“Skuqet” Dinamo kampione, Besa dërgon në Kavajë edhe Superkupën e parë

Superkupa e Shqipërisë, 16.08.2010
Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës, ora 20:30

BESA-DINAMO 3-1
Shënues:
Poci 64’ (pen), Dhëmbi 74’, Shtini 85’ / Bakaj 41’
Dinamo: Hidi, Peqini, Pisha, E.Xhafa (Sefa 77′), Malakarne, Vila, Muzaka, El.Bakaj, Martinena, Soza (Daja 46′), Garsia (Gjokeja 46′), Trajner: L.Blanko
Besa: Ed.Bakaj, Jakupi, Lazarevski, Velija, Feruzoviç, Poçi, Dhëmbi (Tragaj 90′), Sea.Haxhibuliç, Sem.Haxhibuliç (Dos Santos 46′), Mihani, Cikalleshi (Shtini 80′). Trajner: Sh.Duro
Gjyqtarë: S.Jareci, G.Qirici, R.Avdo (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Pisha (2), Vila, Daja, Gjokeja / Lazarevski, Mihani, Poçi,
Kartonë të kuq: Peqini, Pisha

Besa e Kavajës ka fituar për herë të parë Superkupën e Shqipërisë. Duke mundur bindshëm dhe pastër kampionen e vendit, Dinamon, me rezultatin 3-1. Kështu, fituesja e Kupës së Shqipërisë në fuqi triumfon në një tjetër trofe, duke e nisur në mënyrën më të mirë të mundshme edicionin e ri futbollistik. Stadiumi “Niko Dovana” ka qenë arena e një ndeshjeje me emocione, e luftuar fort nga të dyja skuadrat, por që ka nxjerrë fituese Besën, më të kujdesshme dhe më efikase në lojën e vet. Braziliani Dos Santos, i ardhur nga Gramozi te verdhezinjtë këtë edicion, pavarësisht se nuk ka realizuar në këtë sfidë, ka qenë njeriu i ndeshjes për kavajasit. Sepse ka “nxjerrë me të kuqe” dy lojtarë të skuadrës kampione në fuqi, Dinamo. Respektivisht në pjesën e parë Peqinin dhe në të dytën kapitenin Pisha, të cilët nuk kanë pasur mënyrë tjetër për ta ndalur “brazilianin fluturues”, përvecse në mënyrë të gabuar. Gjë e cila nuk është toleruar nga ndërkombëtari Sokol Jareci, gjyqtari i ndeshjes, i cili nga ana e vet i ka thënë përfundimisht “lamtumirë” arbitrimit. Në një ndeshje të vecantë, sic është Superkupa e Shqipërisë. Pjesa e parë evidenton disi më superiore Dinamon, që qarkullon mirë topin dhe vë në punë talentet e saj, si Muzaka, Bakaj dhe Vila. Të cilët e detyrojnë prapavijën kavajase t’i përvishet një pune të madhe. Por pa arritur dot ta mbante të paprekur portën e vet, sepse në minutën e 41-të, kur po afronte fundi i pjesës së parë, Elis Bakaj ka prishur bardhësinë e ndeshjes. Duke e kaluar Dinamon në epërsi. Me fitoren minimale të bluve mbyllet edhe fraksioni i parë i Superkupës së Shqipërisë, për t’ia lënë vendin një pjese të dytë nën zotërimin e Besës. E cila, e ndihmuar edhe nga inferioriteti numerik i Dinamos, pas daljes me karton të kuq të mbrojtësit Peqini në pjesën e parë (38′), rrit forcën sulmuese, merr në zotërim mesfushën dhe rrjedhimisht edhe zotërimin e topit. Kujtojmë se në minutën e 36-të del jashtë loje, me të kuqe, edhe trajneri argjentinas i Dinamos, Luis Manuel Blanko, i cili e tepron me protestat ndaj Jarecit. Besa e sposton lojën në gjysmëfushën dinamovite, ku sulmuesi brazilian, Dos Santos, bën lëmsh tërë prapavijën e kampionëve. Në një rast të tillë, pasi ka fituar një duel shpejtësie me debutuesin te Dinamo, futbollistin Gjokeja, Dos Santos fiton penalltinë. Sepse mbrojtësi dinamovit e ka ndalur nga prapa, në mënyrë të parregullt, kur po vërshonte drejt portës së mbrojtur nga Hidi. Penalltia ekzekutohet me saktësi nga kapiteni verdhezi, Artion Poci, që shënon dhe barazon rezultatin. Aq i ka mjaftuar Besës që të vendosë diktatin në fushën e lojës. Skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro mbetet në sulm, ngulmon fort për të shënuar edhe golin e dytë, ndërkohë që Dinamo vuan. Mesfusha e saj mbetet larg sulmit, ndërkohë që mbrojtja blu detyrohet të bëjë edhe gabime. Sic ishte minuta e 74-t, kur ekzekutohet një goditje këndi nga e djathta e sulmit kavajas. Topi harkohet në zonën dinamovite, ku mbrojtësit kampionë hezitojnë të ndërhyjnë, duke i dhënë mundësinë Dhëmbit që të dalë i vetëm me Hidin dhe të realizojë golin e dytë dhe të epërsisë. Tashmë Besa nuk përmbahet, ndërsa Dinamo nuk ka forcë për të reaguar. Edhe për faktin se jashtë loje, me karton të kuq, detyrohet të dalë edhe kapiteni Pisha. Edhe ai, për shkak se detyrohet ta ndalojë në mënyrë të parregullt ndaj Dos Santosit. Si lojtar i fundit, Pisha nuk tolerohet nga gjyqtari Jareci. Duke marrë kartonin e dytë të verdhë dhe rrjedhimisht të kuqin. Dinamo mbetet me 9 lojtarë në fushë, cka ia lehtëson mjaft punën Besës. Që vijon të mos tundet nga mesi i fushës, ndërsa aplikon topat e shpejtë, mbas krahëve të kundërshtarit. Aq sa i krijon mundësinë edhe talentit të ri kavajas, Shtini, që i porsafutur në lojë, të realizojë golin e tretë dhe të vulosë fitoren 3-1 të Besës. Që në fund ka ngritur trofeun e Superkupës së Shqipërisë, i pari në historinë e saj. Nisje më të mbarë të sezonit të ri nuk mund të kishte për verdhezinjtë, sikurse Superkupa ishte “qershia mbi tortë”, për edicionin e shkuar futbollistik. Ku Besa fitoi Kupën e Shqipërisë.

Të gjitha ndeshjet e Superkupës
1989: Dinamo-Tirana 2-0
1990: Flamurtari-Dinamo 3-3 (5-4 p)
1991: Flamurtari-Partizani 1-0
1992: Elbasani-Vllaznia 3-2 (pas kohës shtesë)
1993: Nuk u luajt. Partizani ishte fitues i dyfishtë: Kampionat dhe Kupë
1994: Tirana-Teuta 1-0
1995: Nuk u luajt
1996: Nuk u dha: Tirana ishte fitues i dyfishtë: Kampionat dhe Kupë
1997: Nuk u luajt
1998: Vllaznia-Apolonia 1-1 (5-4 p)
1999: Nuk u luajt. Tirana ishte fitues i dyfishtë: Kampionat dhe Kupë
2000: Tirana-Teuta 1-0
2001: Vllaznia-Tirana 2-1
2002: Tirana-Dinamo 6-0
2003: Tirana-Dinamo 3-0
2004: Partizani-Tirana 2-0
2005: Tirana-Teuta 0-0 (5-4 p)
2006: Elbasani-Tirana 0-2
2007: Tirana-Besa 4-2
2008: Dinamo-Vllaznia 2-0
2009: Tirana-Flamurtari 1-0
2010: Besa-Dinamo 3-1

Fituesit e Superkupës
Tirana – 7 herë
Vllaznia – 2 herë
Flamurtari – 2 herë
Dinamo – 2 herë
Partizani – 1 herë
Elbasani – 1 herë
Besa – 1 herë

Kuriozitete nga 16 finalet e Superkupës
– Në 16 finalet e zhvilluara të Superkupës, janë shënuar gjithsej 42 gola përgjatë 90 minutave apo shtesave.
– Golin e parë në një ndeshje Superkupe e ka shënuar Eduart Abazi në finalen e vitit 1989, Dinamo-17 Nëntori (Tirana) 2-0 dhe të fundit Ariel Shtini i Besës, në finalen e 16 gushtit 2010, Besa-Dinamo 3-1.
– Janë katër, lojtarët që kanë shënuar nga dy gola: Sulejman Demollari (Dinamo), Sajmir Patushi (Vllaznia, Tirana), Mahir Halili (Tirana) dhe Elvis Sina (Tirana).
– Gjatë finaleve janë shënuar 4 gola me penallti: Sulejman Demollari (Dinamo-Tirana 2-0, 1989), Sokol Kushta (Flamurtari-Dinamo 3-3, 1990); Sokol Kushta (Tirana-Teuta 1-0, 1994) dhe Artion poci (Besa-Dinamo 3-1, 2010).
– Goli më i shpejtë është shënuar nga Eduart Abazi (Dinamo-Tirana 2-0, 1989) dhe Sokol Kushta (Tirana-Teuta 1-0, 1994), që të dy në minutën e 4-t të takimeve respektive.
– Goli më i vonshëm është shënuar në minutën e 115 nga Hekuran Jakupi (Elbasani) në finalen e vitit 1992, Elbasani-Vllaznia 3-2.
– Fitoren më të thellë e ka realizuar Tirana, kur ka mundur 6-0 Dinamon, në finalen e vitit 2002. Ato minimale, 1-0, janë arritur 3 herë: Flamurtari-Partizani (1991), Tirana-Teuta (1994) dhe Tirana-Teuta (2000).
– Tirana është ekipi që ka diskutuar më shumë finale të Superkupës me 10 të tilla, duke fituar 7 prej tyre. Nga 10 finale të diskutuara Tirana ka humbur 3 prej tyre me Dinamon (1989), Vllazninë (2001) dhe Partizani (2004).
– Dy finale janë zgjidhur nga gjuajtjet e penalltive. Në vitin 1990 Flamurtari-Dinamo 3-3 (5-4 p) dhe në vitin 2005 Tirana-Teuta 0-0 (5-4 p)



http://www.sportishqiptar.com.al/dos-santos-%E2%80%9Cskuq%E2%80%9D-dinamon-besa-dergon-ne-kavaje-edhe-superkupen-e-shqiperise/

Leave a Comment

%d bloggers like this: