Servantesi dhe historia e lidhjes me shqiptarët

Agolli dhe Kadareja, të dy e kishin objektiv shkrimin e një libri me personazh qendror autorin e “Don Kishotit”…

Vite të shkuara, që në rininë e tyre, dy nga shkrimtarët më të shquar shqiptarë, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, kanë pohuar, apo këtë edhe e kanë shkruar se, secili në llogarinë e tij, kishin pasur për një kohë të gjatë si objektiv shkrimin e një libri, që të kishte si personazh qendror Miguel Servantesin, autorin e “Don Kishotit”.Sipas të dy shkrimtarëve, ata e kishin ushqyer një ide të tillë menjëherë sapo kishin mësuar, se spanjolli i famshëm, në rininë e tij, ishte marrë peng nga një pirat i famshëm i Mesdheut, që ishte shqiptar, pra i së njëjtës racë me ata vetë si dhe me gjithë bashkë-atdhetarët e tyre.Duke shkuar edhe më shumë se kaq, rreth dhjetë vjet më parë, përgjatë një fjalimi të improvizuar në një konferencë, në Bibliotekën Kombëtare të Spanjës, Ismail Kadare, duke përcjellë pandehmat e një folkloristi shqiptar, thotë se Servantesi ka të ngjarë të jetë mbajtur peng në një zonë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke nënkuptuar Ulqinin, dhe se historitë e një robi spanjoll shumë të ditur, për të cilin u pagua një sasi e madhe parash, që të fitonte lirinë, rrëfehen edhe sot e kësaj dite.
Këto këmbëngulje të Kadaresë duket se përforcohen nga gojëdhëna, sipas të cilave, gjatë kohës që u mbajt peng si skllav në Ulqin, Servantesi, emri i të cilit mund të jetë trashëguar nga shqiptarët në format “Servet, apo Sarvet”, ra në dashuri me një femër, kujtimin për të cilën e përjetësoi vite më pas në librin “Don Kishoti” me emrin Dylqinë, pra një emër i ngjashëm me emrin e qytetit Ulqin.
Dhe që këto pandehma të mos bien përtokë, ka edhe një tjetër detaj, edhe më të besueshëm, që thotë se në Ulqin, ka ende një lagje që quhet “Lagjia e skllevërve”.
Në këtë pikë, kurioziteti i çdo fansi apo lexuesi të rregullt të shkrimtarëve tanë të shquar, shkon në limit. Ka pyetje që lindin dhe imagjinatë që futet në punë.
Më tej, gjetja në historinë e largët apo edhe të afërt të paraardhësve-shembuj të forcës ekstreme, i përsillet rrotull krenarisë, porse shpejt ndjenja kthehet në brejtje të ndërgjegjes, kur përballë vihen një pirat shqiptar kokëshkretë dhe një rob spanjoll i zgjuar, që më pas do njihej në gjithë botën…

Por ç’thotë për këtë ngjarje të vjetër historigrafia, që gjithsesi në vitet 1500 pas Krishtit shkruhej pothuaj e plotë për të mbërritur në kohën tonë me pak humbje? Ishte vërtet shqiptar njeriu që mbajti peng autorin e ardhshëm të Don Kishotit, apo jo? Një ngjarje të tillë, pikërisht pengmarrjen për pesë vite me radhë të Miguel Servantesit e ka trajtuar edhe një historiane e njohur hispanike, Maria Antonia Garces në librin e saj “Servantesi në Algjer, një përrallë robërie”, botuar kohët e fundit.
Autorja që ka shfletuar pothuaj të gjithë trashëgiminë arkivore për të ndërtuar këtë libër historik, shpjegon se Servantesi është mbajtur peng vetëm në Algjer, sot kryeqytet i Algjerisë, një zonë që kontrollohej nga otomanët. Pra në asnjë rast historia e Sevantesit nuk ka lidhje me Ulqinin, gjithsesi lidhja me rracën e shqiptarëve mbetet. Pasi autorja shkruan se është e vërtetë që Servantesi u kap dhe u mor peng nga një pirat shqiptar i quajtur Arnaut Mami. Po kështu, në të njëjtin punim, autorja sqaron se më pas, për pesë vjet autori i ardhshëm i “Don Kishotit” u bë pronë e një tjetër pirati dhe më tej u ble përfundimisht nga vetë pashai i Algjerit. Por si e ka ndërtuar në librin e saj këtë pjesë të historisë kjo autore?
Duhet marrë parasysh se në këto kohëra, në vitet 1500, në Mesdhe përballeshin me gjithë forcën ushtarakisht dy qytetërime, ai evropian me atë otoman. Luftime të ashpra zhvilloheshin në tokë por edhe në det, ku Mbretëria e Spanjës që zotëronte një nga flotat më të fuqishme, kishte rol parësor. Ofensiva otomane kishte bërë përparime në Afrikën e Veriut, duke vënë nën zotërim, në vitin 1517, edhe qytetin e Algjerit, që ishte fare pranë portave jugore të Europës, ndërkohë që beteja të fuqishme detare kryheshin ende për zotërimin e disa ishujve të Mesdheut, kryesisht grekë.
Historia …
Historia thotë se Miguel de Servantes Saavedra, fëmija i katërt një mjeku, fillimisht regjistrohet në marinën tregtare spanjolle, por shpejt flota që e paguante përfshihet në njësitë luftarake. Servantesi i ri shkëlqen si ushtarak. Ai plagoset tri herë në fushatat kundër otomanëve, më rëndë në betejën me shumë rëndësi historike të Lepantos, një nocion gjeografik në Gjirin e Korintit, në Greqi.
Pas pesë vitesh shërbim, atë e lejojnë të kthehet në atdhe, në Spanjë. Për shërbimet e tij të vyera ndaj kombit, Servantesi sapo ishte graduar “soldato aventajado” në shqip “ushtar elitar” dhe në kthim kishte me vete edhe 2 letra për Mbretin Filip II të Spanjës.
Të dyja letrat, që Servantesi i ruante me kujdes, kishin vlerën e rekomandimit, me qëllim që mbreti të çmonte atë që ai kishte bërë në luftë. Për fat të keq, pikërisht këto rekomandime, jo vetëm që nuk do i vlenin aspak Servantesit, por do e fusnin në ngatërresa e vështirësi, të cilat do i ndryshonin krejt rrjedhën e jetës, duke e bërë të niste të shihte botën me një sy krejt tjetër.
Gjatë javës së parë të shtatorit të vitit 1575, ushtari elitar Servantes imbarkohet në Napoli të Italisë në anijen “Sol” bashkë me të vëllanë Rodrigo. “Sol” ishte një nga pesë anijet e flotës Spanjolle që duhet të mbërrinin në Barcelonë nën komandën e Don Sancho Leivës. Por, tri ditë më pas, një stuhi godet anijet dhe vetëm tri prej tyre mbërrijnë në destinacion. Anija “Sol” nuk ia del mbanë. Për më keq akoma, më 26 shtator, pranë bregdetitë të Marsejës, kjo anije sulmohet nga piratët.
Kapedani i anijes pirate ishte një shqiptar i frikshëm, që quhej “Arnaut Mami”, emri i të cilit ndërkohë ishte bërë i famshëm në gjithë Mesdheun. Ndërsa mëkëmbësin e tij me origjinë greke e quanin Dali Mami, një emër pak i habitshëm për një grek, të cilin të gjithë kundërshtarët e epitetonin “renegat” apo “tradhtar”. Kjo sepse, sipas tyre, ai ishe rreshtuar në anën e armiqve, në anën e pushtuesve, duke e harruar se në vena i rridhte gjak ortodoks.
Gjithsesi, para se të binin në duar të piratëve, ushtarët spanjollë luftuan me trimëri dhe shumë prej tyre, përfshirë kapitenin, u vranë. Ata që mbijetuan u morën peng dhe të lidhur këmbë e duar dhe u transportuan në brigjet algjeriane.
Letrat që Servantesi kishte me vete i bënë piratët të besonin se ai ishte një njeri i rangut të lartë, për kokën e të cilit mund të jepej një shumë e madhe të hollash. Në të kundërt, i vëllai, Rodrigo, që u konsiderua si ushtar i thjeshtë, iu dha si shërbëtor zotëruesit të Algjerit, Ramadan Pashës. Vetë Servantesi ra në duart e renegatit grek, Dali Mami.
Pra historiografia thotë se që nga ky moment në jetën e Servantesit nuk ka më një pirat shqiptar. Gjithsesi sërish historia e ka të shkruar dhe të pandryshuar tashmë, se ishte pikërisht një pirat shqiptar ai që kapi në det Servatnesin duke i privuar lirinë për 5 vjet me radhë. Duket, në llogaritë e veta, për ta konvertuar këtë lidhje të shkurtër e të pazakontë të fatit të Servantesit me atë të një shqiptari, shkrimtari Dritëro Agolli ka pasur në plan ta tejkalojë në kohë, duke sajuar një kontakt edhe më të gjatë.
Por le të kthehemi tek historiografia spanjolle…
Që Servantesi të lihej i lirë, shuma që duhet t’i paguhej në dorë piratit Dali Mami fiksohet njëherë e përgjithmonë në shifrën 500 escudo të arta, që ishte vërtet marramendëse për kohën. Këtu nis edhe kaluari i vuajtjeve të Miguel Servantesit, madje pohohet se mbajtja peng për pesë vite me radhë ka ndikuar shumë tek ai si një eksperiencë tejet traumatike.
Shpirti rebel i Servantesit nisi të shfaqej vetëm pak kohë pas marrjes peng, në janar apo shkurt 1576. Servantesi bind një banor të fisit “Moor” të shkretëtirës dhe arratiset duke bërë katërqind kilometra rrugë nëpër dunat e Saharasë për të arritur fortesën më të afërt spanjolle të quajtur “Oran”. Por nuk ia del. Vendasi që e ndihmoi e tradhton. Servantesi kapet nga fiset Berbere dhe i kthehet pronarit të vet. Për pasojë, Dali Mami e keqtrajton dhe i shton rojet. Kthimin e tij gjallë nga shkretëtira, në çdo kohë e kanë quajtur një mrekulli.
Në vazhdim Servantesi tenton të arratiset edhe të paktën tri herë të tjera. Në një rast, në shtator 1577, ai fut në lojë spanjollët, që dërgojnë natën një anije për ta tërhequr bashkë me disa pengje të tjerë. Por dikush i tradhton. Ushtarët i gjejnë, Servantesin dhe të tjerët, të futur në disa guva në bregdet dhe i shtrëngojnë që të dalin që andej.
Sot e kësaj dite këto guva në Algjer quhen “Guvat e Servantesit”. Pas ngjarjes, Servantesi, me kurajë, merr përsipër të gjithë organizmin e arratisjes. Për këtë dënohet me vdekje. Ishte koha kur dënimet për arratisjet ishin të pashembullta.
Por në të kundërt, trimëria e Servantesit në këtë rast shpërblehet. Vetë Hasan Pasha, kur dëgjon për kurajën e spanjollit të pamposhtur, ja fal jetën, madje shkon edhe më tej duke ia blerë pengun piratit Dali Mami kundrejt shumës së fiksuar që në fillim, 500 eskudo të arta. Në këtë pikë shkëputet edhe lidhja e Servantesit me piratin grek Dali Mami.
Më 29 maj 1580 dy priftërinj, ndërmjetës të familjes së Miguel Servantesit, mbërrijnë në Algjer. Por zotëruesi i qytetit refuzon të pranojë më pak se 500 escudo të arta në këmbim të spanjollit. Gjithsesi, priftërinjtë nuk tërhiqen dhe pjesën tjetër të të holave e sigurojnë nga tregtarët kristianë të Algjerit. Përfundimisht, Servantesi fioi lirinë pasi të hollat u paguan një më një dhe më 19 shtator 1580 u nis për Spanjë.
Historia tjetër interesante …
Në përfundim, nuk mund të lihet pa përmendur edhe një tjetër histori interesante që thotë se pak muaj pas lirimit dhe mbërritjes në Spanjë, Servantesi përfshihet edhe në një tjetër aventurë me piratin shqiptar që e mori peng. Këtë radhë ai thirret nga Mbreti Filip i Dytë i Spanjës, të bëjë rolin e një ndërmjetësi për këmbim pengjesh.
Pengu që duhet të shpëtohej dhe që mbahej edhe ai në Algjer, ishte një doktor i shquar, i quajtur Antonio De Soza. Ndërsa njeriu që duhet të lirohej për këmbim ishte pikërisht pirati i tmerrshëm shqiptar, Arnaut Mami, që ndërkohë ishte kapur e mbahej në burg në Kastelnovo të Napolit.
Ajo që dihet, dhe që e shkruan edhe historiografia, thotë se lirimi i dy të burgosurve u krye fund të vitit 1580. Ndërsa ajo që nuk dihet është nëse të dy, spanjolli dhe shqiptari, kanë mundur ose jo, të kenë një kontakt të fundit ballë për ballë, një këmbim përshëndetjesh kalorësiake si mirënjohje për vlerën e njëri-tjetrit, apo qoftë ca vështrime urrejtjeje, mes dy njerëzve të dy kampeve kundërshtare për vdekje, në këtë epokë të historisë.
Krejt çuditshëm, në vitet e ardhme, Servantesin si shkrimtar nuk e bëri të famshëm historia e pesë viteve të tij peng, krejt e thjeshtë për t’u sjellë me të gjitha ngjyrat e saj, por një tjetër, aspak e ngjashme, ajo e Don Kishotit, një kalorësi jashtë kohës, që i humb të gjitha betejat, por jo ato brenda shpirtit të tij.
Një trill që ngjan shumë edhe me faktin se edhe dy nga shkrimtarët më njohur shqiptarë, Kadareja dhe Agolli, në asnjë kohë nuk u ulën të shkruajnë historinë e pengmarrjes së Servantesit nga një pirat shqiptar.

Por nga ana tjetër, Dritëro Agolli, sikur të ecte sipas mënyrës përzgjedhëse të Miguel Servantesit, në vitin 1972 publikoi librin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, duke realizuar figurat e papërsëritshme të Zylos dhe Demkës. Një duet personazhesh kryesorë, sjellja e të cilëve u ngjan shumë veprimeve të Don Kishotit dhe Sanço Pançës, këtë radhë të vendosura me saktësi mjeshtërore në terrenin shqiptar, madje në një periudhë kohore kur regjimi komunist ishte shtruar këmbëkryq duke dhënë sinjale jetëgjatësie…

Leave a Comment

%d bloggers like this: