Topi lë në heshtje shembjen e piramidës

TIRANE- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nuk firmosi ligjin e maxhorancës për shembjen e Piramidës, duke e kaluar në heshtje. Ky ligj, i kundërshtuar nga opozita, ka hyrë tashmë në fuqi sipas dispozitave të Kushtetutës, e cila i lë kohë Presidentit vetëm 20 ditë nga ardhja nga Parlamenti për ta firmuar. Nëse kreu i shtetit nuk e firmos, ateherë ai hyn automatikisht në fuqi, siç ndodhi me ligjin për Piramidën. Ky ligj kishte datën 3 gusht si afat përfundimtar për firmë nga Presidenti, por ai nuk u firmos, duke e çuar atë në Fletoren Zyrtare. Por ligji për Piramidën nuk është i vetmi që Presidenti ka ngurruar ta firmosë, pasi edhe mjaft ligje në të kaluarën, kreu i shtetit i ka kaluar në heshtje. Nga ana tjetër mësohet se kreu i shtetit ka tashmë në tryezë një tjetër emër nga Kryeministri Sali Berisha, që ka të bëjë me shefin e Shtabit të Ushtrisë. Kryeministri i dërgoi një propozim Presidentit Topi pak ditë më parë, duke kërkuar lirim nga detyra të shefit aktual të Shtabit, Maksim Malaj, e duke kërkuar që në vend të tij të emërohet gjeneral brigade, Xhemal Gjunkshi. Ky propozim duhet të kalojë me miratimin e Presidentit, i cili duhet të firmosë shkarkimin dhe emërimin. Por ende kreu i shtetit nuk ka vendosur se ç’do të bëjë me këtë dekret, ndërsa Kushtetuta nuk i vendos atij asnjë afat. Nëse për ligjet ka një afat 20-ditor, për emërimin e shefit të Shtabit nuk ka asnjë afat. Sipas dispozitave të Kushtetutës, kjo formë nënkupton që Kryeministri dhe Presidentit duhet të jetë të dy dakord për të bërë një emërim të tillë, në të kundërt, kreu i shtetit mund të mos e firmosë dekretin, duke lënë në fuqi shefin aktual të Forcave të Armatosura deri në emërimin e zëvendësit të tij. Ende nuk bëhet e ditur nëse kreu i shtetit do ta miratojë këtë emërim, por për momentin mësohet se Presidenti nuk po e firmos propozimin e ardhur nga Kryeministri Sali Berisha. Maksim Malaj drejton Forcat e Armatosur prej tri vitesh.

Panorama ONLINE

Leave a Comment

%d bloggers like this: