Venger premton rinovimin me Arsenalin

Trajneri i “topçinjëve”: Eshtë vetëm çështje kohe. Kemi rënë dakord mbi të gjitha

Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, ka bërë të ditur dje se ai pret të firmosë një kontratë të re me klubin e Arsenalit së shpejti. Vengerit i skadon kontrata aktuale në fund të sezonit të ri dhe ka pasur zëra se ai mund të largohet nga skuadra, nëse Arsenali edhe këtë sezon nuk fiton trofe, pasi do të ishte viti i gjashtë pa asnjë trofe. Por trajneri francez 60-vjeçar, që drejton Arsenalin që prej vitit 1996, ka konfirmuar se do të qëndrojë sepse beson se skuadra e tij është pranë arritjes së potencialit të vet.

“Unë duhet të tregoj sa besim kam te kjo skuadër duke u angazhuar edhe disa sezone me Arsenalin. Situata ime do të zgjidhet shumë shpejt”, ka thënë ai dje. “Eshtë më shumë çështje kohe dhe të gjitha pikat e kontratës do të rregullohen. Unë besoj se impenjimi im për këtë klub nuk ka të bëjë fare me spekulimet se si do të shkojë ky sezon, pasi do të ishte e padrejtë. Nëse unë nuk punoj mirë dhe një ditë klubi nuk është i kënaqur me mua, e kuptoj shumë mirë që nuk më takon të qëndroj më këtu.

Por unë besoj se ne kemi bërë një sezon të mirë. Unë dua të fitoj dhe e dua futbollin, mund t’i kombinoj të dyja gjërat dhe kjo më jep uri për sukses. Nuk ka të bëjë fare me numrin e viteve në një punë, lidhet me natyrën tënde. Nëse unë luaj një lojë, dua ta fitoj. Nëse humb, më vjen keq.”

Venger ka fituar për herë të fundit një trofe të madh në vitin 2005, kur Arsenali mundi Mançester Junajtid në Kupën e Anglisë dhe gjashtë vite më parë fitoi titullin e kampionit në Premier Ligë. Por Arsenali ka qenë pretendent për titull edhe sezonet e shkuara, ndërsa tani ka arritur të sigurojë praninë e kapitenit Çesk Fabregas në “Emirates Stadium” dhe Venger shpreson që skuadra e tij të jetë edhe më kërkuese këtë sezon.

“Sukses do të quhet nëse dalim më mirë se vjet, domethënë të fitojmë titullin, kjo është masa e suksesit. Nuk mund ta mbyllësh sezonin me vendin e tretë dhe më pas të thuash se sezonin që vjen synojmë vendin e dytë.

Ne jemi një skaudër e re dhe është e natyrshme që do përmirësohemi. Kemi ambicie, jemi të uritur për sukses. Ne e dimë se çfarë duan njerëzit prej nesh dhe jemi të gatshëm të japim edhe më shumë, por suksesi i vërtetë është të fitosh Premier Ligën.”

Milner, mesfushori i Aston Vilës, është në mesin e lojtarëve që do të luajnë sot kundër Uest Hemit, edhe pse ai është shumë pranë kalimit te Mançester Siti. Milner mund të jetë lojtar i Sitit që javën që vjen, pasi trajneri i Mançester Sitit, Roberto Mançini, ka thënë se marrëveshja ishte shumë pranë.

Lojtari i përfaqësueses angleze nuk ka luajtur në asnjërën prej ndeshjeve miqësore të Vilës, por trajneri i përkohshëm Kevin MekDonald, që mori detyrën që prej largimit të Martin O’Nillit në fillim të javës, ka venodsur ta përfshijë Milnerin në skuadrën që do të luajë kundër Uest Hemit në “Villa Park”.

MekDonald ka thënë: “Situata më e fundit rreth Milnerit është se bisedimet vazhdojnë. Asgjë nuk mund të përfundohet sot (të premten), që të luajë me skuadrën e re këtë javë. Xhejmsi është në skuadër dhe do të jetë në dispozicion për Aston Vilën në ndeshjen kundër Uest Hemit.”



http://www.sportishqiptar.com.al/venger-premton-rinovimin-me-arsenalin/

Leave a Comment

%d bloggers like this: