Salihi: Ne Islande per fitore

hamdi salihiHamdi Salihi ka qënë figura qëndrore e ndeshjes së djeshme, me lojën e zhvilluar por edhe me fatin që kishte kundrra, me aktivizimin e tij në pjesën e dytë gjithçka ndryshoi në lojën e kuqezinjve ndaj Sllovenisë, duke qënë në tre aksione shumë pranë golit, që fati dhe heroi Handanoviç ja mohuan.

Nuk ka arritur t’u besojë syve Hamdi Salihi në minutën e 56-të, kur portieri i Sllovenisë, Samir Handanoviç, i mohoi një gol të sigurt. Çani e uli bukur topin me gjoks në zonë, shkodrani u rrotulla rreth vetes duke nxjerr blof mbrojtësin që po e markonte dhe në gjysmë kthesë, ballë për ballë me portierin, tentoi që ta çonte topin në cepin më të largët, por gardiani i Interit arriti që me majën e gishtave ta devijonte në korne. “Kujtova se shënova dhe u bëra gati të festoja. Mirëpo, kur ktheva kokën, në harkun e një sekonde pashë që topi përfundoi jashtë në korne. Nuk u besoj syve sesi portieri arriti ta priste atë top. Isha i pafat, por jo vetëm në atë rast. Edhe Valdet Rama më vonë pati një mundësi të artë shënimi dhe portieri i tyre ishte në superformë dhe arriti që t’i ndalte këto gjuajtje. Më vjen realisht keq, pasi bëmë një ndeshje të mirë. Pësuam një gol nga një goditje fatale në pjesën e parë, por në të dytën e detyruam kundërshtarin që të mbyllej në zonë. Duhej të kishim shënuar dhe me lojën e zhvilluar e meritonim të paktën barazimin”, ka deklaruar Salihi.

Në fund Hamdi Salihi është pyetur se sa shanse ka Shqipëria që të kualifikohet, duke pasur parasysh edhe kalendarin e ekipeve kundërshtare, është përgjigjur. “Ne, pavarësisht se po mundemi edhe kur nuk e meritojmë, do të vazhdojmë që të luajmë kështu edhe në takimet e tjera, por me shpresën për të fituar dhe është mëse e hapur mundësia. Do të shkojmë në Islandë për të marrë pikët maksimale”, ka përfunduar komentin e tij nga Lubjana, sulmuesi 29-vjeçar shkodran.

Leave a Comment

%d bloggers like this: