Vdes Ramiz Alia, ish President i Republikës (VIDEO)

Ish-presidenti i Shqiperise, Ramiz Alia ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare. Ai ka vdekur mëngjesin e sotëm në spitalin e Senatoriumit në kryeqytet, pasi ka pësuar trombozë. Mësohet se Alia vuante prej kohësh nga trenboembolia pulmonare dhe për këtë arsye ai ishte shtruar disa herë në reanimacion.

Ish presidenti-Ramiz Alia lindi më 18 tetor 1925 në Shkodër. Ai u diplomua në shkollën e Partisë në Moskë (1954). Alia është një nga figurat më të rëndësishme të Partisë së Punës së Shqipërisë, i cili udhëhoqi Shqipërinë mes viteve 1984 – 1990. Gjatë kësaj periudhe Ramiz Alia ka kryer detyra të larta në drejtim të PPSH-së, rrjedhimisht edhe të shtetit shqiptar.
Detyrat më të rëndësishme kanë qenë: Sekretar i Parë i KQBRPSH (1949-1955), Minister i Arsimit dhe Kulturës (1955-1958), anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i KQ PPSH-së për ideologjinë (1961-1985), deputet, Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (1982-1990), Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së (1985-1991) dhe kryetar i Këshillit Presidencial (1991).

Pas zgjedhjeve të para shumëpartiake në Shqipëri të zhvilluara më 31 mars 1991, parlamenti i ri pluralist i dominuar nga deputetët e PPSH-së, më 30 prill 1991 me propozim të PPSH-së e zgjodhi Ramiz Alinë, President të Republikës. Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 22 marsit 1992 ku fitoi koalicioni i opozitës i udhëhequr nga Partia Demokratike, më 3 prill 1992 Alia dha dorëheqje nga posti i Presidentit.
a.k/NOA

Leave a Comment

%d bloggers like this: