“The Economist”: Shqipëria e padisiplinuar

“Bashkimi Europian duhet të pranojë vendet me ecurinë më të mirë nga Ballkani Perëndimor”.

Përmes një analize, revista prestigjoze britanike “The Economist” i referohet zhvillimeve të atyre vendeve të Ballkanit që aspirojnë të jenë pjesë e bllokut, duke përmendur edhe Shqipërinë.

“Nëse Kroacia, madje edhe Serbia bëhen pjesë e tij, politikanët e Bosnjes të përfshirë në konflikte do të kenë një detyrë të vështirë, për t’u shpjeguar zgjedhësve pse mbetën të braktisur, jashtë BE-së. E njëjta gjë është dhe për Shqipërinë e padisiplinuar”, shkruan “The Economist”, e cila vlerëson se vendi ynë, “pas disa vitesh progres, rrezikon t’i kthehet edhe njëherë gjendjes së pashpresë”.

Sipas revistës, dyshimet më të mëdha brenda Bashkimit Europian janë se vendet e ashtuquajtura “Jugosfere”, plus Shqipërinë, do të jenë si Rumania dhe Bullgaria, të pranuar para kohe, ku krimi i fshehtë dhe korrupsioni ende nuk janë zgjidhur.

Analiza në revistën prestigjoze vjen pas arrestimit të Ratko Mlladic, ish-gjeneralit serbo-boshnjak të akuzuar për krime lufte.

“Kur ai ishte në liri, Bashkimi Europian kishte një arsye të besueshme për t’i dredhuar anëtarësimit. Por tani, ndërsa ka përmbushur standarte të vështira për anëtarësim, Serbia duhet të pranohet”, shkruhan “The Economist”.

Kjo vlen edhe për kërkesat e ish-vendeve të Jugosllavisë, Bosnjës, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, por edhe Shqipërisë.

Një forcë për stabilitet në rajon është angazhimi i vazhdueshëm i Amerikës, shkruhet në analizë, që meriton vlerësim. Ndërsa një tjetër është perspektiva e anëtarësimit në BE.

“Deri tani vetëm Sllovenia nga ish-vendet e Jugosllavisë është pranuar në BE, në vitin 2004. Kroacia do të përfundojë bisedimet së shpejti dhe do t’i bashkohet bllokut në 2013-ën, Serbia me ecuri të mirë meriton statusin e kandidatit në dhjetor, vecanërisht nëse do të dëshmojë më shumë fleksibilitet për Kosovën”, shkruan revista britanike.

Një marrëveshje për të lejuar eksportet e Kosovës në Serbi do të kishte kuptim për të dy vendet, sipas “The Economist”.

Mali i Zi, tashmë një kandidat, ka shënuar progres, bisedimet zyrtare duhet të nisin këtë vit. Më shume duhet kërkuar nga Maqedonia, shkruan revista, që do të ketë zgjedhje në 5 qershor.

“Korrupsioni, papunësia dhe keqqeverisja janë përkeqësuar. Ajo rrezikon ta humbë statusin e vendit kandidat. E njëjta gjë mund t’i ndodhë Bosnjes, që vuan konfliktet dhe përplasjet mes politikanëve të saj”, vlerëson analiza.

“Ndaj, leksioni për BE-në, pasi pranoi Rumaninë dhe Bullgarinë, të cilësuar si anëtarët jo të përkryer të bllokut, nuk është të ndalojë zgjerimin, por të dallojë mes atyre vendeve që janë gati për anëtarësim dhe të tjerëve që nuk janë”, thuhet më tej në të.

Leave a Comment

%d bloggers like this: