Shkumbini: Diopin do ta denancojmë në Interpol!

Dje, nën menaxhimin e Zllatko Daliçit, senegalezi Papa Diop ka firmosur për arabët e Alfaisaly FC

I arratisuri Papa Diop tashmë e ka një identitet. Ish-Lojtari i Dinamos ka firmosur dje për skuadrën e Arabisë Saudite, Alfaisaly FC, e cila drejtohet nga ish-trajneri i Dinamos, pikërisht kroati Zllatko Daliç. Pas disa bisedave të trajnerit kroat me drejtuesit blu, transferimi është bërë i mundur, ku klubi arab mendohet të kenë paguar rreth 50 mijë $ tek arkat e Dinamos për kalimin e futbollistit në radhët e arabëve, ku aktivizohet edhe Migen Memelli. Për Papa Diop dhe Dinamon gjërat duken “OK” në plan të parë, por jo për Shkumbinin të mashtruar nga senegalezi?

Sigurisht drejtuesit e skuadrës bardhekaltër me t’u njohur me faktin se Diop ka firmosur për skuadrën arabe kanë reaguar me një prononcim për “Sportin shqiptar”: “Nuk do ta lemë me kaq çështjen e futbollistit Papa Diop, i cili është treguar tepër i ulët dhe jo profesionist në marrëdhëniet me klubin tonë. Senegalezi është shfaqur tepër i mërzitur përballë nesh, duke kërkuar të aktivizohet te Shkumbini. Ai ka firmosur një parakontratë me ne dhe për siguri financiare na kërkoi shumën e 10 mijë eurove, i cili në një mënyrë tepër ordinere, ka deklaruar përpara nesh se kishte probleme familjare dhe i nevojiteshin lekë. Në mirëbesim se ia dhamë si parapagim shumën e lartpërmendur.

Por ne disponojmë të gjitha dokumentat, që mund t’i bëjmë publike këto ditë, ku është e hedhur qartë firma e Papa Diop për marrjen e shumës, si kapar nga skuadra e Shkumbinit. Ne nuk kemi aspak ndërmend që ta falim lojtarin në fjalë. Madje në bazë të dokumentacionit që disponojmë, ne do ta hedhim në gjyq Diopin dhe do të kërkojmë një dëmshpërblim financiar për mashtrimin që ai bëri ndaj nesh.

Nesë ai nuk paraqitet në gjyq, atëherë ai do të gjykohet në mungesë dhe automatikisht nëse gjykata e shpall fajtor, Diop do të kërkohet nga Interpoli dhe s’besoj se do të na shpëtojë pa na dëmshpërblyer,” – thotë shefi i klubit bardhekaltër, Astri Isaj. Kujtojmë që në një nga numrat e kaluar të gazetës është trajtuar çështja e marrjes së shumës së 10 mijë eurove nga ana e senegalezit. Duket se peqinasit nuk do të dorëzohen. Prania e donatorit dhe juristit të mirënjohur, Dashnor Sula, të bën të besosh se kjo çështje do të ndiqet hap pas hapi dhe mbase mund të përfundojë vërtetë në Interpol.

Mesfushori durrsak do të bashkohet sot me peqinasit në Maqedoni
Bledar Hodo firmos për dy vjet me Shkumbinin

Drejtuesit e Shkumbinit kanë bërë dje një blerje të re për ekipin. Kontigjentit peqinas në Maqedoni do t’i shtohet sot edhe mesfushori durrsak, Bledar Hodo. 25-vjeçari ka firmosur dje një kontatë 2-vjeçare me presidentin Ylli Ndroqi, duke iu shtuar kështu blerjeve të shumta të tij te Shkumbini gjatë kësaj vere. Lajmin e konfirmojnë drejtuesit e Shkumbinit, të cilët shprehen të kënaqur me arritjen e kësaj marrëveshjeje. Me Bledar Hodon, duket se mbushet edhe ai boshllëk në mesfushë, të cilin trajneri Mirel Josa e kishte evidentuar disa herë deri tani.

Vetëm një ditë më parë, trajneri i peqinasve shprehej në një intervistë për “Sportin shqiptar” se i duhej një mesfushor, që mund të mbulonte disa pozicione në këtë repart. Dhe duket se Hodo, të cilin ai e njeh mirë, pasi e ka pasur nën urdhrat e tij kur drejtonte Teutën, ia plotëson më së miri këtë kusht. Nga drejtuesit e Shkumbinit është bërë e ditur se futbollisti durrsak do të udhëtojë sot drejt Strugës për t’u bashkuar me ekipin e ri.

Leave a Comment

%d bloggers like this: