Tirana nxjerr me “ftohje” të rëndë Besën

Kryeqytetasit dominojnë në të gjitha drejtimet, duke treguar se kavajasit kanë shumë për të bërë para nisjes së sezonit 

 

Nga Feriz Ferizaj

 

Besa – Tirana  0-3

 

Shënues: Heple 42’, 43’, Bala 63’

 

Besa: Bakaj, Hoxha, Krasniqi, Shameti, Peqini, Çaço, Duka, Poçi, Shtini, Hasa, Dushku. U aktivizuan edhe Guma, Roshi, Çelhaka, Kule, Dedej, Rakipi dhe Perje. Trajner: G. Magani.

 

Tirana: Lika, Taku, Pashaj, Dabulla, Kalari, G:Lika, Situma, Tushe, Sorra, Morina, Haple. Në pjesën e dytë u aktivizuan edhe Vashkaku, Sina, Pisha, Dushku, Ahmataj, Kërciku, Muca, Ferraj, Bala, Etogo dhe Al Ajmi. Trajner: H. Rubio.

 

Besa ka zhvilluar dje miqësoren e saj të tretë dhe këtë radhë përballë kishte Tiranën. Gjithçka ka folur për miqtë nga Tirana, edhe pse Besa kishte në fushë disa nga futbollistët me përvojë të saj siç janë portieri Bakaj, Poçi, Shameti, Hoxha, etj.

Pjesa e parë e ndeshjes është dominuar nga Tirana, falë eksperiencës së lojtarëve të tillë si Lika, Dabulla dhe G.Lika, por ai që spikati ishte Heple, autori i dy golave. Ky lojtar tregoi vlera në driblim, goditje dhe përgatitje fizike, duke bërë diferencën në fushë. Besë rezistoi në fakt 42 minuta, por në fundin e pjesës së parë pësoi dy gola brenda dy minutash.

 

Pjesa e dytë – Në fraksionin e dytë, trajneri spanjoll i Tiranës, Hulio Rubio, hodhi në fushë një formacion krejt të ri, duke aktivizuar midis të tjerëve Pishën, Dushkun, Ahmatajn, Balën, dhe dy të huajt Etogo dhe Al Ajmi.

Ndërsa trajneri Gugash Magani bëri ndërrimet e momentit, duke futur në lojë portierin Guma, Roshin, Çelhakën dhe më pas Kulen, Dedejn, Rakipin, Perjen dhe një futbollist që ri. Edhe në këtë pjesë miqtë dominuan, duke shënuar edhe një gol me Balën në minutën e 63-të.

Ndryshe nga pjesa e parë, Besa nuk mundi të rrezikonte asnjëherë në portën e Vashakut. Tirana tregoi vlera me të dy formacionet që hodhi në fushë, ndërkohë që fjalë të tjera mund të thuhen për Besën. Ishte një ekip, me përjashtim të Poçit dhe Shametit, ku të gjithë lojtarët e tjerë nuk treguan asgjë.

 

Sulm i dobët – Reparti më i dobët ishte sulmi për vetë faktin se sulmuesit nuk arritën ta rrezikonin asnjëherë Likën dhe Vashakun. Por jo më mirë u paraqit mbrojtja dhe mesfusha. Pra, Tirana i bëri një “skaner” Besës, duke e nxjerrë atë me “ftohje” të rëndë.

Kjo Besë që u pa kundër Tiranës, edhe pse duhet pranuar se janë lojtarë të pastërvitur bashkë dhe pa përvojë, pati shumë mangësi. Kjo ishte miqësorja e fundit që Besa zhvilloi, sepse të hënën nis faza përgatitore dhe prezantohet ekipi i ri i këtij sezoni.

 

 

Magani: Jam i pakënaqur nga loja

 

Trajneri peqinas i Besës u pa tejet i mërzitur pas takimit, duke deklaruar se ky ekip ka shumë nevojë të korrigjohet: “Jam i pakënaqur nga të gjitha repartet dhe kjo që pashë nxjerr përpara nesh një detyrë mjaft të vështirë. Ky kontigjent ndoshta ka nevojë të plotësohet edhe me 2-3 blerje lojtarësh me përvojë.”

 

Rubio: Kjo Tiranë po më bind

 

Ndërsa trajneri i Tiranës, Rubio, u shpreh mjaft i kënaqur nga loja e të dy grupeve, si në pjesën e parë, ashtu dhe në të dytën: “Më pëlqeu grinta dhe dëshira për lojë e të dy grupeve. Më vjen mirë që lojtarët e rinj po tregojnë vlera dhe se kjo do të rrisë konkurrencën në ekip. Ndryshe nga paraqitjet në Europë, kjo Tirana e sotme më ka bindur.”

 

Sporti Shqiptar Online

Leave a Comment

%d bloggers like this: