“Votimi elektronik, i parakohshëm për Shqipërinë”

Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, në një intervistë për gazetën “Panorama”, jep mendimin e saj ndaj propozimeve të fundit për një KQZ apolitike dhe numërimin elektronik.

Duke bërë një analizë të zgjedhjeve të 8 majit, zonja Subashi shprehet se KQZ veproi me dy standarde.

Zonja Subashi, cili është qëndrimi juaj për zgjedhjet e 8 majit, veçanërisht për Bashkinë e Tiranës? U lexua sipas ligjit vullneti i zgjedhësve?

Qëndrimi im për zgjedhjet e 8 majit është ai që kam mbajtur në vendimmarrjet e KQZ-së dhe që është publike. Sigurisht që ky qëndrim ka qenë një qëndrim tërësisht në përputhje me Kodin Zgjedhor, edhe pse në vendimmarrjet më të rëndësishme të zgjedhjeve ka mbetur në pakicë gjykimi im. Për zgjedhjet e 8 majit ka shumë e shumë probleme, por që natyrisht nuk arrihen të shkruhen në një intervistë. Ju veçoni në pyetjen tuaj vlerësimin për Bashkinë e Tiranës. Vetë pyetja bën diferencën midis procesit zgjedhor në Tiranë dhe procesit zgjedhor në të gjithë Shqipërinë. Mjafton kjo diferencë për të kuptuar që rezultati në Tiranë u ndryshua në mënyrë “hileqare”, për të thënë se këto zgjedhje patën dy standarde në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor: njëri standard për Bashkinë e Tiranës, që nuk respektoi Kodin Zgjedhor, nuk zbatoi as disa vendime që vetë KQZ kishte marrë unanimisht për këtë çështje. Standardi tjetër: të gjitha njësitë e tjera zgjedhore të Shqipërisë që respektuan Kodin Zgjedhor, ndoqën hapat proceduralë deri në certifikimin përfundimtar të fituesit. Në Bashkinë e Tiranës, vullneti i zgjedhësit nuk u lexua sipas ligjit dhe, për rrjedhojë, prodhoi një rezultat tjetër nga ai i lexuar sipas ligjit. Për t’u kuptuar, rezultati sipas ligjit zgjedhor ishte numërimi i votave të bëra nga 11 KZAZ-të e Tiranës, që për të gjithë është në vëmendje, u angazhua Trupi Diplomatik i akredituar për vëzhgim për ta përmbyllur këtë rezultat. KQZ kishte një detyrim të vetëm ligjor, që të 11-të vendimet e tabelave të rezultateve të numëruara nga KZAZ-të t’i përmblidhte në një shumatore formalisht dhe të certifikonte rezultatin. Them formalisht, sepse kjo mbledhje u bë nga të gjithë që më 14 maj, kur përfundoi njësia e fundit zgjedhore, ajo me numër 49, që i përket Njësisë së Minibashkisë Nr. 5, Tiranë. Në zgjedhjet e mëparshme, parregullsitë, vonesat në nxjerrjen e rezultateve zgjedhore, me zë të lartë ua kemi faturuar ndërhyrjeve të politikës edhe vetë ne, institucioni më i lartë zgjedhor. Pa asnjë mëdyshjeje, për rezultatin zgjedhor të Bashkisë së Tiranës këtë faturë politike e ka KQZ-ja, institucioni më i lartë i administrimit zgjedhor. Dhe përse? Rastësisht? Për drejtësi? Asgjë nuk është bërë rastësisht dhe për drejtësi zgjedhore. Drejtësia zgjedhore nuk bëhet rastësisht dhe duke mos zbatuar ligjin. Për të gjithë është e ditur që drejtësia jepet duke zbatuar ligjin e shtetit. Nuk është vetëm një gjykim imi ky, por një deklarim i bërë në raportet paraprake të misioneve të vëzhgimit vendas e të huaj, madje edhe të raportit paraprak të ODIHR-it, njësi vëzhgimi e specializuar për zgjedhjet.

Një nga pikat e nxehta të debatit të këtyre zgjedhjeve ishte leximi dhe përfshirja në rezultat e fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara. Ka një kontradiktë, sipas jush, mes së drejtës kushtetuese për të lexuar votën e shprehur të zgjedhësve dhe kufizimit ligjor apo administrativ për t’i quajtur të pavlefshme ato?

E kam dëgjuar këtë argument, se numërimi i votave në kutinë e gabuar, pra ajo që ndodhi me rezultatin e Tiranës, është e drejtë kushtetuese. Një deklarim që deformon përcaktimet kushtetuese do ta quaja, për ta bërë të besueshëm atë proces të parregullt. Përse ky detyrim kushtetues qenka i zbatueshëm vetëm për një njësi zgjedhore, vetëm për Bashkinë e Tiranës dhe jo për të gjithë vendin, madje nuk u zbatua as për njësitë e tjera zgjedhore në Tiranë, siç janë minibashkitë? Ku u shkel ky parim kushtetues në Bashkinë Tiranë, apo në të gjithë Shqipërinë? Nuk ka asnjë kontradiktë midis përcaktimeve kushtetuese dhe ligjit zgjedhor, apo, siç ju e quani, kufizim ligjor administrativ për leximin e votës, përfshirjen në rezultatin zgjedhor të Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, në një intervistë për gazetën “Panorama”, jep mendimin e saj ndaj propozimeve të fundit për një KQZ apolitike dhe numërimin elektronik. votave të hedhura në kutitë e gabuara. E drejta kushtetuese nuk shprehet dhe as mund të shprehet për detaje zgjedhore. Rregullimet e detajeve zgjedhore i bën Kodi Zgjedhor. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 45 përcakton se “shtetasi që ka mbushur moshën 18 vjeç, qoftë edhe në ditën e zgjedhjeve, ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet… Vota është vetjake, e barabartë dhe e fshehtë”. Këto janë përcaktimet kushtetuese. Kodi Zgjedhor, si një ligj organik, përcakton rregulla shumë të hollësishme për numërimin dhe nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, madje edhe hapa proceduralë me elemente të tjera garancie. Në këtë Kod është përcaktuar qartë se rezultati zgjedhor për Bashkinë e Tiranës del nga numërimi i votave në kutinë e votimit nga ky subjekt zgjedhor, pra nga kutia e votimit të kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe për Këshillin Bashkiak nga kutia e votimit të këtij subjekti. Me përfundimin e këtij numërimi dhe të këtij rendi ligjor vijohet në rezultatin e subjekteve të tjera të minibashkive. Dhe, për të qenë më e kuptueshme, ligji përcakton që pas numërimit të një kutie votimi përpilohet tabela e rezultatit nga grupi i numërimit, firmoset dhe për asnjë arsye KZAZ-të apo grupet e numërimit nuk mund ta ndryshojnë atë. Ky regjim juridik përjashton përfshirjen në rezultatin zgjedhor të fletëve të votimit të gjetura më pas nga numërimet e mëvonshme. Ligji zgjedhor parashikon shpalljen e rezultatit vetëm duke zbatuar hapat proceduralë. Dhe kjo nuk u zbatua. Kushtetuta e Shqipërisë, por edhe ligji zgjedhor, kërkojnë votë të barabartë dhe të fshehtë. Vota e barabartë, një parim i madh zgjedhor që nënkupton sa zgjedhës, aq edhe votues. Rezultati për Bashkinë e Tiranës përfundoi me 870 vota më shumë se votues, diferencë e cila ishte shumë herë më e madhe se diferenca midis kandidatit të shpallur fitues me kandidatin tjetër. Numërimi i votave në kutinë e gabuar, së paku në një rast, identifikoi votuesin, por në çdo rast përbën shkak për të evidentuar votuesin. A nuk është ky një shkak për të vlerësuar se ky rast përbën një shkelje të parimit kushtetues që vota është e fshehtë?

Si do ta vlerësoni vendimmarrjen e Kolegjit Zgjedhor, i cili në një rast dha mundësi që të hapeshin të gjitha kutitë e Tiranës për të bërë në fund rakordimin e shifrave të rezultatit, por, nga ana tjetër, e cilësoi të ligjshëm një standard të vendosur ndryshe para zgjedhjeve nga KQZ-ja, vlerësimin e fletëve të votimit të hedhura gabim?

Ndoshta përgjigjen e kësaj pyetjeje pjesërisht e trajtova, por më konkretisht do të shtoja: Kolegji Zgjedhor certifikoi numërimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar. Jam e bindur që ky vendim është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, jo vetëm. Ky vendim i Kolegjit Zgjedhor është në kundërshtim me vetë vendimin e dhënë nga ky Kolegj në gjykimet që ka bërë në vitin 2007 për të njëjtin pretendim. Vendimi i dytë i Kolegjit Zgjedhor për të cilin pyesni, nuk mund të ndërhynte në vendimin e saj të mëparshëm, por dukshëm e cilësoi vendimin e KQZ-së se ishte në kundërshtim me hapat proceduralë të parashikuar në ligj, të njëanshëm, duke urdhëruar hetim të plotë për rakordimin e shifrave të rezultatit, mbasi është një nga kërkesat thelbësore në një proces zgjedhor që lidhet me parimin “një zgjedhës, një votë”. Kjo nuk ndodhi dhe rezultati u certifikua duke lënë prapa një klimë politike mosbesimi ndaj procesit zgjedhor, me pasoja për zhvillimet demokratike të vendit. Me përgjegjësi për pasojat zgjedhore, jam e bindur në ndikimet politike dhe për këtë kam keqardhje, ndonëse nuk jam pajtuar në asnjë rast me këtë zgjidhje të dhënë.

Nga partitë politike janë dhënë propozime për një votim elektronik në zgjedhjet e ardhshme. Si e shikoni ju këtë propozim? Do të shmangte ai deformimin e votës dhe do të ngushtonte hapësirat kohore të përfundimit të një procesi zgjedhor?

Unë mendoj që ndryshimet e ligjit zgjedhor pas çdo procesi zgjedhor nuk i shërbejnë konsolidimit të praktikave zgjedhore, nuk i shërbejnë besimit te procesi zgjedhor. Këtë rekomandon edhe Kodi i Praktikave të Mira Zgjedhore të Komisionit të Venecias. Ne nuk vuajmë nga standardi i ligjit, ne vuajmë moszbatimin e ligjit. Do ta konsideroja të parakohshëm votimin elektronik për Shqipërinë, kur edhe vende me demokraci të zhvilluar nuk e kanë aplikuar. Në dijeninë time, ky votim aplikohet në pak vende në botë, ndaj edhe e gjykoj të parakohshëm këtë propozim. Gjithsesi, ky është një gjykim personal, i takon politikës të vlerësojë dhe të vendosë.

Një pikë e rëndësishme e debatit të zgjedhjeve ishin hapësirat mes funksionit të KQZ-së herë si KZAZ dhe herë si KQZ sa i takon rezultatit të Tiranës. Cili është qëndrimi juaj tani që ky proces ka përfunduar?

Është e vërtetë që shumica vendimmarrëse në KQZ për rezultatin e Tiranës u shpreh se ishte në funksionin e saj si KZAZ e Tiranës. Në mënyrë absolute nuk ka asnjë hapësirë në Kodin Zgjedhor që përcakton se KQZ kthehet në funksion KZAZ-je. Në çdo rast, edhe për rezultatin zgjedhor të Bashkisë Tiranë, Kodi Zgjedhor shprehet qartë: KQZ harton tabelën përmbledhëse të 11 KZAZ-ve të Tiranës. Kjo teori e përdorur nga KQZ bie ndesh me parimet thelbësore që ka Kodi Zgjedhor për administratën zgjedhore. KZAZ-të janë struktura zgjedhore që numërojnë dhe nxjerrin rezultatin zgjedhor. KQZ-ja është strukturë kontrolli e vendimmarrjes së KZAZ-ve, vetëm nëpërmjet procesit të ankimimit dhe, si e tillë, përbën papajtueshmëri kryerja e funksioneve të KZAZ-ve me funksionin e kontrollit. Ky është një parim tjetër i shkelur në ndërhyrjen e rezultatit të Bashkisë Tiranë. Funksioni i KQZ-së për të hartuar tabelën përmbledhëse, sipas vendimeve të KZAZ-ve Tiranë, nuk ka lidhje me vlerësimin e votave dhe nuk prek këtë parim që përmban Kodi Zgjedhor për administratën zgjedhore.

Ju, gjatë gjithë veprimtarisë në KQZ keni pasur marrëdhënie të acaruara me kryetarin e institucionit, zotin Ristani, i cili para procesit zgjedhor ju propozoi dhe periudhën e pensionit. Përse kjo marrëdhënie, sipas këndvështrimit tuaj, marrëdhënie që ka ndikuar dhe në vendimmarrjen e institucionit?

Është e vërtetë se midis nesh nuk ka pasur një marrëdhënie normale institucionale. Do të saktësoja që nuk jam unë ajo që e kam shkaktuar këtë situatë, prandaj ndoshta duhet të pyesni z. Ristani. Edhe pse ju e lidhni personalisht me mua, që pa diskutim ka qenë më e dukshme, marrëdhënie jonormale, ekzistojë edhe me dy kolegët e propozuar nga opozita. Një gjë është e sinqertë për lexuesin: kjo marrëdhënie, pa diskutim që e ka vështirësuar punën tonë, por në asnjë rast nuk ka ndikuar në vendimmarrjen e institucionit. Sigurisht që një marrëdhënie bashkëpunimi do të kishte një ndikim pozitiv për institucionin, pse jo edhe një ngarkesë tjetër politike, në rritjen e besimit tek institucioni. Më në fund ky është edhe synimi i Kodit Zgjedhor për këtë strukturë të administrimit Zgjedhor.

Është hedhur ideja e një KQZ-je apolitike, ndoshta një komisioni të zgjedhur nga Konferenca e Gjyqësorit. Mendoni se kjo do të ishte formula më e mirë dhe do të shmangte ndërhyrjen e partive politike në KQZ?

Kam deklaruar edhe më parë, nuk është ndërtimi i strukturës për përbërjen e KQZ-së problemi i funksionimit të KQZ-së. Funksionimi i institucionit, jashtë ndikimit politik, ka lidhje me integritetin e secilit që merr përsipër këtë detyrë. Nuk duhet harruar se në vitet 2000-2005, KQZ kishte një formatim kushtetues të zgjedhur nga KLD, Presidenti dhe dy anëtarë nga Parlamenti, që përbënte një shumicë të cilësuar nga institucione të pavarura dhe nuk munguan etiketimet politike.

ARISTIR LUMEZI

Panorama ONLINE

Leave a Comment

%d bloggers like this: