Të gjitha lëvizjet antiqeveritare nga 1912 deri tani

Demonstrata e dhunshme që ndodhi në 21 Janar nuk është e para në historinë gati shekullore të vendit tonë. Që me shpalljen e Pavarësisë e në vazhdim janë njohur rebelime të popullit ndaj atyre që kanë qenë në krye të punëve të vendit. Shpesh herë kanë qenë tragjike pasi shumë kanë mbetur të vrarë dhe shumë të tjerë të plagosur.

Kryengritja e Shqipërisë së Mesme, 17 Maj 1914-8 Qershor 1915

Kjo “Lëvizje” klasifikohet tek “Kryengritjet” pasi pati mbështetje popullore tek fshatarët e Shqipërisë së Mesme ku edhe shpërtheu. Kjo kryengritje nisi më 17 Maj 1914 kundër regjimit të Princ Vidit. Udhëheqësit zyrtarë të rebelimit ishin Haxhi Qamil Fejza dhe Musa Qazimi, por prapa saj qëndronte Esat Pashë Toptani. Kryengritësit të udhëhequr nga Haxhi Qamili dhe Musa Qazimi me thirrjet “Dum Babën” shpartallojnë tek Ura e Limuthit në afërsi të Tiranës një grup vullnetarësh tiranas dhe kosovarë të cilët po shkonin në Shqipërinë e Jugut, për të luftuar kundër forcave vorio-epiriote që kishin pushtuar Shqipërinë e Jugut. Më 18 Maj 1914, grumbuj fshatarësh të egërsuar marrin Shijakun dhe drejtohen drejt kryeqytetit, Durrësit. Kryengritësit dalin haptazi kundër Princ Vidit dhe regjimit të tij pro-perëndimor. Një ditë më pas Princ Vidi jep urdhër të arrestohet Esat Pashë Toptani me akuzën e përfshirjes në organizimin e kryengritjes. Esat Pasha reziston dhe me ndërhyrjen italiane largohet nga vendi. Më 3 Qershor 1914, kryengritësit hartojnë memorandumin e Shijakut, ku i kërkojnë Princ Vidit të largohet dhe në vend të tij ata propozojnë të vijë një princ turk. Gjithashtu simbolet kombëtare shqiptare zëvendësohen me simbolet turke. Më 3 Shtator 1914, Princ Vidi largohet nga vendi pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Thirrjeve të tij për ndihmë ndaj Shqipërisë nuk iu përgjigj askush përveç disa forcave të pakta të Ahmet Zogut dhe Preng Bibë Dodës. Kryengritësit sulmojnë pronat dhe njerëzit e Esat Pashës. Vendi zhytet në anarki. Trupat serbe nën drejtimin e Esat Pashë Toptanit dënojnë me varje Haxhi Qamilin dhe 40 fshatarë të tjerë, pjesëmarrës aktivë në kryengritje. Ata varen më 16 gusht të vitit 1915. Ky ishte fundi i Haxhi Qamilit. Kryengritja e la vendin në kaos të plotë dhe të pafuqishëm për të luftuar pushtuesit e huaj.

Kryengritja e Mirditës (Rebelimi i Mirditës), 17 Korrik-20 Nëntor, 1921

Kjo “Lëvizje” klasifikohet tek “Rebelimet” pasi Gjon Marka Gjoni ngriti krye kundër autoritetit të qeverisë së Tiranës. Rebelimi i Mirditës u nxit nga Jugosllavia. Gjon Marka Gjoni “Princi i Mirditës” i paguar nga serbët hyri në Mirditë dhe me një grup bashkëpunëtorësh i shpalli luftë autoritetit të Tiranës. Gjon Marka Gjoni shpall krijimin e Republikës së Mirditës. Në shtator 1921 shpërthen rebelimi i armatosur kundër autoritetit të Tiranës. “Qeveria e Mirditës” i dërgon një notë proteste “Lidhjes së Kombeve” ku i thotë se qeveria e Tiranës nuk flet në emër të të gjithë shqiptarëve pasi Mirdita kishte një “qeveri” tjetër. Markagjoni akuzon qeverinë e Tiranës se po përgatit rikthimin e Shqipërisë nën sundimin turk. Megjithatë u kuptua se prapa këtyre akuzave fshihej Jugosllavia e cila donte të aneksonte Shqipërinë e Veriut. Duke përfituar nga situata trupat serbe ishin futur në territorin e shtetit shqiptar. Qeveria ngarkon për shtypjen e këtij rebelimi Ahmet Zogun, Ministër i Brendshëm, Bajram Currin dhe Ali Kosturin. Menjëherë me trupat e tyre ata shkojnë në Mirditë për të larguar këtë rrezik të madh për integritetin e vendit.

Grushti i shtetit, 7-12 Dhjetor, 1921

Kjo “Lëvizje” klasifikohet tek “Grushtet e shtetit” pasi pati një rrëzim të menjëhershëm të qeverisë me dhunë dhe pa mbështetjen popullore. Opozitarët uzurpuan qeverinë me forcë. Ky grusht shteti i dështuar ndodhi si pasojë e acarimit të luftës politike midis grupeve kundërshtare në skenën shqiptare. Opozita uzurpoi me forcë pushtetin. Duke përfituar nga situata në Mirditë, por edhe nga kriza politike që kishte mbërthyer vendin, opozitarët vendosin me forcë në krye të qeverisë Hasan Prishtinën, njërin prej protagonistëve të krizës. Emërimi i Prishtinës ngjalli pakënaqësi të shumta në të gjithë vendin, deputetët ikën nga Tirana, në Durrës e në qytete të tjera. Kryeministri Prishtina, që në ditët e para, u dha urdhër Forcave të Armatosura të shtien në dorë “me se s’bën” deputetët. Më 12 Dhjetor 1921 duke parë situatën e rënduar në kryeqytet, por edhe i nxitur nga thirrjet e deputetëve dhe masave popullore të pakënaqura, Ahmet Zogu asokohe Ministër i Brendshëm, kthehet nga Mirdita dhe rrëzon qeverinë e Hasan Prishtinës. Grushti i shtetit dështon.

Grushti i shtetit, 8-15 Mars, 1922

Kjo “Lëvizje” klasifikohet tek “Grushtet e shtetit” pasi ishte një përpjekje e pambështetur nga populli për të rrëzuar qeverinë. Ky grusht shteti i dështuar ndodhi si pasojë e acarimit të luftës politike midis grupeve kundërshtare në skenën shqiptare. Pozitat e Ahmet Zogut u forcuan shumë pas ngjarjeve të dhjetorit. Opozita duke mos mundur ta rrëzonte me mjete demokratike, mendoi të organizonte një grusht shteti. Njëri nga luftëtarët më të dalluar në Dibër, Elez Isufi zbriti në Tiranë në përpjekje për të rrëzuar qeverinë. Anëtarët e kabinetit u larguan nga Tirana kurse Ahmet Zogu qëndroi për të organizuar rezistencën. Luftimet zgjatën 15 orë. Me ndërhyrjen e ambasadorit anglez Eires rebelimi i Elez Isufit mori fund.

Revolta e Prefekturës së Kosovës, Janar 1923

Kjo “Lëvizje” klasifikohet tek “Revoltat” pasi ishte një kundërshtim me dhunë kundër pushtetit të qeverisë së Tiranës. Pas dështimit të grushtit të shtetit të marsit të 1922, Bajram Curri në krye të një fuqie prej disa qindra personash, kundërshtarë të Zogut, sulmon qytetin e Krumës, qendër e Prefekturës së Kosovës (sot quhet Qarku i Kukësit). Për disa ditë me radhë zhvillohen luftime të ashpra midis forcave të xhandarmërisë dhe atyre të Bajram Currit. Disa dhjetëra të vdekur e të plagosur është bilanci i luftimeve. Ndërhyrja e shpejtë e forcave qeveritare i dha fund revoltës.

Revolucioni i Qershorit, 24 Maj-24 Dhjetor, 1924

Acarimi i jashtëzakonshëm i luftës politike midis dy kampeve kundërshtare, maxhorancës së djathtë dhe opozitës së majtë dhe veprimtaria armiqësore ndaj vendit tonë e vendeve fqinje solli shpërthimin e këtij revolucioni. Me 27 Dhjetor 1923 zhvillohen zgjedhjet parlamentare ku fitoi grupi qeveritar i Ahmet Zogut. Opozita akuzon për manipulime të këtrye zgjedhjeve. Më 24 Shkurt 1924, Ahmet Zogut i bëhet një atentat në hyrje të Parlamentit ndërsa po shkonte për tu betuar si Kryeministër i vendit. Zogu ja lë drejtimin e qeverisë Shefqet Verlacit, beu më i madh i vendit. Në kushtet e acarimit të situatës politike, Avni Rustemi, njëri prej liderëve të opozitës vritet në një atentat. Atentatori Isuf Keçi arrin të largohet nga vendi i ngjarjes ndërsa xhandarët nuk bëjnë asgjë. Vrasja ngjall zemërimin e opozitës. Më 1 Maj 1924, në Vlorë bëhet varrimi i Avni Rustemit. Varrimi i tij kthehet në një manifestim të opozitës kundër Ahmet Zogut. Nga aty Fan Noli bën thirrje për gjetjen e vrasësve të tij. Më pas një grup ushtarakësh të quajtur “Klika” dhe deputetët e opozitës organizojnë një mbledhje në kinemanë e Vlorës, ku marrin pjesë 300 përfaqësues nga krahinat e vendit dhe anëtarë të shoqërisë “Bashkimi” që ishte krijuar nga Avni Rustemi. Mbledhja i dërgoi dy ultimatume qeverisë : Në të parin dënohej vrasja e avni Rustemit dhe kërkohej gjetja e vrasësve të tij. Në të dytin protestohej kundër Ceno Bej Kryeziut (kunat i Ahmet Zogut), i cili konsiderohej nga opozitarët si agjent serb që u shërbente Beogradit dhe forcave të brendshme të djathta. Arsyeja e vërtetë pse ata po protestonin kundër Ceno Beut ishte se ai me forcat e tij ishte vendosur në Krumë dhe kjo gjë rrezikonte planin e opozitës për grusht shteti. Kopje të memorandumeve ju dërgohen të gjitha bashkive dhe garnizoneve ushtarake të Shkodrës, Tiranës dhe Përmetit. Më 24 Maj 1924, fillojnë veprimet e armatosura. Bajram Curri sulmon Krumën, qendër e Prefekturës së Kosovës (Kukësit). Me 27 Maj 1924, Shefqet Vërlaci, beu më i madh i vendit dhe njëkohësisht kryeministër i vendit jep dorëheqjen. Në krye të qeverisë vjen Iliaz Vrioni i cili fillon bisedimet me opozitarët por bisedimet dolën pa sukses. Si rezultat qeveria cakton Ahmet Zogun për të shtypur grushtin e shtetit. Më 12 Qershor 1924 Ahmet Zogu me disa mbështetës largohet në Jugosllavi. Formohet qeveria e re. Vendoset me short që në krye të qeverisë të jetë peshkopi Fan Noli. Administrata që Noli donte të reformonte ishte plot me besnikë të Zogut dhe Verlacit të cilët filluan të punonin kundër tij dhe qeverisë së “revolucionit”. Gjithë kjo anarki do të çonte pastaj në rrëzimin e qeverisë.

Rikthimi me forcë i Zogut
Qeveria e re mundohet të njihet nga shtetet e huaja. Por asnjë shtet nuk e njeh për shkak se ka ardhur në pushtet në mënyrë të jashtëligjshme. Fan Noli i kërkon një hua Lidhjes së Kombeve, por ajo refuzohet. Lidhen për 4 ditë marrëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik. Shtetet perëndimore alarmohen pasi Shqipëria u bë vendi i parë që lidhte marrëdhënie me BS, dhe një portë e sigurtë e komunizmit në Europë. Kjo nxit Ahmet Zogun të rikthehet në fuqi. Ahmet Zogu hyn në Shqipëri me ndihmën e ish-Jugosllavisë.

Rebelimi i Dukagjinit, 20 Nëntor-5 Dhjetor, 1926

Kjo “Lëvizje” klasifikohet tek “Rebelimet” pasi popullsia e zonës së Dukagjinit në Shkodër ngriti krye kundër qeverisë së Ahmet Zogut. Mbajtja e aparatit administrativ dhe e forcave të armatosura bëri që qeveria të rriste taksat dhe kjo shkaktoi pakënaqësi sidomos tek fshatarët. Këtë pakënaqësi u mundua ta shfrytëzojë qeveria e Beogradit për t’i bërë presion Ahmet Zogut, asokohe President i Republikës. Rebelimi kishte tipare separatiste dhe mori edhe ngjyra fetare. Qeveria dërgoi forca të shumta dhe e shtypi egërsisht këtë rebelim antikombëtar.

Rebelimi i zonës veriore, 1-8 Janar, 1935

Kjo “Lëvizje” klasifikohet tek “Rebelimet” pasi ishte ngritja krye e një grupi njerëzish të udhëhequr nga Muharrem Bajraktari dhe Gjon Marka Gjoni kundër qeverisë së Tiranës e veçanërisht kundër ministrit të brendshëm, Musa Jukës. Më 2-7 Janar 1935 një atentat i rëndë bëhet ndaj Mbretit Zog. Mbreti largohet në Durrës dhe ja lë në dorë Musa Jukës zgjidhjen e situatës. Mbi 2000 forca rebele ishin nën drejtimin e Muharrem Bajraktarit. Pati shumë të vrarë nga të dyja palët. Muharrem Bajraktari kishte armik personal Musa Jukën, ministër i brendshëm prandaj rebelimi u drejtua ndaj tij dhe jo ndaj Mbretit. Shpallet gjendja e jashtëzakonshme në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut. Musa Juka urdhëron dërgimin e 4 batalioneve në Kukës ku ishte qendra e rebelimit. Pas rebelimit, Muharrem Bajraktari u largua në Jugosllavi. Aty u çarmatos dhe u internua nga qeveria jugosllave në Gjakovë.

Rebelimi i Fierit, 14-15 Gusht, 1935

Kjo “Lëvizje” klasifikohet tek “Rebelimet” pasi ishte ngritja krye e një turme të udhëhequr nga një organizatë kundër Mbretit dhe qeverisë. Rritja e veprimtarisë së celulave komuniste në vend (kundërshtare të deklaruara të Zogut) solli shpërthimin e këtij rebelimi. Në vitin 1934 u krijua një organizatë e fshehtë me qendër në Tiranë dhe me degë në disa qytete e krahina të tjera. Në të bënin pjesë ish-oficerë, komunistë, bejlerë që kishin konflikte me Zogun, tregtarë, nëpunës etj. Në vitin 1935 Organizata vendosi të bënte kryengritje. Plani ishte që kryengritja të shpërthente në Tiranë e të përhapej në pjesën tjetër të vendit, por nga organizimi i dobët ajo shpërtheu vetëm në Fier, prandaj mbeti në histori me emrin Kryengritja e Fierit. Riza Cerova (komunist) i rikthyer në Shqipëri në prill të atij viti, niset me një çetë kryengritëse nga Skrapari dhe iu afrua Beratit. Pasi mëson për disfatën në Lushnje, tërhiqet në male dhe më 24 gusht plagoset rëndë dhe vdes.

Revolta e Delvinës, 15-16 Maj, 1937

Kjo “Lëvizje” klasifikohet tek “Revoltat” pasi ishte kundërshtimi i një grupi njerëzish ndaj autoritetit të shtetit. Prishja e marrëdhënieve midis Et’hem Totos dhe Ahmet Zogut solli shpërthimin e kësaj revolte. Pati luftime të ashpra në Delvinë, Tepelenë, Gjirokastër dhe Vlorë. Vëllezërit Et’hem (ish-ministër i brendshëm) dhe Ismet Toto nisën lëvizjen e Delvinës. Në bashkëpunim me xhandarmërinë e një pjesë të popullatës ata ngritën krye. Rebelët hynë në Gjirokastër, hapën burgun dhe marshuan drejt Tepelenës e Vlorës. Rrugës për në Vlorë ata u takuan me forcat qeveritare, u thyen dhe u tërhoqën të shpartalluar. Gjatë përleshjes Ethem Totoja u plagos dhe për të mos u dorëzuar vrau veten.

Revolta e Koplikut, Janar 1945

Kjo “Lëvizje” futet tek “Revoltat” pasi ishte kundërshtimi i një grupi njerëzish kundër pushtetit komunist. Ardhja në fuqi e komunistëve u kundërshtua nga forcat kundërshtare të cilat u ngritën në revoltë. Të ndodhura përballë vendosjes së regjimit komunist, forcat antikomuniste filluan një revoltë kundër synimeve të udhëheqjes komuniste. Revolta nisi me një sulm kundër Koplikut, të cilin ata mundën ta mbanin për disa orë. Por forcat e UNÇSH (Ushtria NacionalÇlirimtare e Shqipërisë) dhe të Sigurimit të Shtetit kundërvepruan menjëherë, rimorën Koplikun dhe asgjësua grupet e armatosura që vepronin në afërsi të Shkodrës. Revolta u shtyp egërsisht brenda disa ditësh.

Revolta e Postribës, Shtator 1946

Kjo “Lëvizje” klasifikohet tek “Revoltat” pasi ishte kundërshtimi i një grupi njerëzish kundër pushtetit komunist. Pas dështimit në Koplik, forcat kundërshtare të regjimit nuk e ndalën qëndresën e tyre. Ato u riorganizuan në atë mënyrë saqë ndërmorën një tjetër kryengritje që nisi në fshatin Postribë dhe vazhdoi në fshatin Guri i Zi. Rebelët sulmuan edhe Shkodrën, me objektiv rrëzimin e regjimit komunist duke shpresuar edhe në ndonjë mbështetje nga jashtë. Por lëvizja dështoi dhe u shtyp brenda ditës me egërsi.

Revolucioni Demokratik, 26 Mars 1990-22 Mars 1992?

Kjo “Lëvizje” klasifikohet tek “Revolucionet” pasi ishte ndërrimi me dhunë i një sistemi dhe rendi shoqëror që i kishte kaluar koha (sistemi komunist) dhe vendosja e një sistemi të ri dhe rendi të ri shoqëror, ekonomik e politik që bazohej tek ideali dhe kauza e “Lirisë, Demokracisë, Pluripartizmit dhe Ekonomisë së Tregut”.

Rebelimi i Shqipërisë së Jugut, 24 Janar-24 Korrik, 1997

Kjo “Lëvizje” klasifikohet tek “Rebelimet” pasi ishte ngritja krye kundër autoritetit të qeverisë së Tiranës dhe shkatërrimi i çdo institucioni që përfaqësonte këtë autoritet. Ky rebelim nisi si pasojë e humbjes së parave të mëse 100.000 familjeve shqiptare në skemat piramidale ose firmat rentiere. Opozita e shfrytëzoi situatën duke i kthyer protestat nga protesta ekonomike në protesta politike. Dështimi i qeverisë dhe dezertimi i ushtarakëve bëri që shpejt i gjithë vendi të binte në duart e “Komiteteve të Shpëtimit” dhe të bandave kriminale. Më 3 Mars 1997, Sali Berisha rizgjidhet President i Republikës me votat e deputetëve të PD-së. Një zemërim i papërmajtur shpërthen në Vlorë dhe Tepelenë, qendrat kryesore të rebelimit. Komitetet ushtarake dhe bandat shpërthejnë pjesën e mbetur të depove dhe një valë e re shkatërrimesh dhe vrasjesh nis në mbarë Shqipërinë e Jugut. Më 9 Mars 1997, formohet “Qeveria e Pajtimit Kombëtar” me në krye Bashkim Finon, kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës. Qeveria e re ju bën thirrje ish-efektivëve të ushtrisë të kontribuojnë për rivendosjen e rendit dhe qetësisë. Më 15 Prill 1997, ndërkombëtarët alarmohen nga kriza. Fillon “Misioni Alba”, një ushtri ndërkombëtare prej 7000 trupash nën drejtimin e Italisë vjen në Shqipëri për të rikthyer rendin dhe forcë e ligjit. Forcat e para zbarkojnë në Durrës. Rikthehet normaliteti në Tiranë. Zhvillohet një operacion i suksesshëm në Gramsh për kapjen e kriminelëve dhe mbledhjen e armëve të grabitura. Më 29 Qershor 1997, zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Partia Socialiste me aleatët janë fituesit. Demokratët pësojnë humbjen më të thellë të historisë së tyre. Në Tiranë, ku mendohej se PD do fitonte, rezultati është krejt ndryshe pasi socialistët fituan bindshëm. Bilanci i rebelimit është 200 milionë dollarë dëme materiale dhe mbi 3700 të vrarë e 5000 të plagosur. Filluan procese gjyqësore kundër bosëve të firmave rentiere. U dënuan në mungesë një pjesë e figurave kryesore të shtetit gjatë pushtetit të PD

Grushti i shtetit, 14-15 Shtator, 1998

Kjo “Lëvizje” klasifikohet tek “Grushtet e shtetit” pasi ishte përpjekja e opozitës për të rrëzuar me dhunë qeverinë e Tiranës. Varrimi i Azem Hajdarit kthehet në revoltë ndaj qeverisë. Mbështetës të Partisë Demokratike sulmojnë godinat qeveritare duke thirrur “Hakmarrje, hakmarrje!”. Kryeministri Nano largohet në drejtim të Pogradecit. Rebelët marrin nën kontroll edhe TVSH. Me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, të forcave të shtetit dhe të lidershipit demokrat “grushti i shtetit” merr fund.

Shpjegimi i lëvizjeve të dhunshme

Termi bazë për këto zhvillime të dhunshme është fjala “Lëvizje”. Më pas duke i studiuar këto lëvizje u janë ngjitur emrat sipas karakterit që kanë pasur. Por shpeshherë kjo gjë është bërë sipas interesave politike. Kështu lëvizjet ndahen në:

Grusht Shteti: ndërrimi i menjëhershëm me dhunë i qeverisë a i formës së qeverisjes, që përgatitet fshehurazi dhe bëhet nga një grup i vogël njerëzish të cilët kanë pushtet ose i përkasin elitës drejtuese të një vendi pa u mbështetur te masat e popullit.

Kryengritje: luftë e armatosur e masave popullore për t’u çliruar nga zgjedha e huaj apo për të rrëzuar regjimet në fuqi.

Rebelim: ngritja krye kundër pushtetit në fuqi ose kundër një autoriteti.

Revoltë: kundërshtim i një grupi njerëzish, që shpërthen me zemërim dhe me dhunë kundër pushtetit politik ose kundër rendit në fuqi.

Revolucion: përmbysje me dhunë e një rendi shoqëror, politik dhe ekonomik që i ka kaluar koha dhe vendosja e një rendi të ri shoqëror, politik dhe ekonomik që mbështetet tek një ideal ose kauzë. Nga “Haxhi Qamili”

Leave a Comment

%d bloggers like this: