Tymi, kompanitë ajrore humbasin 200 milion euro në ditë

Kaosi i flurimeve në Evropës është përshkallëzuar dje, duke shkaktuar pezullimin e plotë të fluturimeve në aeroporte të ndryshme. Në Britani, Gjermani, Austri, Itali, Maqedoni, Greqi, Kosovë, etj, nuk ka pasur asnjë fluturim, pasi situata e shkaktuar nga reja vullkanike nga shpërthimi i vullkanit në jug të Islandës ka qenë tejet e rënduar. Kompanitë e fluturimeve parashikojnë që kostoja financiare e këtij bllokimi të shkojë në miliarda euro humbje, ndërkohë që llogaritjet paraprake flasin për 200 milionë euro humbje në ditë. Sipas ekspertëve humbjet e kompanive ajrore i kalojnë ato të shkaktuara pas tragjedisë së 11 shtatorit. “Eurocontrol” njoftoi se hiri po zhvendoset në lindje dhe në juglindje të kontinentit. Mijëra udhëtarë kanë mbetur të bllokuar nëpër aeroportet e Evropës. Shumë prej tyre kanë zgjedhur trenat dhe tragetet për të shkuar në destinacion.
Bllokimet
Tymi vullkanik ka ndërprerë të gjitha fluturimet e parashikuara në aeroportet e ndryshme të Evropës. Britania e Madhe, Franca, Belgjika vendet skandinave kanë paralizuar fluturimet, duke mos lënë të niset asnjë avion në ajër. Vetëm në aeroportin e Athinës deri në orët e mesditës u anuluan 135 fluturime në drejtim të aeroporteve të Anglisë, Francës, Gjermanisë, Danimarkës, Norvegjisë, Suedisë, Belgjikës, Holandës, Çekisë, Austrisë, Hungarisë, Zvicrës, Rumanisë, Letonisë dhe Sllovenisë. Po ashtu të paralizuara kanë qenë fluturimet edhe në Itali, ku janë pezulluar më shumë se 200 fluturime, Maqedoni dhe Kosovë ku janë anuluar kategorikisht të gjitha udhëtimet.
Situata
Zyrtarët e kontrollit të trafikut ajror thanë se rreth 16 mijë fluturime në hapësirën ajrore evropiane, u anuluan për shkak të hirit që vazhdon të dalë nga vullkani në Islandë. Gjithsej ishin parashikuar 22 mijë udhëtime. Reja e hirit është krijuar të mërkurën pas shpërthimit të një vullkani që gjendej nën një akullnajë në jug të Islandës. Më shumë se 800 njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në atë zonë, pasi u raportua se akullnaja po shkrinte. Gjeologët në Islandë thonë se nuk ka shenja të uljes së aktivitetit vullkanik, dhe se mund të zgjasë për disa ditë. Shoqëritë e huaja të fluturimeve këshillojnë pasagjerët që kanë planifikuar të udhëtojnë këto ditë, të informohen më parë pranë zyrave të tyre para se të mbërrijnë në aeroporte, ndërsa askush nuk jep një përgjigje të saktë, se kur mund të fillojnë të kryhen fluturimet drejt vendeve evropiane, sidomos drejt veriut, por tashmë ka rezerva edhe për vendet e Evropës Jugore, përderisa hiri vullkanik po drejtohet në këtë zonë.

Bllokohen fluturimet në Itali
Italia ka bllokuar dje të gjitha fluturimet deri në mbrëmje për shkak të pa stabilizimit të situatës nga tymi që krijoi shpërthimi i vullkanit gjigand në Islandë. Bllokimi i linjave ajrore ishte parashikuar deri në orën 14:00 të ditës së djeshme, por për shkak të mospërmirësimit të situatës, bllokimi do të vijojë deri në orën 20:00 të mbrëmjes dhe nuk dihet ende nëse do të shtyhet për më shumë orari i bllokimit. Në aeroportin e “Malpensas” janë pezulluar më shumë se 200 udhëtime. Por edhe aeroportet e Romës, “Fiumicino” dhe “Ciampino” kanë pezulluar disa fluturime, që shkonin drejt veriut të Evropës, si dhe drejt qyteteve veriore të Italisë.

Anulohen udhëtimet në Greqi
Vetëm në aeroportin e Athinës deri në orët e mesditës u anuluan 135 fluturime në drejtim të aeroporteve të Anglisë, Francës, Gjermanisë, Danimarkës, Norvegjisë, Suedisë, Belgjikës, Holandës, Çekisë, Austrisë, Hungarisë, Zvicrës, Rumanisë, Letonisë dhe Sllovenisë. E njëjta pamje mbizotëron edhe në aeroportin “Maqedonia” të Selanikut ku mbi 4 mijë pasagjerë kanë qysh ditën e enjte në mbrëmje që nuk mund të fluturojnë drejt destinacioneve të tyre. Gjatë dy ditëve janë anuluar më shumë se 20 fluturime drejt Gjermanisë, Zvicrës, Londrës, Vjenës dhe Budapestit. Shoqëritë greke dhe të huaja të fluturimeve këshillojnë pasagjerët që kanë planifikuar të udhëtojnë këto ditë, të informohen më parë pranë zyrave të tyre para se të mbërrijnë në aeroporte.

Shkupi anulon të gjitha udhëtimet
Kaosi i trafikut ajror për shkak të reve të hirit vullkanik i prodhuar nga shpërthimi i vullkanit në jug të Islandës, tanimë ka prekur edhe Maqedoninë. Nga aeroportet Shkupit dhe Ohrit, dje janë anuluar të gjitha fluturimet. Drejtuesit e Aeroportit “Aleksandri i Madh” njoftojnë se përjashtim do të bëjë vetëm fluturimi në drejtim të Stambollit. Fluturimet tjera nga aeroporti i Shkupit në drejtim të Budapestit, Cyrihut, Vjenës, Lubjanës, Podgoricës dhe Dyseldorfit janë anuluar. Gjithashtu mësohet se është anuluar edhe fluturimi i vetëm, i cili ishte parashikuar për ditën e djeshme nga Aeroporti i Ohrit në linjën Ohër-Cyrih.

Prishtinë, anulohen të gjitha fluturimet
Zyrtarë të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës kanë bërë të ditur se të gjitha fluturimet e parashikuara për ditën e shtunë, janë anuluar, si pasojë e reve të hirit vullkanik, të shkaktuara nga një vullkan në Islandë. Drejtori i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Agron Mustafa, ka thënë për radion “Evropa e Lirë” se pas mbylljes së aeroporteve në shtetet, ku ishin paraparë fluturimet për të shtunën, si Zvicra,Gjermania, Sllovenia etj, janë anuluar për shkak se aeroportet e tyre nuk janë në funksion.Edhe zëdhënësi i këtij aeroporti Altin Ahmetin tha për mediat kosovare se janë realizuar vetëm dy fluturime pasi shumica e aeroporteve në vendet evropiane janë mbyllur dhe ende nuk dihet se kur do të zhbllokohet kjo gjendje.
Tiranaobserver

Leave a Comment

%d bloggers like this: