Wikileaks, del dokumenti i parë për Shqipërinë

Priten edhe 821 dokumente të tjera. 542 vijnë nga ambasada amerikane në Tiranë, nëntë prej të cilave janë klasifikuar si sekrete. Ambasada amerikane në Tiranë: Nuk e dimë përmbajtjen. Godo: Mund të zbulohet çfarë ndodhi në vitin 1997

Dokumenti i parë nga 822 dokumente që përmbajnë termin Shqipëri është publikuar dje nga Wikileaks, ndonëse ende nuk janë publikuar dokumentet që kanë rëndësi të veçantë për vendin tonë. Sipas Wikileaks, 542 dokumente vijnë nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, që flasin në mënyrë të veçantë për vendin tonë, 9 prej të cilave janë sekrete dhe 142 janë konfidenciale. Deri tani Wikileaks ka publikuar vetëm 243 nga 251.287 dokumente që ka në dispozicion.

Dokumenti

Dokumenti i parë në vazhdën e 822 dokumenteve që do flasin edhe rreth Shqipërisë ka të bëjë me një takim të zhvilluar më 16 janar 2008 në Paris, ndërmjet Xhozef Ud, nënndihmësi i Zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara për Çështje të Sigurisë Kombëtare dhe Filip Erreras, këshilltar i çështjeve strategjike i ministrit të Jashtëm francez, Kushner. Dokumenti që do të deklasifikohej më 16 janar 2018, flet ndër të tjera edhe rreth anëtarësimit të vendeve të Adriatik 3 që do të ndodhte një vit më vonë.

Në dokument thuhet se “Errera tha se Franca është dakord në parim për secilin nga kandidatët e Adriatik 3. Në mënyrë të veçantë, Franca “nuk ka probleme” me anëtarësimin e Kroacisë. Megjithatë, Errera tha se Shqipëria duket se e ka marrë anëtarësimin si të sigurt dhe duhet të bëjë më shumë përpjekje për të “pastruar” çështjet e korrupsionit. Për sa i përket Maqedonisë, Errera tha se QEM (Qeveria e Maqedonisë shën. red.) nënvlerëson seriozitetin e çështjes së emrit për Greqinë dhe se SHBA nuk duhet të bëjë të njëjtin gabim. Franca nuk do të bëjë presion ndaj Greqisë për këtë çështje. Për më tepër, nëse Athina do të tërhiqej nga çështja e emrit, qeveria greke mund të binte, duke sjellë kështu një qeveri të re që do të ishte përgjegjëse për – dhe me shumë gjasa kundërshtare e – progresit të ratifikimit të zgjerimit të NATO-s”.

Ambasada

Ky dokument që vjen nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Paris të Francës pritet të pasohet nga më shumë dokumente që janë me interes për Shqipërinë, sidomos për sa u përket çështjeve të brendshme dhe marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe fqinjëve, e në mënyrë të veçantë me Greqinë. Nga totali prej 822 dokumentesh që përmbajnë termin Shqipëri, 542 shkresa kanë si burim ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, prej të cilave 9 janë sekrete dhe 142 konfidenciale.

Burime nga ambasada e SHBA në Tiranë deklaruan se nuk janë në dijeni për përmbajtjen e këtyre dokumenteve dhe se do të ketë një reagim zyrtar nëse dhe kur këto dokumente do të bëhen publike. Deri tani nuk ka pasur asnjë reagim në lidhje me këtë çështje nga ambasada e SHBA-ve, e cila do të reagojë, me sa duket, kur këto dokumente të publikohen nga Wikileaks.

Godo: Akt pozitiv

Politikani dhe historiani Sabri Godo i ka vlerësuar si pozitive këto zhvillime, duke deklaruar se mund të zbulohen shumë gjëra nëpërmjet këtyre informacioneve. Ai tha se nëpërmjet dokumenteve sekrete mund të arrijmë të zbulojmë se nëse ka pasur faktorë të tjerë në vitin 1997.

“Për një gjë jam i bindur, që në ato ngjarje atëherë ka pasur ndërhyrje nga jashtë. Nuk ka qenë çdo gjë e kurdisur përbrenda. Askush nuk kishte mundësi t’u jepte përmasa të atilla ngjarjeve të ‘96-s pa një ndërhyrje dhe mbështetje nga jashtë. Si ka qenë, në ç’forma është bërë, deri ku ka shkuar, të gjitha këto mbeten për t’u parë. Gjithsesi, janë ngjarje të së kaluarës që nuk duhet të kenë ndonjë ndikim të madh në zhvillimin e marrëdhënieve aktuale. Por shënimet duhen mbajtur”, – tha ai.

Godo foli edhe për mundësinë e një ndërhyrjeje amerikane në çështjen e marrëveshjes së ujërave në Greqinë. Sipas tij, kjo edhe mund të ketë ndodhur në favor të Shqipërisë.

“Mua nuk do të më dukej ndonjë habi e madhe, të kishte ndonjë lloj ndikimi të tërthortë të Amerikës, kjo ka të bëjë me interesat strategjike në tërësi, por dhe me politikën që ndiqet ndaj një vendi në veçanti. Në çdo rast, Amerika ka mbrojtur interesat tona. Kjo do të provokojë një debat ku do të përfshihet e gjithë bota. Unë e shoh si gjë të dobishme, mbase qeveritë do të vihen në vështirësi, ai që nuk njeh të kaluarën është i destinuar të përsëritë gabimet”, – deklaroi Godo.
Dokumentet mbi Shqipërinë pritet të publikohen gjatë javëve dhe muajve në vijim. Sipas analistëve, interes të veçantë kanë dokumentet në lidhje me marrëdhëniet shqiptare-greke, që janë të përfshira edhe sipas medieve në Greqi.

Shqiptari.net

Leave a Comment

%d bloggers like this: