“Vorio Epiri”, zbulohet letra e kongresmenit drejtuar Reis

SHBA. Gilirakis përdor termin “Epiri Verior” për t’i shpjeguar ish-sekretares vendndodhjen e minoritetit grek
Përfaqësuesit e lartë të komunitetit grek në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ngurruar për asnjë çast të shprehin qëndrimet e tyre në lidhje me Vorio Epirin dhe problemet e supozuara të tyre për diskriminimin që i bëhet minoritetit grek në Shqipëri. Gazeta “Shqip” zbardh sot një letër që kongresmeni republikan greko-amerikani Gus (Kostandin) Bilirakis i shkruante.

Kondoliza Rajs, në atë kohë sekretare e Shtetit e SHBA-ve. Në letër që mban datën 20 maj 2008, kongresmeni amerikan me origjinë greke shpreh shqetësimin për mungesën e informacionit dhe mosveprimin e autoriteteve shqiptare, në respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që të ofrojë të drejtat themelore të njeriut për pakicën greke në Shqipëri. Po kështu, kongresmeni kërkon që të jetë ambasada amerikane në Shqipëri ajo që të mbledhë të dhëna statistikore për çdo problem që sipas tij, ka minoriteti grek në vendin tonë. Ndër të tjera, Bilirakis në letër shkruan: “Unë mendoj se do të ishte më mirë që ambasada e SHBA-së në Tiranë, duke mbledhur të dhëna të sakta statistikore, të bëjë një vlerësim në lidhje me atë se çfarë veprimesh janë ndërmarrë që të bindë qeverinë shqiptare të përmbushë obligimet e saj ndaj pakicave. Shqipëria është e obliguar që të realizojë analiza që të përcaktojë se a është dhe deri në ç’masë është gjendja e rëndë e disa minoriteteve, rezultat i diskriminimit etnik ose racor kundër tyre”. Kongresmeni i lobit greko-amerikan, Bilirakis, para se t’i shkruante ish-sekretares së Shtetit Rajs, kishte zhvilluar një takim në Amerikë me kryetarin e Omonias dhe të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollanon, duke dëgjuar nga ai ankesa të shumta për keqtrajtimin që Shqipëria i bën minoritetit grek si “refuzimin nga qeveria shqiptare për të miratuar legjislacionin që të sigurojë titujt e pronës dhe tokave kullota, që u përkasin familjeve të minoritarëve grekë”. Gjithashtu Bollano shfaqi shqetësimin e moskthimit të pronës së Kishës Ortodokse dhe artefaktet fetare të përvetësuara gjatë diktaturës komuniste. Në fund të letrës së tij, Bilirakis nuk lë pa përmendur termin Vorio Epir për Shqipërinë Jugore. Kështu Bilirakis letrën e tij drejtuar Kondoliza Rajs e përfundonte: “Shtetet e Bashkuara kanë qenë kampionë të të drejtave të njeriut për të gjitha pakicat etnike dhe fetare në botë. Unë kam çdo besim që SHBA-të do të marrin udhëheqjen në sigurimin e mbrojtjes së pakicës greke në Shqipëri. Unë do ta çmoj shumë të di se çfarë veprimesh planifikon Departamenti i Shtetit që të bindë zyrtarët shqiptarë të përmirësojnë trajtimin që ata u bëjnë pakicave në vend, dhe çfarë bën për momentin ambasada amerikane drejt këtij qëllimi. Çështja është personale për mua, pasi shumë nga zgjedhësit e mi duke përfshirë edhe familjarët e gruas sime, vijnë nga një rajon i Shqipërisë Jugore i njohur si Epiri i Veriut, ku është i koncentruar minoriteti grek. Unë besoj fuqimisht, se është në interesin më të mirë të Shqipërisë që kërkon integrimin në Europë, që të trajtojë pakicat e veta në atë mënyrë që insiston të trajtohen shqiptarët etnikë në vendet fqinje. Ju faleminderit për kohën dhe konsideratat tuaja. Unë shikoj para që të punoj me ju, që të garantojmë që të gjithë pakicës greke në Shqipëri t’i sigurohet liria fetare, politike dhe ekonomike”.

Kush është kongresmeni Gus Bilirakis
Kongresmeni republikan, Gus Bilirakis (grekët e thërrasin Kostandin) ka lindur më 1963 në Florida. Babi i tij, Michael Bilirakis, është zgjedhur disa herë Kongresmen nga viti 1983-2006, duke ia pasuar më tej frontin të birit. Gus Bilirakis është zgjedhur për herë të parë kongresmen më 7 nëntor 2006. Momentalisht ai gëzon mandatin e dytë si kongresmen dhe shërben në Komitetin e Sigurisë së ShBA-ve, në çështjet e Veteranëve dhe Punëve të Jashtme, është kryetar i nënkomitetit për emergjencë. Jeton në Palm Harbor, i martuar dhe babai i katër fëmijëve. Kongresmeni Bilirakis është shumë aktiv në lobin greko-amerikan në çështjet e minoritetit grek në Shqipëri dhe për zgjidhjen e çështjes së Qipros.

Leave a Comment

%d bloggers like this: