Trekendeshi Bollano-Berisha-Rama

Gjendja e sotme në Himarë dhe fshatrat e tjerë të Bregut të Detit është shumë larg, jo vetëm dëshirave të pushuesve, por edhe mundësive që ka kjo njësi e qeverisjes vendore. Me të ardhura jo të vogla për shkak të një turizmi që lulëzon çdo vit në mënyrë thuajse spontane, Bashkia e Himarës ka shumë alternativa të papërdorura për të ofruar qytete dhe fshatra të pranueshëm për të pushuar. Duhet mbajtur parasysh se bashkia e drejtuar nga Bollano ka nën administrim pothuajse të gjitha qendrat e banuara nga Palasa deri në Qeparo, duke përfshirë brenda saj sigurisht Himarën dhe Dhërmiun. Por në këto plazhe, çdo pushues mund të konstatojë se administrimi bashkiak ndihet pak ose aspak, plehrat janë të pranishme dhe rrugët janë të pashtruara. Një angazhim qeveritar për të përmirësuar infrastrukturën rrugore kombëtare nuk mund të shërbejë si alibi për kryebashkiakun e Himarës. Aq më pak mund të mburret Bollano me faktin se deti Jon ofron një bukuri dhe bregdet të mrekullueshëm. Në rast se duhet të shqyrtojmë koniunkturat politike që mund të çojnë në rizgjedhjen e Vasil Bollanos, atëherë gjejmë një ngërç të fortë te dy liderët kryesorë, Sali Berisha dhe Edi Rama. Për kujtesë vlen të përmendim se Vasil Bollano nuk ka nguruar të lëshojë provokime sistematike ndaj opinionit publik, politikës dhe shtetit shqiptar. Edhe si drejtues i shoqatës “Omonia”, Bollano është ngulitur në mendjen e shqiptarëve si njeriu që paralelizon çështjen e Kosovës me atë të minoritetit grek, që flet për vetëvendosje dhe tenton ta vendosë Himarën në hartën e tij të pakicës etnike greke. Të kujtosh se Bollano është i njëjti individ që merret me tabelat e qarkullimit rrugor dhe emrat në greqisht të pronarëve të hoteleve në Himarë, duket diçka krejt e papeshë. Por nëse profili i kryebashkiakut problematik është i qartë, shumë më të paqartë shfaqen në këtë drejtim Kryeministri Berisha dhe kryeopozitari Rama. Shefi i qeverisë, në mënyrë të vazhdueshme, ka lëshuar terren ndaj Vasil Bollanos dhe politikës që ai përfaqëson. Duke konfirmuar inferioritetin ndaj trajtimit të çështjeve që lidhen me Greqinë apo sjelljen e drejtuesve të minoritetit grek në Shqipëri, qeveria e ka lënë fushën e zbrazur. Ekzekutivi i Berishës u dha mundësinë grekëve të mbyllin në favor të tyre çështjen e shumëdiskutuar të varrezave të ushtarëve, realizoi hapjen e një shkolle greke në Himarë dhe firmosi një pakt për ndarjen e kufirit detar, që cenonte interesat shqiptare. Të gjitha këto janë shoqëruar me provokime publike të Vasil Bollanos ndaj Kushtetutës dhe rendit kushtetues, por përgjigjja e Berishës ka qenë vetëm një buzëqeshje në raste inaugurimesh. Berisha i ka përdorur gërshërët për të prerë shirita në Himarë, kur në fakt si Kryeministër duhej t’i përdorte “për t’u prerë gjuhën” provokuesve të rendit kushtetues dhe tërësisë territoriale. Në krahun tjetër shfaqet Edi Rama, që në rolin e kryetarit të Partisë Socialiste denoncoi paktin detar Shqipëri-Greqi. Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë ankesës së socialistëve, duke shtuar një problem në marrëdhëniet Tiranë-Athinë. Por problemi nuk mbeti vetëm ndërqeveritar, ndërsa kundërshtimi i PS ndaj paktit detar duket të ketë cenuar edhe linjën e komunikimit mes Edi Ramës dhe Jorgos Papandreut, kryeministrit aktual helen. Dikur një mik dhe bashkëpunëtor i afërt i socialistëve shqiptarë, Papandreu është tashmë shumë larg miqësisë së dikurshme me Edi Ramën. Mbështetja e munguar publike për betejat e mëdha të opozitës shqiptare në skenën ndërkombëtare është një shenjë domethënëse në këtë drejtim. Për këto arsye, socialistët kanë “një borxh për të larë” ndaj Athinës dhe zgjedhjet e ardhshme vendore mund të jenë rasti më i mirë për t’u kërkuar favorin. E ndodhur edhe në koalicion me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, të drejtuar nga Vangjel Dule, PS-ja ka shumë pak hapësirë të refuzojë një rikandidim të Vasil Bollanos. Kur ndodhemi vetëm 75 ditë larg zgjedhjeve të ardhshme vendore, politika dhe liderët e saj do ta kenë të pamundur të shqyrtojnë me qetësi dhe kthjelltësi atë çfarë po ndodh dhe çfarë duhet të ndodhë me Himarën. Klima e ngarkuar politike prej qershorit 2009, e mbarsur edhe me ngjarjet e 21 janarit 2011, nuk mund të shërbejë si një justifikim për vendimmarrësit. Pamundësia për të marrë sot një vendim të fortë politik kundër një individi dhe një politike qartësisht antishqiptare ngjan me një status të kërkuar dhe të dëshiruar prej vitesh për të mos mbajtur në dorë një “patate” që përvëlon. Këtij përvëlimi duan t’i qëndrojnë larg, si Berisha, ashtu dhe Rama.

Leave a Comment

%d bloggers like this: