Vlonjatët dua Hysën për vendin e Plakut

Në bazë të kalendarit, tashmë të përcaktuar për javën e parë të kampionatit, ekipi i Flamurtarit pritet ta luajë ndeshjen përballë Dinamos ditën e hënë, fakt që do të thotë se vlonjatët do të kenë disa ditë më shumë në dispozicion për të përgatitur këtë transfertë, të cilësuar nga vetë këta të fundit si mjaft të rëndësishme. Gjatë dy ditëve të fundit duket se Flamurtari është rikthyer sërish në merkato, për të bërë të vetin një sulmues, që do t’i bashkangjitet Daniel Xhafajt, edhe pse ende nuk mund të thuhet se në Vlorë janë dorëzuar për çështjen “Plaku”. Kështu, emri më i fundit ka të bëjë me sulmuesin Vilfor Hysa, lojtar që gjendet te Tirana, ndërsa sezonin e kaluar është aktivizuar te Teuta. Interesimi i Flamurtarit drejt lojtarit në fjalë pranohet edhe brenda klubit vlonjat, ndërkohë që janë duke u parë me mjaft interes edhe pista të tjera. Për sa i përket ekipit, futbollistët duken plotësisht të përqëndruar për ndeshjen me Dinamon, ndërsa janë rikthyer në stërvitje edhe mesfushori Devolli dhe dy lojtarë të tjerë që kanë munguar për arsye shëndetësore. Referuar ndeshjes përballë Dinamos, është vetë kapiteni i Flamurtarit, Artan Sakaj, e pranon rëndësinë e ndeshjes, por thotë se Flamurtari i ka të gjitha mundësitë për të marrë më të mirën ditën e hënë në kryeqytet. “Dihet që këtë sezon Flamurtari kërkon të jetë protagonist në kampionat dhe kupë, të arrijë trofe, ndaj për ne çdo ndeshje është e rëndësishme dhe këtu përjashtim nuk bën as përballja me blutë. Dihet se të luash me Dinamon, paraqet vështirësi, por e njëjta situatë është edhe për kundërshtarin tonë. Luhet vetëm java e parë e kampionatit, por nëse Dinamo e bëri prezantimin e saj në ndeshjen e Superkupës, ne pikërisht përballë bluve luajmë takimin e parë zyrtar për këtë sezon. Do të kërkojmë të bëjmë një paraqitje sa më të mirë dhe të marrim rezultat pozitiv. Investimet e kryera këtë sezon te Flamurtari tregojnë se është krijuar një ekip mjaft ambicioz, por këtë duhet ta tregojmë në fushën e lojës. Flamurtari do të synojë ta nisë me këmbë të mbarë dhe kështu shpresojmë të gjithë,” ‑ ka përfunduar kapiteni i Flamurtarit, Artan Sakaj.

 



http://www.sportishqiptar.com.al/vlonjatet-dua-hysen-per-vendin-e-plakut-2/

Leave a Comment

%d bloggers like this: