Semuret Josip Kuzhe, s’mund ta drejtojë dy ndeshjet e radhës

Trajneri i kombetares kuqezi vijon te “luftoje” me semundjen e rende, qe e ka prekur te enjten ne mesdite, i shtruar aty, ne dhomen 102 te Spitalit Amerikan te Tiranes. Nen kujdesin e te gjitheve, ndersa bashkeshortja i qendron te koka. Oret kalojne dhe ankthi sa vjen e shtohet, si per shendetin e vete trajnerit te kombetares, por edhe per fatin e kuqezinjve, ne dy ndeshjet e radhes. te cilet kane mbetur pa “koken” e tyre drejtuese, qe tashme dergjet ne krevatin e neuro-kirurgjise, ne spitalin e njohur privat ne Tirane. Drejtuesit e FSHF-se, para dilemes se drejtimit te kombetares per dy ndeshjet e radhes, qe jane shume shpejt, me 8 dhe 12 tetor, por edhe te vijimesise se stolit kuqezi. Sepse semundja qe ka prekur Kuzhen, jo vetem qe ve ne rrezik serioz jeten e “pacientit”, por edhe ne rastin me te mire, nuk pranon ngarkesa fizike, aq me teper emocionale, qe per nje trajner futbolli jane me shumice.

E premte, 1 tetor
Mjekët: Kuzhe nuk mund ta drejtojë kombëtaren dy ndeshjet e radhës
Mjeku neuro-kirurg i Spitalit Amerikan të Tiranës, Fatos Olldashi, që ka asistuar trajnerin kuqezi, Josip Kuzhe, pas një konsulte të bërë edhe me profesorin e neuro-kirurgjisë shqiptare, Mentor Petrela, ka sqaruar se tekniku kroat do të mbahet nën kontroll të rreptë, ndërsa dërgimi apo jo jashtë vendit, do të varet nga ai vetë apo nga familjarët e tij. Mjeku neuro-kirurg konfirmoi gjithashtu se kroati 57-vjeçar nuk mund ta drejtojë dot skuadrën në dy ndeshjet e afërme kualifikuese, me Bosnje-Hercegovinën dhe Bjellorusinë, vendimtare për fatet e Shqipërisë në Euro 2012. Sipas tij, një gjë e tillë është e pamundur, ndërkohë që Kuzhe ende nuk e ka kaluar rrezikun për jetën, megjithëse situata e tij dukej drejt përmirësimit.
– Doktor, si erdhi trajneri Kuzhe këtu, në spital?
– Atëherë, në orën 15.00, mbërriti në spitalin tonë pacienti Josip Kuzhe, që është edhe trajneri i ekipit kombëtar. Gjendja e tij nuk ishte e rëndë, pacienti komunikonte, lëvizte. Më pas, iu bënë ekzaminiminet e nevojshme, nga të cilat rezultoi se ai kishte një hemorragji celebrale.
– Si është situata tani?
– Situata vazhdon që të jetë e mirë, parametrat e tij janë normalë dhe nën kontroll. Po ndiqet në dinamikë dhe shpresojmë që të jetë në këtë gjendje si edhe të ketë një përmirësim sa më të shpejtë.
– A duhet dërguar jashtë vendit?
– Kjo është një pyetje që bëhet shpesh, por unë ju them se ky spital siguron kushtet për trajtimin përfundimtar të tij. Por, sidoqoftë, alternativa e transferimit jashtë vendit, mbetet në dorë të pacientit dhe të afërmve të tij.
– A mund të themi se në këto momente trajneri i kombëtares Josip Kuzhe është jashtë rrezikut për jetën?
– Për jetën, por mund të themi që situata e tij është stabilizuar dhe kjo jep shpresa të mëdha.
– Kjo do të thotë që ai nuk mund ta drejtojë kombëtaren pas një jave, në ndeshjen me Bosnje-Hercegovinën?
– Unë nuk e ndjek shumë programin sportiv të kombëtares, por mund t’ju them se ai në këto momente nuk është i aftë që të drejtojë kombëtaren. Trajneri është koshient, komunikon, por nuk është gati për të qenë në një fushë futbolli.
– As nëse gjërat ecin mirë?
Ne shpresojmë që situata të përmirësohet shpejt, por sot nuk mund t’ua themi këtë. Do bëhen ekzaminime të tjera dhe nesër dhe do të kemi një ide më të qartë.
– Nga sa keni folur me pacientin, a ka pasur probleme të tilla në të shkuarën?
– Jo, pacienti nga sa është pyetur ka thënë se nuk ka patur probleme të kësaj natyre.
– Mund të bëhet një transportim i tij jashtë vendit?
– E thashë që këtë e vendos familja, por nëse bëhet, duhen mjete shumë të specializuara.

Duka: Kuzhe s’e drejton dot kombëtaren këto dy ndeshje
Lajmin për mosgadishmërinë e trajnerit Kuzhe për dy ndeshjet e radhës, me Bosnjën dhe Bjellorusinë, e ka dhënë edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Pasi është konsultuar edhe me mjekët, që po merren me trajtimin shëndetësor të sëmundjes së trajnerit Kuzhe, Duka ka pohuar për mediat: “Eshtë e sigurtë se Kuzhe nuk mund ta drejtojë kombëtaren në dy ndeshjet e radhës. Kjo, si pasojë e hemorragjisë cerebrale, që ka pësuar të enjten. Mjekët e përjashtojnë cdo mundësi, edhe në rastin më të mirë, që Kuzhe të përballojë drejtimin e këtyre dy ndeshjeve nga stoli.”
Megjithatë, Duka nuk ka dashur të flasë për ndonjë zëvendësues, duke konsideruar si primare në këtë situatë jetën e vetë trajnerit kuqezi. Gjithsesi, zëra të ndryshëm në FSHF thonë se për dy ndeshjet në fjalë, kombëtarja mund t’i besohet ndihmësit të Kuzhes, Xhemal Mustedanagicit, i cili është njeriu që e njeh po aq sa kolegu i tij i sëmurë situatën në kampin kuqezi. Ndoshta, për këto dy ndeshje do të jetë ai, njeriu i stolit të kombëtares, ndërkohë që përflitet se mund t’i atashohet për ndihmë edhe ndonjë teknik shqiptar. Më pas, në varësi të situatës shëndetësore dhe prognozës që do të bëjnë mjekët për Kuzhen, do të vendoset për vazhdimin ose jo të drejtimit të kombëtares nga trajneri aktual, që të enjten ka përfunduar nga shtratin e spitalit amerikan të Tiranës, pas një hemorragjie cerebrale.

E enjte, 30 shtator
Trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Josip Kuzhe, ka pësuar një hemorragji cerebrale të enjtën pasdite, cka e ka rënduar shjumë gjendjen e tij shëndetësore. Menjëherë, me urgjencë, kroati i pankinës kuqezi është dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku u është nënshtruar vizitave të mjekëve, të cilët kanë dhënë edhe diagnozën e një sëmundjeje serioze; “hemorragji cerebrale”. Në fakt trajneri i kombëtares po kalonte një situatë gripale ditët e fundit, por shëndeti i tij është përkeqësuar menjëherë, duke kaluar në një gjendje të rënduar, në shtëpinë e tij, të marrë me qera nga FSHF-ja për të në Tiranë. Pranë tij ka qenë bashkëshortja, e cila menjëherë ka njoftuar drejtuesit e FSHF-së, të cilët kanë mbërritur me urgjencë, duke asistuar në dërgimin e menjëhershëm në spital. Atje ku mjekët kanë dyshuar menjëherë për diagnozën, por nuk e kanë deklaruar pa bërë ekzaminimet përkatëse të Kuzhes. Në fund është konstatuar se trajneri i kombëtares sonë ka pësuar një hemorragji cerebrale. Natyrisht, mjekët kanë filluar terapinë intensive, në përputhje me këtë sëmundje, ndërkohë që stafi drejtues i FSHF-së ka nisur procedurat për ta nisur jashtë vendit trajnerin Kuzhe, në ndonjë klinikë të specializuar përëndimore, por mjekët kanë saktësuar se nuk këshillohet asnjë lloj lëvizjeje, edhe e vockël e të sëmurit në të tilla raste, jo më t’u nënshtrohet rrugëtimeve të gjata ndërshtetërore. Për momentin ai gjendet i shtruar në Spitalin Ushtarak të Tiranës, në gjendje të rëndë shëndetësore dhe gjendet nën kujdesin e rreptë të mjekëve. Ndërkohë, një konsultë mjekësore urgjente i ka bërë trajnerit kuqezi edhe mjeku i shquar neurolog shqiptar, Mentor Petrela, që ka pohuar se Kuzhe ka pësuar një hemorragji celebrale, por për momentin nuk është i domodoshëm transportimi për jashtë vendit, ku mund të marrë një kurim më të specializuar. Gjithsesi, një vendim përfundimtar në lidhje me këtë do ta marrë familja e teknikut kroat. Kuzhe u godit nga hemorragjia celebrale pasditen e sotme, rreth 1 javë para ndeshjes së tretë eleminatore për “Euro 2008”, kundër Bosnjë Hercegovinës në “Qemal Stafa”.
Ora 22:00: Situata nën kontroll
Orët e para, që pas shtrimit në spital të trajnerit kuqezi, Josip Kuzhe, kanë kaluar, ndërkohë që përkujdesi mjekësor ndaj tij vijon të jetë në shkallën maksimale. Gjithashtu, interesi i drejtuesve të FSHF-së, me në krye presidentin Armand Duka, që kanë qenë prezent në Spitalin Amerikan në Tiranë, ku ndodhet Kuzhe, në ka qenë konstant, duke mbajtur kontakte të rregullta me mjekët që po ndjekin ecurinë e sëmundjes, që preku papritur trajnerin e kombëtares. Sipas këtyre të fundit, të prononcuar rreth orës 22:00 të mbrëmjes së të enjtes, gjendja shëndetësore e Kuzhes është nën kontroll. “Krahasuar me situatën në fillim, situata shëndetësore e Kuzhes duket më e stabilizuar. Parametrat vitalë janë nën normë. Është në monitorim të vazhdueshëm, janë bërë 2 konsulta. Të paktën me gjendjen në të cilën paraqitet në këtë moment është teorikisht pak më mirë situata cerebrale, në krahasim me atë që erdhi. 24 orëshi i parë shpresojmë të kalojë me këtë gjendje, ndërsa me kalimin e kohës shpresojmë të përmirësohet edhe më tej”, – deklaroi mjeku reanimator, Nikolin Filipi.
Nga ana tjetër, mjekët e Spitalit Amerikan në Tiranë u shprehen se tashmë transferimi i trajnerit Kuzhe në një spital jashtë vendit mbetet në dorë të tij dhe të familjarëve të vet, pasi lëvizja, sado e vogël, në raste të goditjeve të tilla cerebrale, është e ndaluar nga normat mjekësore. Gjithashtu, nuk u dha asnjë afat kohor nga mjekët, se kur Kuzhe mund të riaftësohet për t’u vënë në drejtimin e kombëtares.

Shkruajnë mediat e huaja
“Adevarul”, Rumani
Josip Kuzhe, trajneri kroat i kombëtares së Shqipërisë, kundërshtares së Rumanisë në grupin D kualifikues për “Euro 2012”, u pranua në gjendje emergjence natën e kaluar në një nga spitalet e Tiranës, pasi pësoi një hemorragji të trurit. Josip Kuzhe ka regjistruar 7 ndeshje pa humbur në krye të Shqipërisë, por ka shumë të ngjarë të humbasë ndeshjen kundër Bosnjës, javën e ardhshme. Tani për tani trajneri kroat është në një spital në Tiranë, pasi të enjten në mbrëmje pësoi një hemorragji cerebrale. Gjendja e tij shëndetësore është mjaft serioze, ndërsa mjekët shqiptarë nuk kanë marrë në konsideratë transportimin e Kuzhes për një klinikë të specializuar në Austri. Në intervistën e tij të fundit në shtypin boshnjak, Kuzhe tha se Rumania do të fitojë në Paris.

”Associated Press”, ndërkombëtare
TIRANË, Shqipëri. Trajneri i kombëtares së Shqipërisë në futboll, Josip Kuze, ka pasur një goditje cerebrale pasditen e së enjtes, por gjendja e tij, me kalimin e orëve, është shënuar si stabile. Zëdhënësi i Federatës Shqiptare të Futbollit, Tritan Kokona, thotë se kroati 57-vjeçar është marrë nën kujdesin shëndetësor nga një spital privat në Tiranë. Kokona thotë se ka folur me Kuzhen, ndërsa shton se mjekët janë duke kontrolluar parametrat e duhur mjekësorë, për të dhënë “ok”-in nëse ai është i fortë sa duhet, për t’u transportuar në një spital jashtë vendit. Në 10 ndeshje në krye të Shqipërisë, prej majit të vitit 2009, me Kuhen në krye, Shqipëria ka fituar katër ndeshje, ka barazuar katër të tjera dhe ka humbur dy.
Ndeshja e radhës kualifikuese për Kampionatin Europian e Shqipërisë është në shtëpi, kundër Bosnjë Hercegovinës, më 8 tetor.

“Nacional”, Kroaci
Ish-trajneri Dinamos së Zagrebit, aktualisht trajner i kombëtares së Shqipërisë, Josip Kuze, ka pësuar një hemoragji cerebrale. Kur gjendja e tij të jetë e stabilizuar, ai do të transferohen me aeroplan për në Zagreb. Tani për tani nuk dihet se si ishte goditja e fortë, por sipas disa raporteve të lajmeve, merret vesh se Kuzhe nuk ka rrezik për jetën. 57-vjeçari Josip Kuze u pranua të enjten në një spital amerikan në Tiranë. Kuzhe e mori drejtimin e ekipit kombëtar shqiptar vitin e kaluar. Në stolin kuqezi ai zëvendësoi holandezin Arie Haan, i cili dha dorëheqjen. Nën udhëheqjen e tij, Shqipëria u ka bërë një nisje të shkëlqyer kualifikueseve për në Kampionatin Europian 2012. Aktualisht, Shqipëria renditet e para në grupin D, me katër pikë, sa ka edhe Bjellorusia. Pas shqiptarëve janë Franca, Bosnja, Rumania dhe Luksemburgu.

Ç’është hemorragjia cerebrale
Hemorragjia cerebrale njihet ndryshe nga populli edhe me fjalët “i ra pika”, ose “i plasi gjaku në tru”. Më të rrezikuar nga kjo sëmundje janë njerëzit që kanë probleme me zemrën dhe qarkullimin e gjakut. Për këta të sëmurë, mjekët rekomandojnë që të evitohet sa më shumë ekspozimi ndaj diellit, sidomos në orët më të nxehta të ditës, pasi temperaturat e larta bëhen shkak për rritjen e presionit të gjakut. Faktorët kryesorë që ndikojnë në avancimin e kësaj sëmundjeje kaq të rrezikshme janë: pirja e duhanit, mbipesha dhe migrena. Nëse këta katër faktorë do të puqeshin së bashku, rreziku për një hemorragji cerebrale do të ishte i dyfishtë dhe shumë i rrezikshëm për jetën, aq sa mund të themi vdekjeprurës.
Shenjat
Hemorragjia cerebrale, ose infarkti i trurit, kryesisht ndodh në moshat mbi 60-vjeç, por njihen raste edhe në moshat e reja. Shenjat kryesore, që i sëmuri paraqet, janë: nuk flet (nuk mund të shqiptoj dot asnjë fjalë), ose nuk i kuptohen fjalët (belbëzon); nuk lëviz gjymtyrët (dorën ose këmbën); tërheqje e muskujve të fytyrës, të asaj ane që nuk lëviz dorën ose këmbën; urinon dhe defekton në mënyrë të pavullnetshme; të dridhura të pjesshme ose në të gjithë trupin; të vjella. Në këtë situate, nëse i sëmuri ka të vjella, është mirë që të bëhet kthimi i kokës në anën e majtë, me qëllim që të mos bllokohen rrugët e frymëmarrjes dhe të hiqen protezat, kur ato janë.
Rreziku
Hemorragjia cerebrale quhet ndryshe, edhe infarkti i trurit. Ai vjen si rrjedhim i bllokimit të një arterie në tru, që pengon dhe qarkullimin e gjakut. Në tri orët e para, pas rënies së infarktit të trurit, kemi masën e shpejtë me medikamente. Në rastet kur pacienti nuk arrin të përmirësohet me medikamente, është i detyrueshëm një operacion urgjent. Afro 80 për qind e këtyre pacientëve nuk mbijetojnë më shumë se një javë. Ndërsa pacientët që arrijnë të mbijetojnë dhe të përmirësohen brenda 48 orëve, kanë shanse të mira për jetesë. Për të mënjanuar një sëmundje të tillë të rrezikshme, një kujdes i madh duhet treguar me ushqimin dhe sportin. Mënjanimi i lyrave si dhe ushtrimi i sportit është një domosdoshmëri, që rregullon cilësinë e jetës së njeriut.
Trajtimi
Studim mbi njohjen e mënyrave e reja për trajtimin e hemorragjisë cerebrale ka nxjerrë në pah se kjo sëmundje është një nga shkaktarët kryesorë të vdekjeve. Por në ç’mënyrë mund të parandalohet kjo sëmundje? Për përgjigjen e kësaj pyetje janë zhvilluar një seri studimesh dhe shumë prej tyre rekomandojnë ilaçe të ndryshme. Por pyetja që tani shtrohet është se sa njihen këto ilaçe e mënyra të reja nga personeli mjekësor në klinika e spitale. Në këtë kuadër, kohët e fundit u botua një analizë shkencore, e cila merr në shqyrtim mbi 400 studime të kryera mbi hemorragjinë cerebrale. Përfundimet e analizës lënë të kuptohet se personat e prekur nga hemorragjia cerebrale nuk kanë qenë në gjendje të marrin trajtimin e duhur mjekësor, pasi në shumë raste personeli mjekësor nuk ka dijeni rreth mënyrave të reja të efektshme për trajtimin e kësaj sëmundjeje. Shkencëtarët shqyrtuan me kujdes afro 400 raste me hemorragji cerebrale dhe vunë re se në disa klinika pacientëve të moshuar u ishin mohuar ilaçe kundër koagulimit të gjakut që janë provuar si parandalues të efektshëm të hemorragjisë cerebrale tek personat që vuajnë nga aritmia e zemrës. Këto ilaçe nuk u jepeshin të moshuarve, pasi personeli mjekësor shqetësohej se ilaçi mund të shkaktonte hemorragji nëse pacienti padashje rrëzohej. Por kërkimet e hershme kanë treguar se ky lloj trajtimi nuk shkakton asnjë problem tek të moshuarit. Ekspertët thonë se të kesh ilaçin e të mos dish ta përdorësh është njësoj si të mos e kesh, prandaj u bëjnë thirrje mjekëve dhe të gjithë personelit mjekësorë që t’u kushtojnë më shumë vëmendje arritjeve të reja në këtë fushë e t’i vënë ato në zbatim.
Sëmundja në shifra
Femrat preken më shpejt se meshkujt nga kjo sëmundje.
Hemorragjia ndodh kryesisht në moshat mbi 60-vjeç.
Rreth 15 për qind e pacientëve janë nën 45-vjeç.
Por njihen raste të sëmundjes edhe në moshat e reja.
80 për qind e pacientëve që nuk përmirësohen me ilaçe nuk mbijetojnë më shumë se një javë.
Pacientët që arrijnë të mbijetojnë dhe të përmirësohen brenda 48 orëve, kanë shanse të mira për jetesë.
Sporti Shqiptar

Leave a Comment

%d bloggers like this: