Vendimi Qeverisë: informacionet “Top Secret” transportohen nga Posta Shqiptare

TIRANË- Qeveria shqiptare ka shfuqizuar pas 23 viteve vendimet e qeverisë komuniste për transportimin e informacionit të klasifikuar si “secret shtetëror”. Ndërsa me dy vendime të vitit 1987, të firmosura nga ish-kryeministri i asaj kohe, Adil Çarçani, posta sekrete shtetërore shoqërohej me roje ushtarake dhe me ekspeditë të posaçme të zyrave të PTT-së, në vendimin nr.502, të 23 qershorit 2010 rregullorja e re ia beson këtë shërbim postës shqiptare dhe punonjësve të saj.

Rregullorja e re që sapo ka hyrë në fuqi, rregullon marrëdhëniet ndërmjet institucioneve shtetërore dhe Postës Shqiptare sh.a për transportimin e objekteve dhe pakove postare të klasifikuara “Sekret shtetëror” brenda vendit si dhe transportimin ndërkombëtar të objekteve dhe pakove postare të klasifikuara “sekret shtetëror” nga institucionet shtetërore në Tiranë, për në strukturat shtetërore jashtë vendit dhe anasjelltas, nëpërmjet korrierëve diplomatikë. Materiale të quajtura “sekret shtetëror” do të jenë ato dokumente ose materiale që përmbajnë informacion të klasifikuar “sekret shtetëror”, ndërsa korrierët e saj do të jenë punonjësit e caktuar dhe të autorizuar nga titullari i institucionit dhe të certifikuar nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) për marrjen, shoqërimin, sigurimin, transportimin dhe dorëzimin e objekteve postare të klasifikuara “sekret shtetëror” tek i adresuari. Institucionet shtetërore, që kanë informacion të klasifikuar “sekret shtetëror”, do të hyjnë në marrëdhënie kontraktore me Postën Shqiptare sh.a., për transportimin e objekteve dhe pakove postare të klasifikuara “sekret shtetëror”, si dhe për tarifat e këtij shërbimi dhe pranimi, përpunimi, shoqërimi, sigurimi, transportimi dhe dorëzimi i objekteve dhe pakove postare të klasifikuara “sekret shtetëror”, do të kryhet nga Posta Shqiptare sh.a., me mjetet dhe personelin e saj, sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara në rregullore.

Punonjësit e saj do të jenë të pajisur me “Çertifikatë sigurie” të përshtatshme nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, sipas legjislacionit në fuqi dhe do t’u ndalohet të njihet me përmbajtjen e tyre. Posta shqiptare do të ketë një vend të veçantë për objektet dhe pakot postare të klasifikuara “sekret shtetëror”, të veçuara nga objektet dhe pakot e tjera postare të paklasifikuara, në banakë ndarës ose rrjete metalike për ndarjen e mjedisit të brendshëm nga ai i jashtëm, dyer të blinduara dhe dritare të sigurta, ku do të jetë e ndaluar mbajtja e furnelave elektrike, gazi, fenerëve ndriçues me lëndë djegëse, si dhe pirja e duhanit.

Në automjetet transportuese të objekteve dhe pakove postare të klasifikuara “sekret shtetëror”, do të
ndalohet kategorikisht marrja e personave të tjerë të paautorizuar, ndërsa korrieri i postës së klasifikuar “sekret shtetëror” dhe shoferi i automjetit të certifikuar përshtatshmërisht nga DSIK-ja, janë përgjegjës për
transportimin dhe sigurimin e objekteve dhe pakove postare të klasifikuara “sekret shtetëror” deri tek i
adresuari. Por nga ana tjetër, rregullorja parashikon që institucionet shtetërore mund të bëjnë vetë transportin fizik të informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, brenda ose jashtë qytetit, me personelin dhe automjetet e tyre, duke respektuar kërkesat e rregullores.

Ndërsa transportimi i objekteve dhe pakove postare të klasifikuara “sekret shtetëror” ndërmjet

institucioneve shtetërore brenda qytetit, do të kryhet me mjetet dhe personelin e çdo institucioni, me anë të korrierit, përpunimi i objekteve postare të klasifikuara “sekret shtetëror” të institucioneve shtetërore në

Tiranë për në qytetet e tjera, do të bëhet në filialin e tranzitit të Postës Shqiptare, në Tiranë, me anë të personelit dhe automjeteve të filialit të tranzitit të Postës Shqiptare. Objektet postare të klasifikuara “sekret shtetëror”, ndryshe nga materialet e paklasifikuara, do të ambalazhohen fort me letër të trashë, me kujdes
për të mos dëmtuar vulat e dyllit, duke formuar një pako të vetme për çdo qytet, të lidhur me spango dhe në vendin e lidhjes së spangos, si dhe në vendet e palosjes së letrës së ambalazhimit, do të bëhet dyllosja dhe vulosja me vulën metalike të qendrës së përpunimit të Filialit të Tranzitit të Postës Shqiptare.

Në raste të jashtëzakonshme, posta e klasifikuar mund të transportohet ose të shoqërohet nga forcat e policisë.
Transportimi i objekteve dhe pakove postare të klasifikuara “sekret shtetëror” nga institucionet
shtetërore në Tiranë për në strukturat shtetërore jashtë vendit, do të bëhet nga 2 dy korrierë diplomatikë të

Ministrisë së Punëve të Jashtme, ndërsa në Ministrinë e Punëve të Jashtme do të ngrihet zyra e korrierit diplomatik, e cila duhet të plotësojë kushtet për sigurimin fizik të informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”. Korrierët diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme, më parë pajisen me të gjitha dokumentet e nevojshme të korrierit diplomatik, si dhe me “certifikatë sigurie”, të përshtatshme nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, sipas legjislacionit në fuqi.
Në kthim, korieri diplomatik do të marrë edhe objektet dhe pakot postare të klasifikuara që kanë
institucionet përkatëse për në institucionet shtetërore në Tiranë, duke i regjistruar tek Libri i Dorëzimit të
korrespondencës së informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”. Sipas vendimit të ri të qeverisë regullorja e re nuk përfshin materialet elektronike që dërgohen me anë të postës elektronike.

Asgjësimi, si zhduket një material “sekret shtetëror”

Dy vite para regullave të reja të transportimit të materialeve “sekret shtetëror”, qeveria kishte vendosur edhe kriteret dhe procedurat për asgjësimin e informacionit të klasifikuar si “secret shtetëror”.
Me anë të vendimit nr.81, datë 28.1.2008, të firmosur nga kryeministri Berisha u vendos krijimi dhe funksionimi, në çdo institucion shtetëror, i cili prodhon dhe administron informacion të klasifikuar “Sekret shtetëror”, të komisionit për shqyrtimin e informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror”, me jo më pak se 5 anëtarë. Kur ky komisioni shqyrton dhe vendos për asgjësimin e informacioneve të klasifikuara “Sekret shtetëror”, në zotërim të institucionit bëhet shkatërrimi e tyre brenda 30 ditëve nga data e njoftimit.
Komisioni shqyrton dhe vendos për asgjësimin e informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror”, kur ky informacion nuk ka vlerë për ruajtje të mëtejshme dhe nuk duhet të deklasifikohet, me përjashtim të rasteve kur informacionet bëjnë fjalë për persona fizikë, juridikë, privatë apo publikë.
Sipas vendimit, materialet për nivelin “Tepër sekret” ruhen 10 vjet, ato “Sekret” 5 vjet, ato të nivelit “Konfidencial” 3 vjet dhe ato të nivelit “I kufizuar” vetëm 1 vit.
Këtij vendimi i nënshtrohen edhe asgjësimi dhe shkatërrimi i informacionit të klasifikuar të NATO-s, I cili bëhet në përputhje me politikën e sigurisë së NATO-s dhe me direktivat mbështetëse të saj, ndërsa asgjësimi dhe shkatërrimi i informacionit të klasifikuar të shteteve apo organizatave të tjera ndërkombëtare bëhet në përputhje me marrëveshjet, për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar, të shkëmbyer, ose pas miratimit paraprak prej tyre.


Leave a Comment

%d bloggers like this: