Verdheblutë: “Bobi” ta harrojë fitoren në Elbasan!

Premiera e kampionatit të 72-të kombëtar do të sjellë menjëherë në vëmendjen e të gjithëve një ndeshje shumë interesante mes Elbasanit dhe Tiranës. Rikthimi i verdhebluve në superligë, pas një viti mungese, do të bëjë që të kujtohen edhe një herë tjetër përplasjet e forta që janë bërë mes dy ekipeve, sidomos pas vitit 2003, kur elbasanasit u fuqizuan ndjeshëm dhe nisën të tregojnë forcën e tyre kundër Tiranës. Shorti deshi, ashtu si në sezonin 2006‑2007, t’i vinte përballë këto ekipe që në javën e parë. Dhe në të tilla raste nuk kanë se si të mungojnë edhe deklaratat e forta në media. Vetëm një ditë më parë trajneri i Tiranës deklaronte se nuk kishte asnjë justifikim në takimin e parë në “Ruzhdi Bizhuta”, ku duhej marrë patjetër tripikëshi. Ishte ky pohim që ka ngacmuar elbasanasit, të cilët u kanë kujtuar bardhebluve se në 7 vitet e fundit skuadra e Tiranës në kampionat ka fituar vetëm një herë në këtë stadium, duke koleksionuar 2 barazime dhe të gjitha takimet e tjera humbje. “Eshtë e drejtë e çdokujt të karikojë skuadrën e tij dhe të mendojë të marrë fitoren në çdo ndeshje. Në këtë pikë jo vetëm Starova, që është një trajner shumë i zoti, por edhe të gjithë lojtarët bardheblu, kanë të drejtë të bëjnë deklarata. Por ne jemi gati të vëjmë bast se Tirana nuk do të marrë kurrë tri pikë ditën e shtunë. Tirana është një kundërshtar që na motivon shumë dhe ne nuk kemi nevojë të gjejmë shtysa të tjera morale e financiare për të dhënë më të mirën në fushë gjatë ndeshjes së parë. Mjafton vetëm të kujtojmë historinë e ndeshjeve në 6‑7 vitet e fundit, ku edhe kur kemi qenë mirë apo keq, kemi luajtur gjithnjë të karikuar ndaj skuadrës me shumë traditë, Tirana. Do të kemi në favorin tonë një tifozëri të shkëlqyer, që është një arsye më shumë për të dhënë shpirtin në fushë dhe për t’i treguar Tiranës se duhet të mendojë të fitojë javën e dytë dhe jo në premierë ndaj nesh,” – ka pohuar në emër të ekipit verdheblu kapiteni Merxha. Ndërkohë, trajneri Krenar Alimehmeti vazhdon të ketë disa pikëpyetje në lidhje me ekipin që duhet të përballojë verdheblutë në ndeshjen e parë. Një ide më e saktë dhe si provë gjenerale do të shërbejë ndeshja e sotme e kontrollit.

 

“Tigrat verdheblu”, organizim krejt të ri

Tifo‑grupi elbasanas “Tigrat verdheblu” riorganizohet para fillimit të kampionatit. Ata kanë nxjerr në treg kartën e anëtarësimit dhe çdokush që dëshiron të anëtarësohet, do të duhet të paguajë një shumë prej 1500 lekësh të reja. Eshtë bërë e mundur bërja e 100 bluzave me logon e tifo‑grupit që do t’u shpërndahen tifozëve më fanatikë ditën e ndeshjes me Tiranës.

 

 



http://www.sportishqiptar.com.al/verdheblute-bobi-ta-harroje-fitoren-ne-elbasan/

Leave a Comment

%d bloggers like this: