Shkumbini, në merkaton së dimrit do të ketë afrime, dhe jo largime të futbollistëve.

Drejtuesit peqinas prenotojnë akomodimin për përgatitoren e dimrit, objektivat s’ndryshojnë

Shkumbini, që shumë veta e menduan se u fut në krizë të plotë financiare, kërkon t’i sfidojë të gjithë, duke qenë kështu ekipi i parë që planifikon që një muaj përpara fazën përgatitore të dimrit, duke u grumbulluar në kushte të mira stërvitjeje. Nga drejtuesit e klubit bardhekaltër informohemi se është bërë prenotimi përkatës i hotelit për grumbullimin dhe stërvitjen e ekipit për pjesën e dytë të kampionatit.

Pas disa ditësh stërvitje në Peqin, nga data 8 deri më 22 janar të vitit të ardhshëm, ekipi i Shkumbinit do të shpërngulet për të zhvilluar fazën përgatitore të dimrit në Ulqin të Malit të Zi. Drejtuesit e Shkumbinit kanë udhëtuar ditët e fundit drejt shtetit fqinj për të parë nga afër kushtet e hotelit dhe të mjediseve sportive në qytetin e Ulqinit, që sipas tyre i plotëson kushtet, nisur dhe nga klima e favorshme. Drejtuesit janë të vendosur që objektivat e ekipit, edhe pas largimit të presidentit Ndroqi, nuk do të ndryshojnë, duke siguruar se në periudhën e merkatos së dimrit do të ketë afrime, por jo largime të futbollistëve.

Eshtë sekretari i klubit, Astrit Isaj, që e përforcon mendimin e shfaqur ditë më parë, që asnjë futbollist që është në kontratë me Shkumbinin nuk do të ketë mundësi të largohet në një ekip tjetër, megjithë dëshirën që ai mund të ketë apo nga joshja e ekipeve kundërshtare që kërkojnë të forcohen vetë, duke dobësuar Shkumbinin. “Ekipi i Shkumbinit, ashtu si çdo ekip tjetër do të futet në merkato dhe këto përforcime që mund të arrihen, do t’i bëjmë përpara grumbullimit në Mal të Zi.

Menjëherë pas javës së fundit të këtij viti do të shohim të mirat e ekipit dhe anët negative të periudhës që lëmë pas. Ju siguroj që largime nga ana jonë nuk do të ketë, duke u qëndruar korrekt dhe duke respektuar kontratat deri në fund, por shtoj që futbollistë të veçantë që mendojnë se nuk e kanë gjetur si duhet veten në ekip për këtë periudhë, është mirë që me miratimin e me dëshirën e klubit t’u jepet mundësia për të gjetur një ekip tjetër.

Të bëhet e qartë për të gjithë që asnjëri të mos e çojë ndër mend se do të largohet, sepse lëvizjet në ekipin tonë do të jenë shumë të vogla, si në përforcimin e ekipit, ashtu edhe në largimin e lojtarëve,” – deklaron sekretari Isaj. Largimi presidentit Ndroqi nuk është bërë pengesë që Shkumbini të ruajë objektivat e vëna që në fillim të sezonit, të nisur me aq bujë.

Në këto momente të vështira ka qenë kryetari i Bashkisë së Peqinit, Ilir Rrushi, dhe deputeti Sula që kanë marrë përsipër drejtimin e skuadrës, duke i plotësuar deri në një detyrimet e futbollistëve, sipas kontratave që patën lidhur me presidentin Ndroqi. Tregues domethënës i korrektesës së tyre ishte dhënia e shpërblimeve 2 ditë më parë për fitoren e fundit në kampionat me Laçin, ndonëse ekipi vinte pas 3 humbjesh rresht.

No Comments

  1. Julian gjyla says:

    o viktor o njeshe……

Leave a Comment

%d bloggers like this: