Televizion i ri, nga Alsat ne Albanian Screen,

Sigla e dikurshme Alsat është sigla e tashme dhe e ardhshme Albanian Screen. Përsipër kësaj ndërhyrjeje të jashtme qëndron edhe një operacion i brendshëm më i qenësishëm, që synon përmbysjen e imazhit deri diku të pangjyrë të Alsatit të dikurshëm, ku në programacion sundonte karuseli lajme-dokumentar-lajme-dokumentar-lajme. Mes kësaj hidheshin edhe emisione politike, kulturore a sportive, të cilat pavarësisht cilësisë (ose jo) harroheshin pikërisht për shkak se e përgjithshmja e Alsat-it ishte një shkurajim i cili në syrin e shikuesit të botës së televizionit nuk e toleron. Gjërat duket se po ndryshojnë dhe për një analogji amerikane Alsat-i është PBS, ndërsa Albanian Screen synon të bëhet CBS. Për t’i shpëtuar “grisë televizive”, përmbysja do të fillojë me zbatimin e një filozofie të re. Albanian Screen do të jetë një televizion gjeneralit, çka do të thotë se tehut informativ do t’i shtohen thepat e filmave, serialeve e emisioneve të ndryshme. Përpjekja e parë e suksesshme mund të konsiderohet seriali televiziv ‘Mad man’, një prodhim i Lionsgate, që transmetohet në Amerikë nga rrejti kabllor AMC dhe është aktualisht në sezonin e pestë. ‘Mad man’ i përket gjinisë së dramës dhe bazohet në botën e pamëshirshme të marketingut e reklamës në Amerikën e viteve ‘60. Seriali ka fituar 13 çmime Emmy dhe 4 Golen Globes dhe ka marrë për tre vjet rresht Emmy Award for Outstanding Drama Series, duke u bërë i pari i këtij zhanri që nderohet me këtë çmim. Eni Vasili, drejtore e përgjithshme e Albanian Screen, të prezanton edhe një radhë tjetër blerjesh, duke filluar me The Office, një tjetër hit komik dhe FlashForward, një prodhim i ABC. Ka edhe më shumë, një pjesë të të cilave znj. Vasili dëshiron t’i ruajë si surpriza, ndërsa të tjera i zbulon në intervistën e mëposhtme.

Alsat ka ndryshuar emrin dhe është tani Albanian Screen. Duket se ka

pasur përpjekje për të ruajtur një tingëllim të paktën të ngjashëm; a

është bërë kjo për të ruajtur deri diku imazhin e markës Alsat dhe

trashëgiminë që vjen me të?

Albanian screen sot nuk është aspak indiferent ndaj prejardhjes së vet. Tv Alsat është një memorie shumë e rëndësishme për këtë projekt të ri televiziv, që shërben jo vetëm si një database ku ruhet një eksperiencë e çmueshme për stafin, por edhe vlerësimi për çdo vlerë që Alsat ka motivuar në shoqërinë shqiptare. Por është e vërtetë gjithashtu që projekti Albanian Screen vjen në treg me pretendimin e fuqishëm për t’u bërë një markë e rëndësishme në listën e televizioneve më të ndjekura. Jam e lumtur të them që java e parë e transmetimeve tona ka qenë një sukses i pamohueshëm. Pas muaj të tërë përgatitjesh të një stafi të përkushtuar dhe me mbështetjen shumë të fortë dhe të pakursyer të investitorit Rezart Taci, mund të themi me plot gojën se kemi kaluar plotësisht me sukses provën e parë: atë të ristrukturimit të televizionit, ndërtimit të një televizioni gjeneralist dhe hyrjes në treg me synime të qarta të shikueshmërisë. Kur vendosëm nën logon tonë Televizioni i të gjithë shqiptarëve, nuk e vendosëm si një togfjalësh të bukur marketingu. Ne besojmë te kjo ambicie dhe punojmë çdo ditë për ta pasuruar.

Përveç emrit, cilat janë konkretisht hapat e ndërmarrë për ristrukturimin e televizionit tuaj?

Ndryshimi i emrit është vetëm shfaqja e ndryshimit rrënjësor që ka pësuar ky televizion. Ky brend i ri vjen me një format krejtësisht të ri programor. Albanian screen është tashmë një televizion gjeneralit, ku koha e prodhimit dhe e produkteve të kontraktuara qëndrojnë në përpjesëtim të drejtë. Përveç emisioneve të informimit dhe zbavitjes, emisioneve politike, debateve, një vëmendje e veçante i është kushtuar edhe publikut të filmit, të çdo zhanri. Programacioni i AS është ngritur mbi metoda shkencore, pas një studimi të detajuar të tregut. Këto studime ishin një udhërrëfyes shumë i mirë për t’u njohur me shijet e vërteta të konsumatorëve të televizionit.

Çfarë u pëlqen dhe çfarë nuk u pëlqen të shohin, çfarë i ka lodhur dhe çfarë nuk gjejnë në ekranet tona, në çfarë ore duan të shohin çfarë dhe anasjelltas. Po kjo metodikë do të vazhdojë të përbëjë thelbin e mënyrës sesi dhe ku do të drejtohen investimet në Albanian Screen. Pra, ata që e drejtojnë vërtet këtë televizion janë ata që na shohin, është publiku megjithë kërkesat dhe pretendimet e veta përkundrejt nesh. Nga ana tjetër ne do të bëjmë çka na takon për t’i udhëhequr me përulësi shijet e publikut drejt vlerave etike, estetike dhe morale, te të cilat ne besojmë dhe janë ato vlera që e bëjnë një shoqëri europiane dhe me qytetari.

“Mad man” serial TV i suksesshëm në Amerikë, është një prej risive

në ekranin e AS. A do ketë blerje të tjera të këtij lloji, sa të tjera?

Absolutisht po. Dhe këtu thjesht do të përmend seriale të prodhuar nga NBC, ABC, CBS dhe shumë të tjera. Në studiot tona të post produksionit po përgatiten krahas serialit Mad Man që ju përmendët edhe seriali komedi The office dhe seriali dramë shumë i suksesshëm dhe i komentuar në Amerikë dhe Europë Flash forward, i cili do të mbajë gjatë, jam e bindur, shikuesin e AS përpara ekranit. Do duhej shumë kohë pastaj të flisja për filmat e kinemasë dhe Hollywood-it, por nuk do shuaj më tej kuriozitetin e teleshikuesit të AS.

Nëse do bënit një ndarje në për qind të strukturës kohore në ekranin e

AS, sa vend do të ketë informacioni, sa emisionet, sa filmat dhe sa

dokumentaret?

Gjatë ditënatës sonë të transmetimit janë 10 edicionet informative që transmetojmë, tre janë emisionet e thellimit dhe aktualitetit që do të lëvrohen në tre formate të ndryshme gazetareske dossier, reportazh dhe investigim. Studio e hapur nga dy vjen tri herë në javë, ndërsa ka në përpunim edhe disa formate të tjera emisionesh shumë interesante. Sa i takon filmit, atë do të mund ta gjeni të çdo lloji dhe për çdo moshë. Vendi që zë në programcion është në përputhje të plotë me interesin e tregut. Programacioni i AS i drejtohet të gjithë familjes shqiptare, çdokush prej saj do të mund ta gjejë veten në orët tona të transmetimit.

Logoja juaj e re është “Albanian Screen-televizioni i gjithë shqiptarëve”; a do të thotë kjo se, si për traditë, do të ruani atë formatin panshqiptar për të cilin ishte i njohur Alsat, apo edicionet informative dhe emisionet do të kenë të bëjnë më shumë dhe më hapur me Shqipërinë shtetërore dhe jo atë etnike?

Albanian screen do të ruajë absolutisht me fanatizmin më të madh vëmendjen e çdo shqiptari në Shqipërinë shtetërore apo atë etnike, siç e quani ju, por edhe më gjerë.

Albanian screen është një televizion satelitor me shtrirje kombëtare, çka do të thotë që sinjali ynë është sot në çdo vend të botës. Gjatë këtyre ditëve të para të lançimit të brendit të ri ne kemi marrë mijëra mesazhe nga teleshikuesit tanë. Shumë prej tyre vinin nga bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Greqi, Itali, Francë, Gjermani, Angli, Amerikë, Kanada dhe gjej rastin t’i përshëndes dhe falënderoj për besnikërinë e tyre ndaj ekranit tonë. Ajo që dua të them është që televizioni Albanian Screen është televizioni i të gjithë shqiptarëve dhe si i tillë do të respektojë shijet dhe kërkesat e sugjerimet e çdo shqiptari, kudo qoftë ai.

Nëse një stacion TV e konsiderojmë një ngrehinë me të katër themelet,

cilat do të jenë ato për Albanian Screen?

Besnikëria ndaj të vërtetës, admirimi për të mirën, vlerësimi për të bukurën dhe përkushtimi ndaj punës.

Ndër mediat, sidomos televizioni është imazh; a mendoni se e keni zgjidhur këtë?

Objektivi ynë është të ndërtojmë një bashkëshoqërues të denjë për orët e teleshikuesve tanë. Imazhi që synojmë të përçojmë është ai i qytetarisë, elegancës, klasit, mençurisë dhe dinjitetit.

Leave a Comment

%d bloggers like this: