Ndodhemi në fshatin Vasiliki të Trikalas, rreth 350 kilometër në veriperëndim të Athinës, pranë shkëmbinjve të famshëm të Meteoras.
[pro-player width=’430′ height=’353′ type=’video’]http://video1.top-channel.tv/18754796/flv/kronika/thesari_pasha.flv[/pro-player]
Ka dy ditë që një 65 vjeçar grekoaustralian ka filluar gërmimet me lejen e organeve greke, për të zbuluar në bazë të miteve që janë trashëguar brez pas brezi, thesarin e fshehur dhe të pagjetur të Ali Pashë Tepelenës, duke shpresuar të bëhet një Kont i Monte Kristos modern, apo ashtu siç e quajnë vendasit, një Indiana Xhons i ditëve të sotme.

Ethet e arit në fshatin Vasiliki, që ka marrë emrin e gruas së Pashait legjendar nga Tepelena, kanë filluar qysh para disa muajsh kur Vangjelis Dhimas, një kërkues i hershëm i thesareve, ka mbërritur nga Australia e largët dhe me një hartë dhe një dokument tepër të rëndësishëm historik dhe planimetrik që ka paraqitur pranë bashkisë së komunës, ka mundur t’i bindë organet vendore se më shumë se 30 tonë ar, në monedha dhe bizhuteri, me një vlerë kolosale, ndodhen të fshehura rreth 35 metra nën tokë.

“Megjithëse e di për sa bëhet fjalë përafërsisht, nuk mund t’ua them, por është një sasi tepër e madhe. Nuk e di nëse do të shpëtojë Greqia apo jo, por me siguri do të ndihmojë shumë, jashtë mase”, shprehet Vangjelis Dhimas, kërkues i thesarit.

Kërkuesi grekoaustralian që foli ekskluzivisht për Top Channel përshkroi edhe fazën në të cilën ndodheshin punimet.

“Jemi në një fazë ku po kryejmë një shpim, që të zbresim atje ku unë besoj se gjendet thesari dhe të bëjmë një xhirim me kamera. Më pas do të shkojmë në një fazë të dytë, një sistem i ashtuquajtur ‘ri-fi-fi’, i ngjashëm me atë që u përdor në Kili”, thotë Vangjelis Dhimas.

Sipas banorëve, Ali Pashai zgjodhi pikërisht fshatin ku banonte gruaja e tij, zonja Vasiliki për arsye se nga ky vend kalonin karvanet me taksat e zonës së Thesalisë drejt Janinës.

Nese thesari ekziston, atëherë sipas ligjeve greke, 50% e vlerës së tij i kalon shtetit, 11% do të ndajnë komuna e fshatit dhe banorët, ndërsa pjesën tjetër do e marrë kërkuesi. Vendasit janë sa mosbesues, aq edhe optimistë.

“Siç na thotë ai, ka shpresa të mëdha se 100% do të gjendet”, pohon një banor i zonës.

“Besojmë se ekziston. Na ka bërë kaq optimistë sa të gjithë shpresojmë”, shprehet Dhimitris Basaras, nëpunës i komunës.

“Ishalla ekzsiton dhe të shpëtojë fshati Vasiliki, të shpëtojë Jorgos Papandreu, të rritet ekonomia, të shpëtojnë njerëzit”, thekson një tjetër banor.

Ali Pashë Tepelena, themeluesi i Pashallëkut autonom të Janinës, është i njohur në Greqi si njeriu që tregoi pak përpara se të fillonte revolucioni grek, se Porta e Lartë mund të luftohej.

Megjithëse ai u vra në 1822 si kundërshtar i saj, mediat turke pretendojnë se në rast se do të zbulohet thesari, Ankaraja do kërkojë një pjesë të madhe të tij, përderisa bëhet fjalë për haraçet e kohës së Perandorisë Osmane.

Por këto publikime të shtypit fqinj, nuk i shqetësojnë aspak banorët vendas, që tashmë para se të bien të flenë nuk urojnë më njeri-tjetrin “gjumë të ëmbël”, por “gjumë të florinjtë!”.

Leave a Reply

© 2014 Peqini Online Shiko Lajme Ndeshje Filma Foto Video Shqip 2014 · Subscribe: RSS Twitter · Peqini Online designed by Shqiptari.net