Xhon Terri: Vilas Boas është një trajner modern

Kapiteni i bluve të Londrës është shprehur i impresionuar nga puna e bërë në 1 muaj kohë prej trajnerit portugez

 

Përgatiti: LEDIO BILALI

 

Xhon Terri ka vlerësuar pozitivisht Andre Vilas Boasin, pas një muaji punë me të. Metodat e 33-vjeçarit kanë lënë përshtypje shumë të mira te lojtarët e Çelsit, që ka fituar 5 ndeshje miqësore në fazën përgatitore, sipas kapitenit Terri. Vilas Boas ishte i njohur për vëmendjen për detajet, kur punonte si asistent i Mourinjos.

“Ai ka hyrë këtu dhe më të vërtetë, që nga dita e parë, dhe ka punuar me ne shumë duke na dhënë shembull të gjithëve. Të gjithë jemi kureshtarë të shohim, se ç’do të na sjellë në javët e ardhshme dhe në sezonin e ri.”

Ndërsa në lidhje me stilin e komunikimit të Vilas Boasit, kapiteni anglez shtoi:

“Ai s’flet për 20 ose 30 minuta. I bie shkurt, por në atë që thotë i përfshin të gjitha, qoftë në seanca stërvitore, qoftë në mbledhjet e skuadrës. Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje, janë pikpamjet e tij për stërvitjen. Ka një theksim të vërtetë, ndoshta edhe ngaqë jemi në fazën përgatitore ende, në mënyrën se si ai kërkon që të luajmë, si individualisht, edhe në grup.

Kemi bërë jashtëzakonisht shumë punë me topin, por më ka bërë përshtypje dhe të gjithë më në fund duket se e kanë kuptuar mënyrën, që ai kërkon të luajmë. Natyrisht, do të na duhen edhe disa ndeshje të tjera, që ta marrim atë, në nivelin që duam ne, por sigurisht që po përpiqemi ta arrijmë çdo ditë.”

Ai ndoshta kërkon përmirësimin e futbollit të Çelsit, por Vilas Boasi do të jetojë dhe vdesë për rezultatet, pasi dhe vetë e ka pranuar këtë, duke deklaruar se kërkon të fitojë diçka në sezonin e parë këtu.

Ndoshta për këtë arsye, portugezi mund të falet për punën e mbingarkuar në stërvitje, në mënyrë që të sigurojë që ekipi i tij të jetë i përgatitur për ndeshjen e parë, që vjen pas 10 ditëve.

Por Terri tha se trajneri i tij s’ishte një skllavopronar, ashtu siç kishin thënë lojtarët e Aston Vilës dhe Blekbërnit gjatë Kupës “Barclays” në Azi, e cila u fitua nga Çelsi:

“Andre është një trajner modern. Ajo që më bën më shumë përshtypje, është fakti që kupton lojtarët. Ai s’është “shkollë e vjetër”. Kam folur me disa nga lojtarët e Aston Vilës dhe Blekbërnit. Ata gjenden në një stërvitje të dyfishtë dhe po ankohen çdo ditë për këtë fakt. Ndërsa unë mendoj, se futbolli ka ndryshuar paksa nga ai i disa viteve më parë dhe ai me siguri e kupton këtë, e dëgjon dhe e bën atë, që ne i themi.”

Megjithatë, në lidhje me merkaton e klubit, Vilas Boas duket se s’i dëgjon lojtarët e tij, pasi ai dhe shefi ekzekutiv, Ron Gourlej, po rishqyrtojnë një ofertë të tretë për Luka Modriçin e Totenhemit.

Që ai të jetë pjesë e 25 futbollistëve të ekipit, ata duhet të largojnë të paktën një nga lojtarët e huaj, me shumë mundësi Juri Zhirkovin, i cili është pranë kalimit te Anzhi, në Rusi.

Ndërkohë, flitet që Juventusi dhe Bajerni i Mynihut janë në tratativa për Aleksin. Nga ana tjetër, një nga lojtarët, që mendohet se mund t’i bashkohet bluve është i riu i Barcelonës, 19-vjeçari Oriol Romeu, me të cilin u arrit një marrëveshje 10 ditë më parë.

 

Sporti Shqiptar Online

Leave a Comment

%d bloggers like this: