“Shqiptarët po falsifikojnë kombësinë” njeri vlla grek, tjetri shqiptar

Nëpërmjet një kërkese, ky institucion prej 4 muajsh është shprehur i shqetësuar për ndërrimin e kombësisë nga “shqiptare” në “greke”, pa qenë të tillë, por shkresa zyrtare është mbajtur e fshehur. E protokolluar dhe e firmosur nga përfaqësuesit e disa institucioneve shqiptare, kërkesa është pranuar për t’u shqyrtuar dhe tashmë kanë nisur të dalin në dritë falsifikimet e para. Rastet më të shpeshta të falsifikimeve janë ato kur prindërit dhe e gjithë familja janë me kombësi shqiptare, ndërsa vetëm një fëmijë rezulton me kombësi greke. Ose certifikata dublante, ku personi rezulton në njërën me kombësi shqiptare dhe në tjetrën me kombësi greke, por pa një vendim gjyqësor, siç e parashikon ligji.
Kërkesa e Konsullatës Greke
Edhe pse pala helene gjithnjë ka pretenduar publikisht se jugu i Shqipërisë është thuajse i gjithi me qytetarë të origjinës greke, nëpër shkresat zyrtare duket se nuk i pranon si të tillë as dhjetëra prej tyre. Përfaqësuesit e diplomacisë greke në jug të vendit janë shfaqur të shqetësuar për shtimin e qytetarëve shqiptarë me kombësi greke, duke kërkuar verifikimin e tyre.
Kërkesa e Konsullatës Greke në Gjirokastër është protokolluar me nr 720/110/A.960, mban datën 13 tetor 2010 dhe i është drejtuar prefekturës së Gjirokastrës, nënprefekturave Sarandë dhe Delvinë. “Për nevojat e autoriteteve kompetente greke, të cilët duhet t’u përgjigjen brenda afatit të caktuar kërkesave të ligjshme të shtetasve tuaj, jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me zyrat e gjendjen civile të rrethit, të bashkive dhe komunave të prefekturës suaj, për konfirmimin e vërtetësisë së dokumenteve të ndryshme zyrtare.
Kohët e fundit vërejmë që është shtuar ndjeshëm numri i dokumenteve që janë false ose janë falsifikuar më vonë, sidomos nga rrethet Sarandë dhe Delvinë. Më shumë vihet re falsifikimi i kombësisë, por edhe i emrave.
Lutemi, me autoritetin tuaj si institucion, të sensibilizoni punonjësit kompetentë të gjendjeve civile, si për saktësinë e dokumenteve zyrtare që lëshojnë, por edhe për përgjigjen në kohë të kërkesave tona”, thuhet në kërkesën e Konsullatës së Përgjithshme të Greqisë në Gjirokastër, e cila është firmosur nga konsulli kompetent, Ioannis Rizopoulos (shihni faksimilen).
Në dijeni të kësaj kërkese është vënë edhe Ministria e Brendshme, qarku Vlorë, si dhe nënprefekti Sarandë.
Ndërrimi i kombësisë, procesi gjyqësor më i shkurtër
Sipas informacioneve zyrtare, në Sarandë ka rritje të numrit të proceseve gjyqësore për ndryshimin e kombësisë nga “shqiptare” në “greke”, duke përfituar edhe nga e drejta e fëmijëve për marrjen e kombësisë së njërit prind. Megjithatë, përfituesit e ndryshimit të kombësisë janë në moshë madhore. Në listën javore të gjyqeve për ndryshimin e kombësisë në Lukovë, në Delvinë, Sarandë e Livadhja rezultojnë 8 çështje çdo 5 ditë. Duke iu referuar vetëm Sarandës, për vitin 2009 janë paraqitur 162 kërkesa për ndërrim kombësie dhe janë pranuar 108, ndërsa për vitin 2010 janë pranuar 110 të tilla. Ndryshimi i kombësisë është procesi gjyqësor më i lehtë dhe i shpejtë. Për këtë mjafton hapja e një padie në Gjykatën e Gjyqësorit Sarandë dhe me një seancë nga shqiptar mund të bëhesh grek, nga Sulejman bëhesh Aristidh
Vendimet merren në mungesë
Në pikën 7, ligji 1029, dt. 11 maj 2009, “Për gjendjen civile” përcaktohet se ndryshimi i kombësisë bëhet vetëm me vendim gjyqësor, duke u thirrur në çdo rast si palë në proces shërbimi i gjendjes civile dhe kur kombësia ka qenë e përcaktuar përkohësisht, ose kur është bërë një gabim material. Pavarësisht kësaj, asnjëherë nuk ka pasur përfaqësues të gjendjes civile në këto procese, pasi nuk kanë pasur asnjë interes dhe të gjitha vendimet janë marrë në mungesë. Mbi këto dosje nuk është ushtruar asnjëherë kontroll. Ndërkohë, me marrjen e vendimit për ndryshimin e kombësisë nga një individ, të gjithë anëtarët e trungut familjar e fitojnë të drejtën ta riparaqesin këtë vendim dhe të ndryshojnë kombësinë e tyre në vazhdimësi, nga “shqiptarë” në “grekë”.

Arben Vogli, kreu republikan i Sarandës bëhet grek, i vëllai shqiptar

Tundimit apo dëshirës për të ndërruar kombësinë nga “shqiptare” në “greke”, nuk i kanë rezistuar dot edhe personazhe të njohur. Shumica prej tyre kanë qenë artistë, sportistë, shkencëtarë etj., të cilët kanë zhvendosur aktivitetet e tyre në shtetin helen, por duket se “epidemisë” nuk i kanë shpëtuar edhe politikanë. Një ndër ta është edhe kryetari aktual i Partisë Republikane për rrethin e Sarandës, Arben Vogli, i cili është njëkohësisht anëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit, si edhe drejtor i spitalit “Petro Marko”. Sipas informacionit zyrtar pranë Gjykatës së Sarandës, më 25 prill 2010, qytetari Arben Vogli ka ndërruar kombësinë nga “shqiptare” në “greke”. Trashëgimia e kombësisë është justifikuar nga prejardhja greke e nënës së tij, e njëjta prejardhje që është refuzuar nga i vëllai, Thoma Vogli, i cili vijon të rezultojë me kombësi shqiptare.

Gafa e Bollanos: 3/5 e shqiptarëve ishin grekë

Edhe pse u përpoqëm me çdo mënyrë për të kontaktuar me kryebashkiakun e Himarës për çështjen e ndërrimit të kombësisë, ai “u zhduk nga qarkullimi”, deri në largimin tonë. Po ashtu, nuk iu përgjigj asnjë lloj telefonate apo mesazhi. Megjithatë, e gjithë tentativa jonë ishte me shpresën se mos zoti Bollano do t’i kishte bërë “refresh” mendimit të tij të vitit të kaluar, se 3/5 e shqiptarëve janë grekë. Në ditën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, ai pati hedhur një deklaratë sa të fortë, aq edhe provokuese. Ai theksoi se Shqipëria është një territor i banuar nga grekët që në shekullin e VII para Krishtit, të cilët themeluan edhe qytetin e Dyrrahut, Durrësin e sotëm. Për Bollanon, tre të pestat e popullsisë në jug janë grekë që flisnin greqisht, ndërsa një pjesë tjetër sërish grekë, po që flisnin gjuhën vllahe.

Leave a Comment

%d bloggers like this: