Në prag të shpalljes së kuotave të mbetura bosh në universitete pas mbylljes së fazës së parë të regjistrimeve, nga të dhënat paraprake mësohet se janë rreth 5 mijë vende të lira që do të plotësohen në raundin e dytë të pranimeve nëpërmjet Formularit A3. Sipas të dhënave nga MASH, deri mesditën e djeshme janë regjistruar 21 mijë maturantë fitues, ndërkohë që kuota e miratuar për kandidatët brenda vendit është 26307 studentë të rinj. Nga këta kandidatë, 2500 janë ata që kanë zgjedhur universitetet e huaja për studimet e larta. Ndërsa pjesa tjetër, rreth 3500 maturantë fitues rrezikojnë universitetin nëse nuk kryejnë regjistrimin brenda afatit. Në fakt, në këtë grup maturantësh bëjnë pjesë edhe mjaft të rinj, të cilët për shkak se nuk kanë fituar në degën e preferuar, vendosin t’i ndjekin studimet në universitetet jopublike në programin që dëshirojnë dhe për këtë arsye nuk kryejnë as regjistrimin. Po kështu, mjaft kuota mbeten të paplotësuara që në fazën e pare, pasi nuk përzgjidhen nga maturantët gjatë plotësimit të Formularit A2. Më së shumti, këtu bëhet fjalë për disa degë në universitetet e rretheve që nuk janë të preferuara nga të rinjtë. Sipas vendimit të miratuar nga qeveria dhe MASH, kuotat që mbeten të parealizuara rishpërndahen nga MASH në bazë të propozimeve të universiteteve, vetëm për ato programe studimi ku nuk cenohet parimi i “Meritës”. “Shpërndarja e kuotave realizohet nëpërmjet plotësimit të Formularit të ri të aplikimit A3 (raundi i dytë) sipas preferencave të kandidatëve. Kanë të drejtë të plotësojnë Formularin A3 të gjithë kandidatët të cilat kanë aplikuar me Formularin A2 dhe nuk figurojnë të regjistruar në asnjë program studimi edhe pas mbylljes së fazës përfundimtare të regjistrimeve”, – thuhet në vendim. Në apelin e fundit për t’u regjistruar, drejtoresha e Arsimit të Lartë në Ministrinë e Arsimit, Edlira Late tha se një pjesë e maturantëve do të mund të futen në universitet duke plotësuar Formularin A3 për vendet bosh. Gjithashtu, drejtues të arsimit sqarojnë fituesit se gjatë regjistrimit dhe hapësirave boshe mund të bëhen spostimet përkatëse drejt preferencave më te larta, por në asnjë mënyrë sipas MASH, fituesit nuk çregjistrohen automatikisht atje ku kanë fituar për herë të parë. Kjo do të ndodhë vetëm nëse ata duan të vazhdojnë garën. Nga ana tjetër, drejtori i Pranimeve në AKP, Arben Fagu deklaron se studentët e kanë të sigurt preferencën në të cilën janë shpallur fitues, edhe pse mund të garojnë për një preferencë më të lartë. Me mbylljen e regjistrimeve paraprake në orën 24:00 të mbrëmjes së djeshme, do të merren edhe të dhënat për kuotat e mbetura të parealizuara në universitete. Mbi bazën e vendeve vakante nga faza e regjistrimit paraprak do të përpilohet edhe lista e fituesve përfundimtarë. Gjatë këtyre ditëve pritet që MASH të bëj publike edhe vendet bosh për fazën e dytë, ndërkohë që lista përfundimtare e fituesve do të shpallet më 1 tetor. Këtë vit, MASH ka vendosur që vendet bosh të plotësohen deri në datën 8 tetor kur nis viti i ri akademik, në mënyrë që studentët të mos e fillojnë me vonesa procesin mësimorë. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se cilat do të jenë afatet e aplikimit me Formularin A3. Një vit më parë, në universitetet publike rezultuan 3419 kuota bosh nga faza e parë, ku 1354 ishin kuota të papërzgjedhura nga të rinjtë në Formularin A2.

 

Kuotat dhe regjistrimet

26 307 kuota totale e miratuar nga qeveria

21 000 janë regjistruar deri dje në mesditë

3500 maturantë fitues nuk janë regjistruar

2500 maturantë kanë zgjedhur studimet jashtë

Vendet bosh

5000 vende të lira pritet të dalin në universitete

3419 kuota bosh rezultuan vjet nga faza e parë

1354 ishin kuota të papërzgjedhura në A2

Leave a Reply

© 2014 Peqini Online Shiko Lajme Ndeshje Filma Foto Video Shqip 2014 · Subscribe: RSS Twitter · Peqini Online designed by Shqiptari.net