Terror me armë në lokal, shkon në dy numri i viktimave. Pranga autorit

UPDATE- Shkon në dy numri i viktimave të ngjarjes së mbrëmshme në lokalin e lojrave të fatit në Korçë.

Pas të riut Mikel Tebeçiku, qe ndërroi jetë, pak pas ngjarjes, sot ka vdekur edhe 23-vjeçari Kastriot Hysa, i cili nuk mundi të shpëtonte dot nga plagët e marra.

Nderkaq, sipas burimeve policore, personi i arrestuar është shtetasi Erion Mukadezi, nga fshati Porodinë.

Ngjarja
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, rreth orës 19.30 në periferi të qytetit të Korçës, në lagjen 8 ose të njohur ndryshe si “Radanec”. Një person i armatosur me automatik, sipas të dhënave nga fshati Porodinë i Korçës, ka hyrë në lokalin e lojërave të fatit dhe ka zbrazur breshëritë e plumbave. Policia tha se janë plagosur pesë vetë që ishin brenda lokalit, por nga ana e atyre që ndodheshin brenda nuk ka pasur kundërpërgjigje me armë. Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spitalin e Korçës. Sipas të dhënave të para të policisë që iu referua bluzave të bardha, tre nga personat e qëlluar me armë automatike u paraqitën në gjendje më të rëndë. Ndërsa të afërmit e të plagosurve ngulmonin të mësonin fatin e tyre në spital, u mësua se humbi jetën një nga të plagosurit më rëndë. Mikel Tebeçiku, 22 vjeç nga qyteti i Korçës vdiq në spital nga plagët e rënda, pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë kirurgjikale.

Burime spitalore pas ngjarjes, bënë të ditur se në gjendje mjaft kritike për jetën paraqitej në spital edhe 23-vjeçari Kastriot Hyska, po nga qyteti i Korçës. Një tjetër i ri, gjithashtu është rëndë, ndërsa dy të tjerë, identiteti i të cilëve nuk u bë i ditur kanë qenë jashtë rrezikut për jetën. Policia e Korçës filloi menjëherë një operacion të gjerë për kapjen e autorëve, duke filluar kërkimet në të gjitha fshatrat përreth qytetit dhe sidomos në fshatin Porodinë ku banojnë të rinjtë që kryen përgjakjen masive në lokalin e lojërave të fatit. Policia u vu më shumë në kërkim të autorit kryesor të ngjarjes, ndërsa sipas të dhënave të para ka shoqëruar persona të dyshuar që kanë qenë me atë deri në afërsi të lokalit. Sipas hetimeve të para të policisë, disa të rinj kanë shkuar në lokalin e lojërave të fatit për t’u hakmarrë pas një zënke të çastit me grupin e të rinjve nga Korça, por vetëm njëri prej tyre i armatosur me automatik ka hyrë brenda dhe ka qëlluar.

Zënka ka filluar ndërsa një banor i fshatit Porodinë që është në moshë të re, po luante në kompjuter. I zemëruar sepse kishte humbur një shumë të madhe të hollash në lojë ai është kthyer nga një i ri korçar, banor i lagjes “Radanec” me shprehjen: “Ç’më shikon ashtu?”. Duke qenë se ndodhej në shoqërinë e disa të rinjve të tjerë të së njëjtës lagje, i riu korçar ka reaguar me fyerje ndaj të riut nga fshati Porodinë. Ky i fundit është ndier i pambrojtur dhe nuk ka matur forcat në atë moment duke parë se kishte përballë disa të rinj shokë midis tyre. Policia tha se personi që po luante në kompjuter, pas zënkës ka dalë nga lokali dhe ka thirrur në ndihmë të njohur të tij po nga fshati Porodinë. Dyshohet se pikërisht personi që filloi zënkën dhe kishte humbur shumat e parave në lojën me kompjuter, të ketë qëlluar i armatosur. Pasi ka qëlluar mbi grupin e të rinjve nga qyteti i Korçës, autori ka dalë me shpejtësi dhe është larguar me shokët e tij që i erdhën për ndihmë.

Gezim Ashimi

Leave a Comment

%d bloggers like this: