Temperaturat e larta, Bashkia kontrollon tregjet

Gjate inspektimit nga specialistet e Bashkise

Bashkia e Tiranës njoftoi sot se ka ushtruar kontrolle higjieno-sanitare, në tregjet e Tiranës, nisur nga temperaturat e larta dhe risqet që mund të hasin konsumatorët.

Inspektorët e Bashkisë lëshuan disa akt-kontrolle, morën mostra ushqimore për analizë dhe ndërgjegjësuan tregtarët dhe qytetarët, lidhur me masat që duhen marrë, për të shmangur infeksionet apo helmimet me prejardhje ushqimore.

Kontrolli dhe mbikqyrja u krye në tregjet e “Uzinës Dinamo” dhe tek tregu i prodhimit të mishit, pranë sheshit “Avni Rustemi”.

Inspektorët kanë kërkuar nga tregtarët, respektimin e kushteve higjieno-sanitare të ushqimeve, kryesisht atyre me bazë shtazore, si qumështi, mishi dhe peshku dhe kërkuan plotësimin e standarteve të zinxhirit ftohës të produkteve.

Inspektorët kanë shpërndarë gjithashtu edhe disa fletë-palosje në ndihmë të konsumatorit me informacion për gjërat më të rëndësishme, që duhet të kenë parasysh gjatë blerjes dhe konsumit të ushqimit në temperaturat e larta.

Panorama ONLINE

Leave a Comment

%d bloggers like this: