Votohen pa opozitën ndryshimet në qeveri, mungojnë Prifti e Koka

UPDATE- Parlamenti ka votuar mbrëmë vetëm me votat e maxhorancës ndryshimet në qeveri. Pas rreth tri orë debatesh mes kryeministrit Sali Berisha dhe përfaqësuesve të opozitës, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli hodhi në votim dekretet e Presidentit, Bamir Topi për lëvizjet e reja në kabinetin qeveritar.

Me 73 vota pro u miratua fillimisht shkarkimi i Ilir Metës nga postet që mbante, i zv/kryeministrit dhe ministër i METE. Më pas me të njëjtën numër votash u votua Edmond Haxhinasto si numri dy i qeverisë, ndërsa Nasip Naço mori detyrën si kreu i METE. Ndërkohë Vangjel Tavo u votua si nënkryetar i Kuvendit.

Deputetët e opozitës, të cilët ishin të pranishëm në Parlament gjatë gjithë kohës, nuk morën pjesë në votim, por qëndruan para podiumit të Parlamentit. Në Votim munguan edhe ish ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti si dhe deputeti i LSI-së, Lefter Koka. Deputeti i Durrësit fillimisht ishte në seancë, por jo i pranishëm gjatë votimit.

Dje, kreu i shtetit, përmes dekreteve të veçanta ka firmosur ndryshimet ne qeveri, te cilat me pas i kaluan Kuvendit per votim.

Leave a Comment

%d bloggers like this: