Thaçi njofton arritjen e marrëveshjes për veriun

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë mbledhjes urgjente të Qeverisë së Kosovës, ka njoftuar kabinetin qeveritar se është arritur marrëveshje me palën serbe rreth pikave të propozuara nga Qeveria e vendit për krizën që ka kapluar veriun ditëve të fundit, njofton Zëri.

Siç ka mësuar “Zëri”, kryeministri Thaçi ka thënë se marrëveshja është arritur pas takimit që ai zhvilloi me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Erhard Buhler, të cilit ditën e enjte i kishte paraqitur 10 pikat, përmes së cilave qeveria e vendit do të pranonte marrëveshje për të qetësuar situatën në veri.

Paraprakisht, kushtet në fjalë janë harmonizuar mes Qeverisë së Kosovës, SHBA-së dhe BE-në dhe më pas ato i janë përcjellë palës serbe.

Në takimin e sotëm, përveç kryeministrit Thaçi dhe komandantin Buhler, të pranishëm ishin edhe Chritopher Dell e Fernando Gentilini.

Oferta e Prishtinës u është prezantuar palës serbe, e cila ka pranuar, megjithëse kishte kundërshtuar atë më parë.

Marrëveshja do të ketë garancinë e plotë ndërkombëtare, ndërsa do të jetë vlefshme së paku deri më 15 shtator të këtij viti, ndërsa palët marrin obligim për zbatimin e saj dhe angazhimin për të zgjidhur çdo marrëveshje me mirëbesim përmes mekanizmave të përshtatshme.

Marrëveshja përmban këto pika:

1. Parakushti: Hapja e bllokadave të rrugëve

2. Në parim mirëmbajtja e gjendjes së tashme në porta

3. KFOR-i është përgjegjës për portat

4. Në parim portat janë të mbyllura për arsye të sigurisë dhe janë zona të kufizuara ushtarake

5. Ndihma humanitare do të lejohet që të hyjë në Kosovë në makina deri në 3.5 tonë, në pika të caktuara kufitare pas një vlerësimi nga një organ i caktuar i pavarur ndërkombëtar që ekziston nevoja për ndihma humanitare

6. Mallrat për kishën ortodokse serbe lejohet të kalojnë

7. Çdo person dhe makinë do të kontrollohet për armatim

8. Çdo person do të kontrollohet për ID

9. Treni Beograd-Mitrovicë: kontrollohet nga EULEX dhe Policia e Kosovës, si dhe ndihmohet nga KFOR-i

10. KFOR-i do të kryej operacionet e kontrollit në vendkalimet e paautorizuara kufitare për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt.

Panorama ONLINE

Leave a Comment

%d bloggers like this: