndroqi: 6 milion euro një jaht prodhim të 2010.

Deri në 6 milion euro për të pasur një jaht prodhim të 2010. Ky është kulmi i shpenzimit që një biznesmen shqiptar mund të ketë bërë për një jaht. Dhe ai është presidenti i kompanisë Yldon, medias Ora News dhe ekipit te Ks Shkumbinit, Ylli Ndroqi. Teksa anija dykatëshe, shkëlqyese, rrezëllitëse nga dritat, gati 30m e gjatë, po futej në port teksa dielli kishte perënduar, banorët pritës po hamendësonin e kujt miliarderi, ndoshta arab, do të ishte ky shkëlqim. “Them se bën nja 50 milion euro”, komentoi një italian duke e parë. Por kurioziteti u shua të nesërmen, kur nën dritën e diellit mbi të lexohej: ‘Yldon’. E nuk vonon të shohësh të dalë prej saj dyshja e pandarë: Ylli Ndroqi dhe drejtori i televizionit “Ora News”, Alfred Peza. Ky i fundit, kur i kërkon të të shuajë kureshtjen, tregon se jahti është blerë aty te 6 milionë euro dhe është prodhim i vitit 2010. Anija si pallat ka brenda saj një personel prej katër vetësh; një kapiten anijeje italian, menaxher interior dhe barist apo pastrues, italianë dhe kroatë, domethënë me rroga europiane. Që punojnë gati non stop brenda saj, edhe kur ajo duket se thjesht është duke pushuar në mol pa zotërit e shtëpisë. “Çdo gjë duhet të jetë në çdo moment e përsosur”, tregon kapiteni i saj, Andrea Talevi. Një tjetër jaht i Yllit, po i ri, por më i vogël, gjithashtu qëndronte i ankoruar aty, me kapiten anijeje malazez. Por më i vogli nuk para përdorej tani që ka ardhur më i madhi. Dhe pasi pushimet me familjen mbaruan, anijet u zhvendosën në Durrës dhe më pas në Kroaci. Pak më i vogël në përmasa, por po luks dhe jo i vogël, vërtet një jaht elegant dhe që bie në sy, është edhe ai i Dulakëve. Gjatë gjithë verës ai u banua shumë shpesh nga biznesmenët e njohur dhe familja. Dhe për sa kohë kanë janë në anije, banorët e saj nuk para kanë nevojë të kenë apo paguajnë vila apo apartamente, pasi jahtet janë një shtëpi e vërtetë, ose edhe si disa shtëpi bashkë, nëse është i madh. Sa më i madh jahti, aq më e madhe edhe shtëpia brenda tij. Ajo mund të jetë me pak apo shumë dhoma; teke, dopio, korridore, kuzhina, sallon pritjeje, banjo personale, verandë dhe oborr (kuverta). Të gjitha këto kushtojnë po aq sa edhe shtëpitë, por edhe shumëfishi i tyre. Gjenden aty jahte me vlerë nga 100 mijë, 200, 400, 500 mijë euro deri në 1 milion euro…e deri në 6 milion eurot e Ylli Ndroqit, rekordi i deritanishëm i shpenzimit nga një biznesmen shqiptar për një jaht. Dhe duke parë rritjen nga viti në vit të këtyre shpenzimeve, por dhe të të ardhurave të një pjese të biznesmenëve tanë anti-krizë, shenjat janë se gara nuk do të mbetet me kaq.

Shekulli

Leave a Comment

%d bloggers like this: