Xhamia e re e Tiranës, mes Lindjes, Perëndimit, tradicionales e modernes

Xhamia e re në Tiranë do të jetë një hapësirë shpirtërore për besimtarët, një vend për kultivimin dhe shpërndarjen e dijes, një vend i përbashkët jo vetëm i kultit, por dhe i ambicies së Tiranës për t’u përfaqësuar si një qytet me një histori unikale, bashkëjetese, dialogu dhe mirëkuptimi mes besimeve të ndryshme. Nisur nga kërkesat e Komunitetit Mysliman, por edhe nga kërkesa e kohës, Bashkia e Tiranës organizoi një konsultë publike në praninë e përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman në Shqipëri, dhe grupeve të interesit. Kryebashkiaku Edi Rama ka bërë një paraqitje të përmbledhur të konceptimit dhe realizimit të ndërtimit të kësaj xhamie, një projektide që do të çojë në realizimin e shpejtë të një programi sa më të plotë, për t’ua vënë në dispozicion arkitektëve që do shprehin interes në konkursin ndërkombëtar për xhaminë e re.

Sipas ekspertëve, të cilët kanë përgatitur projektidenë, dhe prezantimit të kreut të bashkisë, xhamia po ndërtohet në shekullin XXI dhe duhet të reflektojë zhvillimin e kohës të cilës i përket. Projekti i xhamisë së re do të jetë rezultat i një konkursi ndërkombëtar, të organizuar në bashkëpunim nga Bashkia e Tiranës dhe Komunitetit Mysliman, duke reflektuar të gjithë nevojat e komunitetit të besimtarëve myslimanë.

“Në bashkëpunim me komunitetin, duke dëgjuar me shumë vëmendje kërkesat e përsëritura dhe të arsyeshme të komunitetit, për domosdoshmërinë e një territori, e një hapësire që do të mund të kryejë të gjitha shërbimet e nevojshme, zhvilluam një analizë dhe një vështrim konkret, duke marrë çdo të dhënë të nevojshme për një xhami të re të Tiranës dhe duke u përpjekur të gjejmë rrugën, se si të adaptojmë këtë kërkesë komplekse me një plan, i cili është në fillesën e vet”, tha kryetari i bashkisë, Edi Rama. Sipas tij, xhamia e re do të ketë një sipërfaqe totale ndërtimi prej 17 135 metrash katrorë, brenda një trualli prej 2930 metrash katrorë dhe arrin t’u shërbejë mbi 2500 besimtarëve, shifër kjo jashtëzakonisht e plotë, në përputhje me kërkesën e bërë nga komuniteti dhe me nevojat e konstatuara në jetën e përditshme.

“Janë 9 nivele, 4 nëntokësorë dhe 5 mbitokësorë, të cilat janë të parapara në gjithë këtë hapësirë dhe praktikisht, ne për të plotësuar edhe programin e xhamisë së re, në funksion të konkursit ndërkombëtar që duam të çelim për të zgjedhur idenë më të mirë”, sqaroi Rama. Sipas tij, ekspertët e bashkisë janë bazuar në programet e një numri të konsiderueshëm xhamish, në të katër anët e botës, që i kanë analizuar dhe studiuar në mënyrën se si ndërtojnë aktivitetin e tyre. Sipas vizionit të ekspertëve të bashkisë, bazuar dhe në eksperiencën e shumë vendeve të tjera, qoftë në Perëndim apo Lindje, aktualisht ekzistojnë të gjitha mundësitë që Komunitetit Mysliman t’i jepet një xhami e shkëlqyer. “Një xhami, e cila të jetë një tjetër shëmbëlltyrë e një shekulli të ri e ndërkohë të mund të bëjmë një kohezion të plotë mes kohërave, nga xhamia e Et’hem Beut në njërin krah, ku i gjithë pasqyrimi i tradicionales gjen shprehjen e vet më të bukur dhe në xhaminë e re të Tiranës në krahun tjetër, ku gjithë pasqyrimi i bashkëkohores duhet të gjejë shprehjen e vet më të bukur, sigurisht duke ruajtur të gjitha tiparet e domosdoshme të fizionomisë së një godine të kultit islam, por duke mos harruar asnjëherë se si çdo godinë kulti”, deklaroi kreu i bashkisë.

Aktualisht Tirana ka disa xhami të vogla dhe një xhami qendrore, ajo e Et’hem Beut, e cila është një monument kulture që u ka rezistuar edhe kohërave më të vështira për besimin në Shqipëri. Këtë monument duhet të vazhdojmë ta ruajmë dhe ta përdorim simbolikisht. Ndërkohë që për Komunitetin Mysliman të Tiranës duhet të ndërtojmë një xhami të re, që do të plotësojë nevojat e këtij komuniteti si për nga madhësia ashtu edhe për sa i përket programit.

Xhamite e Tiranes

(nga Gazmend A. Bakiu) Tirana e periudhes osmane eshte quajtur qytet i selvive dhe i minareve, pasi ato ishin te shumta dhe zoteronin lartesite. Duket se paraardhesit tane ishin besimtare te devotshem dhe tregonin kujdes ne ndertimin e xhamive. Ne pjeset qe nuk kishin dekoracione, xhamite ishin gjithmone te bardha, dhe kishin minare tejet elegante. Edward Lear, ndersa vizitonte Tiranen ne shtatorin e vitit 1848, vinte re se “Tirana eshte dukshem nje qytet me vemendje te madhe ndaj fese. Ne asnje pjese tjeter te Shqiperise nuk ka xhami kaq te bukura”, (E. Lear, Journals of a landscape painter in Albania &C, London, MDCCCLI, (1851), f.106).

Ndertimi i xhamive kryhej nga njerez, (apo familje), te pasur. Pasi ndertoheshin, xhamite mbanin emrin e atij qe kishte dhene parate per ndertimin e saj. Disa xhami njihen me dy emra, sepse me shume se nje person kishte kontribuar per te. Megjithate, per Xhamite e Tiranes nuk eshte bere nje studim gjitheperfshires, madje shumica e tyre as nuk jane fotografuar. Per kete ka penguar qendrimi i regjimit komunist ndaj fese, i cili kulmoi me prishjen dhe shkaterrimin, thuajse total, qe iu be ndertesave te kultit ne vitin 1967, por edhe me perpara.

Ne statistikat e tij, Teki Selenica ka shenuar se ne vitin 1927, ne Tirane ka pasur 82 xhami dhe 95 hoxhallare, (T. Selenica, Shqipria me 1927, Tirane, 1928, f.446). Shenojme se ketu behet fjale per ate qe ne sot quajme rrethi i Tiranes. Ibrahim Dalliu shkruan se ne fund te shekullit XIX, ne qytetin e Tiranes ka pasur 19 xhami te medha e te vogla, (H. I. Dalliu, Patriotizma me Tirane, Tirane, 1930, f.17).

Le te perpiqemi t’i rendisim ketu xhamite e Tiranes: 1. Xhamia e Vjeter e ndertuar ne vitin 1614, nga Sulejman Pasha; e djegur ne nentor 1944, dhe e prishur ne vitin 1945. 2. Xhamia e Fires, (fotoja horizontale), e ndertuar ne fillim te shekullit XVIII prej Mehmet Fires, e rindertuar ne vitin 1859 nga Selman Beshiri, (per kete arsye kjo xhami quhej edhe Xhamia e Beshirit). Ajo ndodhej aty ku sot eshte shkolla e mesme “Sami Frasheri”, dhe eshte prishur ne vitet ’60 te shekullit te kaluar. 3. Xhamia e Mujos e ndertuar ne fillim te shekullit XVIII, ne lagjen qe shtrihej ne lindje te rruges Elbasanit dhe ne jug te rrjedhes se “Lanes”. 4. Xhamia e Kokonozit e ndertuar nga Mahmud age Kokonozi, (H. I Dalliu, po aty, f.90), ne vitin 1750, (rindertuar ne vitin 1932), tek Pazari i Ri. 5. Xhamia e Zajmit e ndertuar ne gjysmen e dyte te shekullit XVIII, nga Mehmet bej Zajmi. Ajo ndodhej ne anen e djathte te rruges se Dibres, pa arritur tek nderprerja e saj me rrugen “Thanas Ziko”. U prish perpara vitit 1967, “per nevoja urbanistike”. 6. Xhamia e Et’hem beut filloi te ndertohej nga Molla beu dhe u perfundua ne vitin 1821 nga i biri, Et’hem beu, (emrin e te cilit mban edhe sot xhamia). Ndodhet ne sheshin “Skenderbej” dhe eshte xhamia e vetme qe ka shpetuar nga periudha osmane. 7. Xhamia e Karapicit, (fotoja vertikale), e quajtur ndryshe Xhamia e Esnafit, e ndertuar ne shekullin XVIII. Sipas tradites, familja Karapici e restauroi ne mesin e shekullit XIX, (1858). Xhamia u shpronesua nga shteti dhe u prish ne vitin 1929, per hapjen dhe rregullimin e sheshit “Skenderbej”, dhe ne vend te saj u ndertua Bashkia e Tiranes, (1930-1), e cila u prish ne vitin 1980. 8. Xhamia e Tabakeve e ndertuar ne shekullin XVIII, ne te majte te “Lanes”. Me 16 tetor 1927 rrufeja cau ndertesen e cila u rrezua duke vrare nje ushtar dhe plagosur 11 persona te tjere. Pas kesaj, Xhamia e Tabakeve u rindertua. Ne vitin 1967, ajo u kthye ne magazine, dhe pas vitit 1990 u rikthye ne faltore, u ndertua rishtas minarja, dhe mban edhe sot emrin Xhamia e Tabakeve. 9. Xhamia e Recit e ndertuar ne shekullin XVIII. Ajo ndodhej ne anen e djathte te rrjedhes se siperme te “Lanes”. 10. Xhamia e Stermasit ndertuar ne vitin 1837, (L. Rey, Guide de l’Albanie, Paris, 1930, f.91), nga Mahmud Muhsin bej Stermasi ndodhej ne Pazarin e Vjeter dhe u shkaterrua bashke me kete te fundit per ndertimin e Pallatit te Kultures, ne vitin 1959. 11. Xhamia e Berxollit e ndertuar ne shekullin XIX; ndodhej prane shkolles se mesme “Partizani”. 12. Xhamia e Balit ne rrugen “Mihal Grameno”. 13. Xhamia me Teneqe ne rrugen “Hoxha Tahsim”. Ajo quhej Xhamia me Teneqe sepse minaren e kishte prej llamarine; per kete xhami kujdesej familja e Sharofeve. 14. Xhamia e Kodres se Kuqe ndodhej ne fund te bulevardit “Zog I”, (ne aksin e tij), gje qe solli prishjen e paevitueshme. 15. Xhamia e Bamit brenda varrezave te Varrit te Bamit. 16. Xhamia e Merjes tek Sanatoriumi i vjeter. 17. Xhamia e Islam age Petreles tek rruga e “Fortuzit”, e prishur me rastin e ndertimit te shkolles “Jeronim de Rada”. 18. Xhamia e Voglit ne rrugen “Vllazen Huta”. 19. Xhamia e Vathit ne rrugen “Vathi”. Keshtu behen 19 xhami, sic thote H. I Dalliu. Xhamia e Sheh Gjuzit tek Sanatoriumi, dhe Xhamia e Tetoves ne rrugen e “Shen Gjergjit”, (sot “Ali Demi”). ndodheshin jashte qytetit te atehershem, prandaj ndoshta Dalliu nuk i ka numeruar; Xhamia e Haxhi Hafiz Dashit, (e Dine Hoxhes), ne rrugen e “Kavajes”, u ndertua ne vitin 1932.

S’eshte e tepert mbase t’ju kujtoj se regjimi i vjeter me prishjen e xhamive, kishave dhe objekteve te kultit ne teresi, “ndertoi” Njeriun e Ri, (sic e quante partia). Qe nga ajo kohe tragjedite vazhdojne./Shqiptari.net/

Leave a Comment

%d bloggers like this: