Sevilja: Oferta për Fabianon ishte qesharake

Presidenti Hoze Maria Del Nido ka refuzuar ofertën e Marsejës për sulmuesin brazilian

Presidenti i Seviljes, Hoze Maria Del Nido, e ka cilësuar ofertën e Marsejës si “qesharake” dhe ka pohuar se do ta mbajë sulmuesin brazilian në skuadër. Fabiano ka qenë në qendër të spekulimeve të merkatos këtë verë pas një botërori të mirë për të. Lojtari 29-vjeçar mbetet pa kontratë verën që vjen, por ka një klauzolë në kontratë, që e lejon të largohet për 30 milionë euro. Del Nido këmbëngul se ai nuk do ta lejojë lojtarin të largohet për më pak se ajo shumë.

“Eshtë e vërtetë që Marseja është e interesuar për të, por Sevilja i ka vënë një çmim lojtarit dhe ndërkohë kohës për t’u larguar po i vjen fundi. Sevilja nuk do të lëvizë nga çmimi që i ka vënë lojtarit dhe nuk duam që Marseja të na paguajë këtë shifër, pasi duam që Fabiano të qëndrojë me ne edhe për shumë vite.

Oferta e bërë nga Marseja ka qenë qesharake, edhe pse duket se ata kanë ndër mend të bëjnë një ofertë më të mirë. Ne nuk e dimë se sa është duke i ofruar Marseja lojtarit, por ai ka edhe një vit kontratë me ne. Pa lejen tonë nuk mund të largohet. Marseja duhet të ofrojë çmimin që i kemi vënë ne lojtarit, asnjë euro më pak.
Nëse nuk na ofrojnë atë shumë, do të jetë shumë e vështirë për lojtarin që të largohet.

Duke gjykuar nga situata e sotme, dyshoj se ai do të largohet këtë verë. Por të gjithë e dimë si shkojnë gjërat në botën e futbollit.” Del Nido ka pohuar se e ka gati zëvendësuesin e Luis Fabianos, nëse largohet, duke thënë se ai dëshiron që Fabiano të mos largohet dhe të firmosë rinovimin e kontratës që klubi i ka ofruar lojtarit prej disa muajsh. Luis Fabiano shënoi 15 gola në 22 ndeshje për Seviljen vjet dhe i është afruar mesatares 1 gol për ndeshje për Seviljen, që kur iu bashkua kësaj skuadre nga Porto në vitin 2005. Drejtori sportiv i Marsejës, Hoze Anigo, ka besim se e ka bindur Fabianon të luajë për kampionët e Francës.

“Tani që jam kthyer nga Spanja mund të them që nuk është një marrëveshje e lehtë. Por e rëndësishme është që lojtari ka dëshirë të vijë. Mes Marsejës dhe lojarit nuk ka probleme. E vetmja gjë është si ta largojmë nga klubi aktual, sepse Sevilja kërkon shumë për të. Ne jemi në pritje të përgjigjes së tyre”, ka thënë ai.

Rivaldo preferon Europën
Ish-lojtari i përfaqësueses braziliane Rivaldo ka mohuar se është pranë transferimit te klubi i Majorkës, por nuk ka mohuar se preferon të luajë në Europë. Lojtari 38-vjeçar flitet se mund të kthehet në Primera Divizion e të luajë për klubin ishullor të Majorkës, por Rivaldo ka shkruar në rrejtin social Twitter se e kishte prishur kontratën e tij me klubin uzbek “Bunyodkor” dhe ka hedhur poshtë spekulimet për të ardhmen e tij. “Unë nuk kam dhënë asnjë intervistë për ndonjë media dhe fjalët që thuhen nuk janë të vërteta.

E vërteta është se unë jam pa klub tani dhe se do të kthehem në Brazil. Por telefoni i menaxherit tim nuk ka rreshtur së rëni dhe se shumë klube nga Europa dhe Brazili janë të interesuara për mua. Derisa të zgjidh punët personale, nuk mund të jem shumë online, por ju do të jeni të parët që do ta merrni vesh se ku do të luaj. Unë jam i aftë të luaj kudo sepse jam kujdesur për fizikun tim. Kjo është e sigurt.” Rivaldo e nisi karrierën në Europë në vitin 1996, ku luajti një vit me Deportivo la Korunjën e më pas kaloi te Barcelona për pesë sezone. Me atë skuadër fitoi dy tituj lige dhe Kupën e Mbretit.

Ai ishte Lojtari më i mirë i vitit për FIFA-n dhe Top i Artë 1999 e më pas kaloi edhe një sezon te Milani, ku fitoi Ligën e Kampionëve. Kohët e fundit, Rivaldo ka luajtur për AEK-un e Athinës dhe Olimpiakosin. Rivaldo u bashkua me skuadrën uzbeke “Bunyodkor” në vitin 2008 dhe e ndihmoi atë të fitonte dy tituj lige dhe një kupë një vit para se të skadonte kontrata e tij.



http://www.sportishqiptar.com.al/sevilja-oferta-per-fabianon-ishte-qesharake/

Leave a Comment

%d bloggers like this: