TIRANE- Në përvjetorin e 7 të festës Bashkia Tiranë kishte realizuar një sërë aktivitetesh argëtuese përgjatë shëtitores “Dëshmorët e Kombit” që mundësuan krijimin e një atmosfere të gjallë që u prit mjaft mirë nga mijëra qytetarë të Tiranës por dhe të tjerë të ardhur nga rrethet.

Kryeqendra e festimeve si cdo vit ishte Elbasani. Karnavalet çelën serinë e aktiviteteve të Ditës së Verës në këtë qytet, ndërsa rrugët e sheshet kryesore u tejmbushën nga vizitorët, të cilët patën mundësi të shijojnë edhe këtë vit gatimin e ballokumeve, ëmbëlsirën tradicionale të kësaj feste.

AKTIVITETET NE TIRANE
Këngëtarë e grupe të njohura të muzikës moderne performuan në skenën e Urës së Madhe, ndërsa zona pedonale e Bllokut ofroi shumë argëtim e surpriza për të rinjtë. Ballokumeve të Elbasanit dhe veroreve gjatë kësaj feste, iu shtuan edhe produktet e shumë kompanive të njohura, të cilat me rastin e “Ditës së Verës” i ofruan falas për qytetarët produktet e tyre. Në lulishten e “Vëllezërve Frashëri” harqet, muzika klasike dhe stendat e librave, ishin edhe sot të pranishme. “Dita e Verës” në Tiranë nuk ishte më vetëm një arenë e madhe argëtimi, por edhe një vend ku të gjithë të interesuarit mund të informoheshin për tendencat më të fundit të modës dhe estetikës, ndërsa disa parukierë ofruan shërbimet e tyre falas për qytetarët e Tiranës në Bulevardin kryesor.

Ndërkohë pjesë e festimeve të Ditës së Verës u bënë edhe 2 helikopterë BO 105, pjesë e skuadrës së flutrimeve aerobatike “The Flying Bulls”, të cilët zhvilluan një shfaqje ajrore në sheshin “Nënë Tereza” dhe në Liqenin Artificial. Pilotët austriakë të ftuar për të performuar ishin Siegfried Schwarz me më shumë se 8 000 orë fluturime, si edhe Rainer Wilke me 8 500 orë fluturime.

DITA E VERËS NË VENDIN E ORIGJINËS, NIS ME KARNAVALE
Sot në të gjithë vendin festohet Dita e Verës, por kryeqendra e festimeve edhe këtë vit mbetet Elbasani prej ku ka dhe origjinën kjo festë pagane. Karnavalet, me pjesëmarrjen e nxënësve të 16 shkollave 9 vjeçare të qytetit të Elbasanit, çelën serinë e aktiviteteve të Ditës së Verës në qytetin e Elbasanit, rrugët dhe sheshet kryesore të të cilit janë tejmbushur nga mijra banorë, nga qyteti, rrethinat e tij, por edhe të ardhur nga rrethe të tjera të vendit.

Të inkuadruar në kollona rreshtore me pankarta në duar, si “stop dhunës”, “Mbani pastër mjedisin”, qindra fëmijë kanë qenë pjesë e dekorit të festës tradicionale, me veshjet e tyre, duke hedhur edhe parrulla për paqe dhe lumturi. Karnavalet do t’i lënë më pas bulevardin kryesor krosit masiv të nxënësve të shkollave 9 vjeçare, ndërsa një panair i madh është hapur për vizitorët. Gatime tradicionale do të shërbehen për të gjithë të pranishmit.

Ndërkohë mbrëmjen e djeshme ashtu si cdo vit në sheshin qëndror “Gensher ” para portës së kalasë së qytetit të Elbasanit u zhvillua koncerti i madh festiv ‘Nata e verës 2011”. Të paktën 20 mijë vetë ishin të pranishëm në këtë aktivitet i cili i paraprin festës tradicionale të Ditës së Verës. Kryebashkiaku Qazim Sejdini nga skena e këtij koncerti ka uruar bashkëqytetaret e tij dhe gjithë shqiptarët. Mbrëmja e parë e festimeve ju kushtua muzikës popullore me këngëtarë të qytetit të Elbasanit por dhe këngëtarë të tjerë në zë të muzikës popullore. Dita e Verës ka origjinë të lashtë dhe konsiderohet si festë arbëreshe e trashëguar në veçanti nga qytetarët e Elbasanit. Festimi kryhet në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë. Tashmë Dita e Verës është kthyer në një festë kombëtare ku shenja dalluese e saj është gatimi i ballokumeve.

DITA E VERËS NË KRYEQYTET
Kremtohet sot për të 7- in vit radhazi Dita e Verës në kryeqytet. Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me organizatorët kanë përgatitur aktivitete të shumëllojshme për festimin e kësaj dite.
Do të jenë këngët dhe vallet e ansamblit “Tirana”, prologu i kësaj feste të cilët prej orës 10:00 do të mbushin me tingujt e tyre gjithë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. “Pas një dimri të gjatë, Tirana ashtu si dhe qytete të tjera në mbarë vendin feston “Ditën e Verës”. Shpresa dhe gëzimi për një të ardhme më të mirë e të begatë, ka krijuar shekuj më parë këtë festë që Bashkia e Tiranës, në 7 vitet e fundit, e sjell gjithmonë e më të hareshme për qytetarët e saj, por dhe vizitorët nga e gjithë Shqipëria” – ka deklaruar Joana Bushi drejtore e Marrëdhënieve me Publikun. Më tej ajo ka zbardhur detajet dhe aktivitetet e ndryshme për të rinjtë por sidomos fëmijët, të cilët janë ata që gëzojnë më shumë në festa të tilla. Fëmijët, do të gjejnë koncertet e tyre të dashura, Xhaxhi Piktorin dhe shumë lojëra të tjera përgjatë bulevardit.
Në Lulishten e “Vëllezërve Frashëri” harqet, muzika klasike dhe stendat e librave, do të jenë edhe nesër, duke filluar nga ora 10:00. Ndërsa këngëtarë e grupe të njohura të muzikës moderne si, “Produkt 28″; Orinda Huta; Era Rusi; Ariela Krasniqi; Kelly etj do të performojnë në skenën e urës së madhe. Zona pedonale e Bllokut do të ofrojë shumë argëtim e surpriza për të rinjtë. Bashkia e Tiranës veç ballokumeve të Elbasanit do ofroi falas për qytetarët edhe verore. “Dita e Verës” në Tiranë, nuk është më vetëm një arenë gjigante argëtimi, por edhe një vend ku të gjithë të interesuarit mund të informohen për tendencat më të fundit të modës dhe estetikës. Për arsye të festimeve për Ditën e Verës, sot bulevardi “Dëshmorët e Kombit” do të jetë i bllokuar, ndaj Bashkia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve si dhe mbështetjen e Policisë Rrugore, për mbarëvajtjen e këtij eventi të rëndësishëm.

Leave a Reply

© 2014 Peqini Online Shiko Lajme Ndeshje Filma Foto Video Shqip 2013 · Subscribe: RSS Twitter · WordPress Theme designed by Theme Junkie