Vritet fatorinoja i një furgoni për 150 lekë

Një 17-vjeçar i punësuar si fatorino është masakruar me thikë dje në Tiranë për 150 lekë të reja ne furgonat e linjes Tirane – Durres.

Krimi makabër ndodhi pasditen e djeshme rreth orës 15:30 në afërsi të “Zogut të Zi”, fare pranë një stacioni autobusi. Julian Çuni 17 vjeç, banues në rrugën “Njazi Meka”, fatorino i një furgoni që punonte në linjën e pasagjerëve Tiranë- Durrës e anasjelltas, mbeti i plagosur rëndë dhe më pas vdiq në Spitalin Ushtarak, ku kishte mbërritur pas plagëve të marra, pasi u godit disa herë me thikë në bark. Burimet thanë se adoleshenti 17-vjeçar u godit disa herë me thikë nga dy persona, të cilët ndodheshin në furgonin ku ai punonte si fatorino. Bashkë me dy personat e përfshirë në krim, mësohet se kanë qenë edhe dy persona të tjerë të implikuar, të cilët janë shpallur në kërkim. Këta të fundit, sipas hetuesve, kanë qenë më pak aktivë, por po ashtu dyshohet se kanë kryer veprime të dhunshme ndaj fatorinos. Autorët e krimit mësohet se janë konfliktuar me viktimën për shkak se kanë kërkuar të zbrisnin nga furgoni që udhëtonte drejt Durrësit, pak minuta pasi kishin hipur si pasagjerë në të. Në momentin e zbritjes, ata kanë pretenduar se kanë ngatërruar linjë. 17-vjeçari iu kërkoi dy të rinjve paratë e biletave për rrugën, për shkak se sipas tij, tashmë ata duhej të udhëtonin me dy vende bosh. Por pasagjerët janë përgjigjur me goditje thike, e pasi kanë lënë të vdekur 17-vjeçarin, janë larguar nga vendi i ngjarjes. Pas krimit, autorët janë larguar në drejtim të Laprakës, ndërsa ende nuk ka të dhëna të sakta se mbi identitetin e tyre, përveç përshkrimit fizik të marrë nga drejtuesi i furgonit me të cilin punonte adoleshenti i vrarë.

Policia mbërriti në vendin e ngjarjes vetëm pak minuta pas krimit, ndërsa nisi hetimet për vrasjen duke marrë e duke shoqëruar disa persona në cilësinë e dëshmitarëve. Një grup ekspertësh kriminalistë dhe specialistësh të zyrës së hetimit të krimeve ndaj jetës kryen veprimet në vendin e ngjarjes, duke marrë dëshmi të një grupi personash, që sipas policisë duhej të kishin dijeni mbi krimin. Shoferi i furgonit mësohet se iu ka deklaruar hetuesve se personat kanë hipur në furgon si pasagjerë në afërsi të stacionit të trenit, ku edhe është vendqëndrimi i furgonëve të linjës së Durrësit. Por sapo kanë mbërritur pranë “Zogut të Zi”, personat i kërkuan shoferit të ndalte furgonin, pasi kishin ngatërruar linjën. Në këtë moment mësohet se nisi edhe sherri mes tyre.

Adoleshenti dhe shoferi iu kërkuan lekët pasagjerëve, për shkak se sipas tyre, tashmë furgoni duhej të shkonte bosh në Durrës dhe pa pasagjerë dhe kjo bënte që ata të mos kishin leverdi. 17- vjeçari Çuni debatoi me personat, duke iu kërkuar atyre medoemos paratë e biletës. Në debat e sipër ata nisën të konfrontohen fizikisht, ndërsa një prej pasagjerëve shtyu adoleshentin jashtë furgonit, pasi e kishte goditur me thikë në bark. “Autorët pasi goditën me thikë adoleshentin, u larguan në drejtim të Laprakës”, – i tha një dëshmitar policisë. Shoferi i furgonit mësohet se dërgoi të plagosurin për në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Pak momente pasi mbërriti atje, adoleshenti ndërroi jetë për shkak të plagës së rëndë që kishte marrë në trup. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes, ndërsa mësohet se deri dje në mbrëmje asnjë person nuk kishte përfunduar në pranga.

Leave a Comment

%d bloggers like this: