Vila-Rapid, “dejavu” në Ligën e Europës

Shorti përsërit “play off”-in e sezonit të kaluar. Liverpuli gjen Trabzonsporin, ndërsa Juvja ndeshet me Shturmin

Aston Vila do të ndeshet me Rapidin e Vjenës në “play off”-in e Ligës së Europës, ashtu si në sezonin e kaluar, kur austriakët shtangën ekipin e Martin O’Nil, duke i nxjerrë jashtë nga “kupa e vogël”. Ndeshja në Angli u mbyll 2-1, ndërsa në Vjenë fitoi Rapidi 1-0. Liverpuli, gjigandi tjetër nga Anglia, do të vihet përballë turqve të Trabzonsporit, në bazë të asaj që vendosi shorti i hedhur dje në Nion të Zvicrës.

Mançester Siti do të ndeshet me rumunët e Timisoarës, teksa janë 74 skuadrat pjesëmarrëse në këtë fazë të Ligës së Europës. Pasi ka eliminuar maqedonasit e Rabotnickit, Liverpuli, gjysmëfinalist i sezonit të kaluar, do të luajë në brigjet e detit të zi ndaj Trabzonsporit, që e mbylli në vendin e pestë kampionatin turk gjatë sezonit të kaluar. Juvja, tri herë fituese e Ligës së Europës, do të ndeshet me Shturmin e Grazit, pasi kaloi lehtësisht Shamrokun. Përveç Livepulit, Juventusit dhe Aston Vilës, janë edhe disa ekipe të tjera që kanë fituar një trofe europian në të kaluarën.

Njëra prej tyre, Porto, ka përballë belgët e Genkut, ndërsa tjetra, PSV Eindhoven do të udhëtojë drejt transfertës më të largët të mundshme ndaj rusëve të Sibir Novosibirsk, debutues në Europë. Steua e Bukureshtit, ish-kampione e Europës është vënë përballë Grasshopersit, teksa Fejënordi do të ndeshet me fqinjët belgë të Gentit.

Karabaku nga Azerbaixhani, supriza e këtij edicioni, ku aktivizohen edhe lojtarët tanë, Agolli e Teli, do të luajë për të dytin vit me radhë në “play off”. Këtë herë do të ketë përballë Dortmundin, fitues i Ligës së Kampioneve në vitin 1997. Në ndeshjet e tjera për raundin e tretë të Ligës së Europës shorti ka vënë përballë Giorin me Dinamon e Zagrebit.

Fenerbahçe do të sfidojë rivalët e përjetshëm grek të PAOK-ut, kurse Makabi i Tel-Avivit, pasi eliminoi Olimpiakosin synon suprizën e radhës ndaj Paris Sën Zhermenit. Ndeshjet e para do të luhen më 19 gusht, ndërsa takimet e kthimit një javë më vonë. 37 skuadra e kualifikuara do t’i bashkohen Atletikos së Madridit, fituese e edicionit të kaluar dhe dhjetë skuadrave që do të humbasin në “play off”-in e Ligës së Kampioneve.



http://www.sportishqiptar.com.al/vila-rapid-dejavu-ne-ligen-e-europes/

Leave a Comment

%d bloggers like this: