Spitalet, 40 vlerësues për cilësinë

Vlerësues të jashtëm për cilësinë e shërbimit që ofrojnë spitalet, laboratorët e klinikat dentare. Nuk bëjnë përjashtim edhe subjektet private. Standardet do të maten periodikisht, ndonëse nuk dihet ende kur do të përfundojë akreditimi. Dje, gjatë një konference për shtyp, drejtori i Qendrës se Vlerësimit, Cilësisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore, Isuf Kalo, sqaroi detajet e këtij procesi. “Vlerësuesit e jashtëm do të bëjnë raportin e vlerësimit. Raporti do të vijë në Këshill dhe ky i fundit do të analizojë mënyrën se si është bërë procesi, sa i drejtë dhe i plotë është bërë dhe sa e saktë ka qenë përllogaritja. Vlerësuesit e jashtëm mund të jenë mjekë, menaxherë, infermierë. Zakonisht kjo përbërje do të jetë”, tha Kalo. Ai shtoi se deri tani janë trajnuar nga strukturat e shëndetësisë rreth 40 vlerësues të jashtëm, të cilët do të bëjnë vlerësimin e institucioneve që ofrojnë shërbim për pacientët. “Një nga arsyet pse e kemi mbrojtur versionin e detyrueshëm, sepse në të vërtetë disa vende nuk e kanë të detyrueshëm, është sepse po t’ua lëmë në dëshirën e tyre, ndoshta një numër i madh institucionesh nuk do të motivohen për ta bërë këtë. I gjithë procesi ka edhe një farë kostoje që duhet ta përballojnë vetë institucionet”, theksoi Kalo. Përsa i përket kostos së shpenzimeve që duhet të përballojnë këto institucione shëndetësore për akreditim, ajo është tepër e ulët, gati 20 herë më e vogël se shuma që paguajnë spitalet apo klinikat në shtetet fqinjë, si Serbia. Në rregulloren e akreditimit, përveç përcaktimit të kritereve dhe mënyrës së realizimit, ndër të tjera thuhet se firmëtari i fundit që vendos për akreditimin ose jo të spitaleve do të jetë vetë ministri i Shëndetësisë. Në bazë të dosjes së secilit institucion shëndetësor, vetëm firma e kreut të Shëndetësisë i jep atij certifikatën e akreditimit, duke dëshmuar kështu provën e cilësisë. Pas përfundimit të kësaj periudhe institucioni duhet të aplikojë për riakreditimin përpara skadimit të afatit 5-vjeçar. Në të përcaktohen rregullat për të arritur dhe përmirësuar vazhdimisht standardet si dhe mbrojtjen e pacientëve, konsumatorëve dhe qytetarëve nga praktika e keqe mjekësore, ajo e rrezikshme apo abuzive, si dhe t’u dëshmojmë atyre që institucioni shëndetësor është në gjendje të ofrojë çka duhet, ashtu siç duhet dhe atëherë kur duhet, në përmbushje të nevojave dhe pritshmërisë shëndetësore të popullatës.

Efektiviteti klinik:
• Përdorimi i profilaksisë dhe trajtimit me barna
• Përqindja e rishkrimeve
• Vdekjet në urgjencë
Plotësimi i kartelave
Siguria:
• Ngjarje të padëshiruara nga gjaku
• Reaksionet nga medikamentet
• Gabimet e procedurave
• Gabime të mjekimit
• Vdekjet nga sëmundjet me vdekshmëri të ulët
Stafi:
• Mungesat në punë
• Trajnimet e mjekëve dhe infermierëve
• Të ardhurat dytësore
Eficenca
• Përqindja e kostos totale që përdoret për pacientin
• Ditëqëndrimi mesatar në spital
• Shfrytëzimi i shtratit
Higjiena
• Prania apo ekzistenca e një numri të caktuar e të mirëvendosura të daljeve   emergjente
• Prania e alarmeve të zjarrit dhe pajisjeve të shuarjes së zjarrit
• Prania e ujit të pijshëm dhe elektricitetit
• Mbrojtje të përshtatshme nga rrezatimi
• Mekanizma të sigurt për mbulesat e plehrave të rrezikshme apo me kontaminim
• Mbrojtje nga shoku elektrik, si pasojë e pajisjeve të
montuara

ZIRIN LLAMBRO

 

Panorama ONLINE

Leave a Comment

%d bloggers like this: