Skavica, gati oponenca për projektin

Ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës tashmë as që vihet më në diskutim.

Projekti që Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka zgjedhur në bashkëpunim me kompaninë e huaj “SOGREA”, që bëri edhe studimin e varianteve për Skavicën, tashmë është duke iu nënshtruar oponencës shtetërore teknike. Kjo oponencë po kryhet pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe pritet që shumë shpejt të dilet me një përfundim. Në fakt, projekti i ri për hidrocentralin e parë të kaskadës së Drinit ndryshon thuajse tërësisht nga projekti i vjetër, me përjashtim të pozicionimit ku sërish hidrocentrali do të mbetet në krye të të gjithë kaskadës. Sipas projektit të vjetër mendohej që në kaskadën e Drinit të ndërtoheshin pesë hidrocentrale, nga të cilat deri më tani janë ndërtuar tre, Fierza, Komani dhe Vau i Dejës, kurse Skavica dhe Bushati deri tani nuk janë zbatuar. Por, me nismën e fundit të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, për ta ndërtuar hidrocentralin e Skavicës janë marrë parasysh dy objektiva ndërtimi të HEC-it si vepër që do t’i shërbejë rritjes së kapacitetit të prodhimit të energjisë së pastër në vend dhe, nga ana tjetër, rritjes së eficiencës së shfrytëzimit të ujërave të Drinit. Pikërisht për këtë, KESH ka thirrur edhe disa takime me donatorë të veçantë për të mbledhur fondet e mjaftueshme që duhen për ndërtimin e një vepre të tillë gjigante energjetike, e cila mendohet që përafërsisht të kushtojë rreth 400-500 milionë euro, ndërkohë që bisedimet vazhdojnë dhe me Ministrinë e Financave. Projekti që është zgjedhur për hidrocentralin e Skavicës parashikon një fuqi të instaluar prej rreth 170 megavat. Madhësia e hidrocentralit, krahasuar me projektin e vjetër, është ulur, pasi kompania “SOGREA” dhe KESH-i kanë punuar së bashku për të pasur në finale një projekt që do të merrte parasysh edhe pjesën sociale, duke minimizuar mundësitë e përmbytjeve në zonë, si dhe për të pasur një kaskadë të sigurt. Për projektin e Skavicës janë kryer edhe një herë studime për hidrologjinë. Vetë ekspertë të inxhinierisë teknike apo hidrologë në vend kanë sugjeruar për studime të reja hidrologjike për shkak të ndryshimeve klimaterike që po përjeton e gjithë bota, efekt që është reflektuar vitet e fundit edhe në vendin tonë, ku ka pasur prurje të larta gjatë periudhave me reshje. Por nga KESH-i është marrë parasysh edhe ky detaj, duke kryer studime si për hidrologjinë, ashtu dhe më gjerë, në mënyrë që projekti i ri i Skavicës të jetë një projekt i sigurt dhe që përshtatet me pjesën tjetër të hidrocentraleve të ndërtuara. Kaskada e Drinit është ajo që prodhon pjesën më të madhe të energjisë në vend, ndërkohë që ndërtimi i një tjetër hidrocentrali në këtë kaskadë, pa dyshim që do ta rrisë vlerën e saj sa i përket totalit të energjisë që do të prodhohet.

Rregullorja e kaskadës mund të pësojë amendime

Kaskada e Drinit funksionon në bazë të një rregulloreje, e cila disiplinon ujërat dhe nivelet e liqeneve të hidrocentraleve të kaskadës. Në këtë rregullore përshkruhet me saktësi se sa duhet të jetë niveli i Fierzës, Komanit apo Vaut të Dejës për periudha të ndryshme të vitit. Por, nëse ndërtohet hidrocentrali i Skavicës, pa dyshim që kjo rregullore do të duhet që të amendohet me specifika shtesë për këtë HEC të fundit që i shtohet kaskadës. Kjo është e nevojshme edhe për të rregulluar regjimin e ujërave të të gjithë kaskadës së Drinit, e cila funksionon si një e tërë. Rregullorja është dokumenti bazë që shërben edhe për specifikat teknike të secilit hidrocentral, duke parashikuar se sa është maksimumi i plotave që mund të përballohet, si veprohet në raste emergjente kur është e nevojshme që të kryhen shkarkime, sa tunele shkarkimi ka secili hidrocentral dhe sa është maksimumi që mund të shkarkojë secili prej tyre.

NERTILA MAHO

Panorama ONLINE

Leave a Comment

%d bloggers like this: