Tiranes i kthehen dy “ikona” te futbollit tonë

Dy ish-futbollistët e dalluar të kombëtares, Devi Muka dhe Alban Bushi, dje janë prezantuar nga Starova

Duket se në orët e fundit të merkatos bardheblutë kanë mbyllur tratativat me dy rikthime të bujshme, si Devi Mukën dhe Alban Bushi. Muka muajt e fundit ishte bërë një çështje dhe nuk pranohej që të rikthehej në ekip nga shefi i klubit, Dimraj, pasi i kishte mbaruar kontrata. Mirëpo duket se Rauf Dimraj dje është dorëzuar dhe mes drejtuesve dhe lojtarit është gjetur konsensusi.

Muka ka dalë në stërvitje pasdite, madje së bashku me Alban Bushin dje janë vënë nën urdhrat e trajnerit të Tiranës, Sulejman Starova. “Bobi” me dy prurjet e fundit duket se ndihet akoma më i qetë kur bëhet fjalë për dy lojtarë të dalluar, që i ka zili t’i ketë në gjirin e vet çdo skuadër e kampionatit tonë, pasi vlerat e tyre njihen nga të gjithë.

Muka: Këtu jam si në familjen time
Devi Muka ka mbërritur pak minuta më vonë para Bushit. Ashtu i qeshur, pasi është përqafuar me të gjithë, drejtues e lojtarë, është zhveshur dhe ka filluar të stërvitet. Muka është i bindur se Tirana edhe këtë sezon do të jetë e fortë ashtu si çdo sezon, pavarësisht se në dy javët e para të kampionatit ka marrë vetëm një pikë. Në prononcimin për “Sportin shqiptar”, Devi Muka në ditën e parë të stërvitjes me bardheblutë ka pohuar:

“Tirana ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë shtëpia ime. Unë kam dhënë shumë për këtë skuadër dhe derisa të kem fuqi do të jap kontributin tim për këtë ekip në realizimin e objektivave. Për sa u përket marrëdhënieve me Dimraj nuk është momenti për të folur”. Ndërkohë, Devi Muka, pohon se tifozët e skuadrës së Tiranës kanë për të parë një ekip me ambicie këtë sezon që do të luftojë për të dy trofetë:

“E kam ndjekur ecurinë e Tiranës edhe pse kam qenë larg saj, duke filluar që nga Europa e deri më tani, mendoj se emri i kësaj skuadra nuk venitet kollaj. Mendoj se me rikthimin e Bushit, një lojtar me eksperiencë, Tirana ka për t’u forcuar akoma më tepër,”- e mbylli prononcimin e tij Devi Muka.

Bushi: Tirana më bëri të famshëm
Alban Bushi duket se ka zgjedhur ekipin ku u lind dhe u formua si futbollist, Tiranën. Dje, ndihej i lumtur, madje duke biseduar me trajnerin Starova kujtonte me nostalgji vitet kur filloi karrierën te bardheblutë. Alban Bushi tregon edhe detajet se pse zgjodhi të rikthehej në shtëpi: “Unë kam lindur te ky klub, u afirmova dhe mora emër madje më ka bërë të ndihem krenar mua dhe familjen time.

E ndieja si detyrim thjesht për ta mbyllur dhe jo për të bërë karrierë te Tirana, duke e ndihmuar këtë sezon në arritjen e objektivave që ka kjo skuadër me eksperiencën në ndeshjet kombëtare dhe ndërkombëtare që unë kam,” – pohoi fillimisht sulmuesi Alban Bushi. Ish-sulmuesi i kuqezinjve ka pasur oferta edhe nga ekipe të huaja, megjithatë zgjodhi Tiranën sepse ndihej borxhli moralisht te ekipi mëmë.

“Jam rikthyer këtu bashkë me Mukën vetëm për Tiranën, edhe pse e di që është një nga kampionatet më të dobëta të botës, kushtet këtu janë mizerabël, edhe pse fushat po rikonstruktohen ka rënë dukshëm niveli i lojtarëve. Nuk bëhet fjalë as për ndonjë përfitim financiar, unë dua Tiranën, vetëm kaq.”



http://www.sportishqiptar.com.al/tiranes-i-kthehen-dy-ikona-te-futbollit-tone/

Leave a Comment

%d bloggers like this: