Tirana, 90-vjetor nostalgjik bardheblu

Dje, pasdite në stadiumin “Selman Stërmasi” 24 herë kampionët kanë festuar me tifozët dhe veteranët

Dita e djeshme ka përkuar edhe me 90-vjetorin e themelimit të skuadrës më të madhe dhe me më shumë tituj në vend, Tiranës, ose siç quhet ndryshe “Zonja” e futbollit shqiptar. Natyrisht që për të gjithë ata që janë tifozë të kësaj skuadra, brenda dhe jashtë vendit kjo ditë ka qenë tepër e veçantë dhe me shumë emocione. Ceremonia festive e organizuar nga klubi bardheblu dhe shefi i klubit, Rauf Dimraj dhe tifo grupi “Fanatiks”, që kishte më shumë se një muaj që ideohej, dje është konkretizuar me sukses.

Dita e djeshme është kthyer në festë dhe qysh në mëngjes ambjentet e klubit janë stolisur ma flamuj e banderola bardheblu. Por ceremonia në të vërtetë ka filluar në orën 17:00, kur në ambjentet e klubit kanë filluar të vijnë ish-futbollistë apo ish-trajnerë, por edhe qindra tifozë me flamuj dhe shalle. Sapo hyje në hollin e stadiumit “Selman Stërmasi” të rikonstruktuar tërësisht, binte në sy muzeu, aty ku ishin vendosur trofetë, por edhe fotot e ish-futbollistëve apo edhe ato më të veçantat, kur skuadra bardheblu shpallej kampione apo fitonte Kupën e Shqipërisë.

Nuk mungonin në panorama të vogla të varura në mur edhe historiku i krijimit të klubit, që si pa e kuptuar dje bëri plot 90-vjeç. Ndërkohë që lojtarët veteranë dhe ata aktualë mbërrijnë, sapo ora shënon 19:00 në stadium vjen edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, që zë vënd në tribunë. Po ashtu nuk munguan edhe bashkëshortja e të madhit Selman Stërmasi, znj. Nezihat Stërmasi së bashku me të bijën Nejmanin. “Jam shumë e emocionuar që ndodhem këtu mes jush.

Shumë faleminderit dhe i uroj suksese ekipit të Tiranës”, – ishin këto fjalët e pakta që tha znj.Nezihat Stërmasi. Ceremonia fillon me Himnin Kombëtar, por edhe një minutë heshtje për të gjithë figurat e klubit bardheblu që nuk jetojnë më. Më pas është zhvilluar edhe një ndeshje mes veteranëve të ekipit të Tiranës dhe skuadrës aktuale. Festa e 90-vjetorit ka zgjatur deri në orët e vona të mbrëmjes, ku nën tingujt e muzikës dhe me nga një birrë në dorë, tifozët bardheblu kanë festuar deri afër orës 22:00.
Kush është FK “Tirana”

Ekipi i Tiranës është themeluar më 15 gusht të vitit 1920. Emri i parë ka qenë Sport Klub Tirana, deri në vitin 1946. Më pas u quajt Puna e Tiranës dhe 17 Nëntori deri në vitin 1991. Prej andej e deri më sot mban emrin Tirana. Bardheblutë kanë fituar më shumë tituj nga çdo skuadër tjetër e kampionatit, plot 24 herë kampionë. Kanë fituar edhe 13 Kupa Shqipërie dhe 8 herë Superkupën.

Selia e klubit ndodhet pranë stadiumit “Selman Stërmasi”. KF “Tirana” është një klub me një histori për t’u admiruar, pasi nga gjiri i vet ka nxjerrë shumë lojtarë të dalluar si: Selman Stërmasi, Enver Shehu, Nuri Bylyku, Skënder Halili, Fatmir Frashëri, Arben Minga, Millan Baçi, Agustin Kola, Indrit Fortuzi e shumë të tjerë.

Ata bën famë jo vetëm në radhët e kryeqytetasve por edhe me fanellën e përfaqësueses, madje disa prej tyre patën fatin që të luajnë edhe jashtë vendit. Që nga koha e themelimit e deri më sot, skuadra bardheblu ka patur plot 13 presidentë. Duhet theksur se egjiptiani, El Sayed ka qenë presidenti i parë i huaj që ka financuar për plot 5 vite bardheblutë, madje arriti që të fitonte 3 tituj kampionë 2 Kupa Shqipëri dhe 3 Superkupa.



http://www.sportishqiptar.com.al/tirana-90-vjetor-mes-festes-dhe-nostalgjise/

Leave a Comment

%d bloggers like this: