Të jetosh me futbollin në Peqin

Peqini është një qytet i vogël, por me një histori të lashtë që kalon nëpër shekuj, një histori, e cila ka lënë gjurmë dhe vazhdon të hedhë rrënjët e saj në këtë qytet të vogël, por me një pasuri të madhe në vendin tonë. Peqini shtrihet në një pozitë gjeografike të favorshme që në shekuj, pasi qyteti i vogël shtrihej në kryqëzimin e rrugës Egnatia, një arterie e rëndësishme komunikimi e Ilirisë. Qysh para shumë viteve, Peqini është emërtuar me emrin e vjetër Klaudiana, historia e së cilit do të lexohej në gurët e një rruge me kalldrëm, që kalonte përmes saj. Klaudiana përbënte një qendër banimi në kryqëzimin e rrugëve qe lidhnin Dyrrahun me Apoloninë.

Në qendër të qytetit të Peqinit ndodhet edhe xhamia, por si obelisk ngrihet edhe sahati, i cili zbulon arkitekturën e vjetër. Peqini ka dhënë ndihmën e tij edhe në luftën ndaj fashizmit, ku spikati intelektuali i njohur Mustafa Gjinishi. Gjithsesi, Peqini sot krenohet me mjaft emra në kulturë si Rifat Teqja, Ferdinand Deda, të cilët i përkasin nje plejade të shkëlqyer muzikantësh, por edhe politikanë si Hekuran Isaj e deri te si ish-futbollistët e Kombëtares si: Bujar Çani, Sokol Braniça, Ballhysa, Shpëtim Kateshi, Astrit Isaj, Kujtim Kryemadhi e deri te kapiteni legjendar Magani. Por sporti është një nga aktivitetet më të preferuara të Peqinit, që ka pasur një hov të madh si para viteve ‘90 ashtu edhe sot.

Futbolli qëndron në majën e sporteve, por edhe pse nuk ka sjellë trofe, ai mbahet si ushqimi i mëngjesit, drekës dhe darkës, në Peqin jeta është e lidhur me futbollin. Klubi i Futbollit në Peqin është formuar në vitin 1924, ku topin e parë e ka sjellë një oficer nga Shkodra dhe në këtë mënyrë kanë nisur historia e futbollit në Peqin. Por nuk duhet lënë pa përmendur edhe veterani Adem Bedali, i cili ka meritë në krijimin e futbollit në Peqin.

Të jetosh me futbollin në Peqin, është diçka e veçantë dhe brezat e rinj që po lindin në mendje flasin vetëm për lojën e anglezëve. Peqini është i vogël, por me një shpirt të madh, kërkon të jetë pjesë e sipërfaqes së futbollit shqiptar, nuk e mendon në asnjë moment veten larg Tiranës, Vllaznisë, Flamurtarit, Teutës apo ndonjë ekipi tjetër, gjithmonë kërkon të jetë mes motrave të tjera, pavarësisht se shpesh është etiketuar si qyteti i “dhunës” në futboll.

Fundjava në Peqin është gjallëruese dhe këtë e bën vetëm futbolli, pasi kinematë apo aktivitetet kulturore mungojnë.

Leave a Comment

%d bloggers like this: