Sali Berisha ne Facebook ben per vete fansat

sali-berisha-ne facebookSali berisha ka arritur te kaloje per numer fansash, kundershtarin e tij politik ne me pak se nje jave ne rrjetin social Facebook.

Duhet të kesh me të vërtetë shumë durim për të eksploruar faqen e re në Facebook të krijuar më 8 dhjetor, pra vetëm një javë më parë, nga Kryeministri Berisha. Ai e pat deklaruar vetë këtë nismë të re në një takim me të rinjtë. Me rreth 190 mijë fansa deri tani, Berisha e ka zbritur nivelin e komunikimit me fansat e tij virtualë në nivelet e një njeriu të zakonshëm, por natyrisht duke bërë statuse që i shërbejnë më së shumti punës së tij dhe fare pak mbi jetën private. Çdo status komentohet nga mbi 400 fansa, pëlqehet deri nga 12 mijë fansa dhe ndahet nga mbi 150 persona. Popullariteti i kësaj faqeje ishte më se i pritshëm, pasi gjithnjë ka kuriozitet kur një figurë publike vendos të komunikojë në vetë të parë me njerëzit që e pëlqejnë. Dhe kur bëhet fjalë për një kryeministër, interesi është akoma më i madh. Nuk e dimë ç’mendon Kryeminstri për ndjekësit e kësaj faqeje, por siç ndodh në këto raste, ndjekësit nuk është e thënë që të jenë të gjithë adhuruesit e tij, pasi ka shumë navigues që bëhen pjesë të këtyre faqeve edhe thjesht për kuriozitet, për të parë një mënyrë tjetër të sjelli të Kryeministrit, ndryshe nga qasja e tij mediatike, në takime strikte dhe formale zyrtare. Faqja e Berishës në facebook është po aq trendy sa rekordet e tij të notit apo ngjitjet në malin e Dajtit, duke shtuar kuriozitetin edhe të atyre që politika i lë disi indiferentë. Interesante në këtë faqe janë komentet e fansave. Megjithëse Kryeministri ka vendosur aty edhe numrin e telefonit, ku kërkon që për çdo shqetësim të komunikojnë me të, të paktë janë ata që e shohin atë faqe si një mundësi më shumë për të shpalosur problemet e tyre. Janë të paktë ata që i kujtojnë Berishës në Facebook, që në fshatin e tyre nuk ka shkollë, që në qytetin e tyre nuk ka rrugë, drita, ka të tjerë që i thonë që ka korrupsion në arsim dhe mjekësi, por siç e thamë, janë zëra që mbeten në minorancë në këtë komunitet virtual. Ushtria tjetër e komentuesve janë profile të ngjashme me ata të militantëve që mbushin sheshet kur PD-ja ka miting, pasi nuk shprehin asgjë tjetër përveç adhurimit për të. Madje ka shumë prej tyre që e ekzagjerojnë me komplimente, duke na kujtuar mënyrën si dikur adhurohej udhëheqësi komunist, Hoxha. Ja disa komente:

– Sot e kësaj dite ti je bota!
– Je politikani më i mirë në Shqipëri, askush nuk ta bën fjalën dysh, ia ke ba malore këtyre socialistëve.
– O mbret, o Skënderbeu i kombit.
– Sali o yll, o ëmbëlsira e pavarësisë!
– O bishë, o njish!
– Ju mendoni si i ri, keni humor dhe shumë intrigues, kur do shkoni  te Aparamenti 2 XL?
– Unë për ty e bëj ‘97, vetëm më jep një urdhër.
– O  llokum, o gushpëllumb, Zoti të rujt e bësh 1 milion vjeç!
– Ishalla nxjerrin shkencëtarët ilaçin e pavdekësisë që të jetosh përgjithmonë.
– Ti je Skënderbeu dhe Gandi i Ballkanit.
– Pranojmë më mirë fundin e botës me 21 dhjetor, sesa Edi Ramën kryeministër.

Por ka nga ata që i bëjnë edhe vjersha:

Korrupsionin e luftove/ngrite rroga dhe pensione/luftove krimet e rana/ të uroj Barak Obama/Berluskoni nga Italia, dhe nga Franca Sarkozia/Deklarojnë të tanë një fjalë/ lum Shqipria që të ka djalë!

Pjesa tjetër e komentuesve, ata që ngrenë probleme dhe i bëjnë pyetje, në përgjithësi sulmohen nga pjesa lart që bën vjersha. Ndërkohë këta vijojnë të shkruajnë mbi shqetësimet e tyre, por ankohen se Berisha nuk u kthen përgjigje. Madje disa dyshojnë se njeriu që bën statuset në fb mund të mos jetë vetë Berisha. Njëri prej tyre i lexon me kujdes ato dhe thotë që shqipja e përdorur në fb është shumë letrare, ndryshe nga ajo që përdor Berisha kur e shohim në televizor. Ja çfarë shkruajnë disa nga komentuesit gjakftohtë:

– Të gjithë po çmendeni pas Berishës, por unë kam kuptuar se politika është një lojë dhe fiton ai që di ta luajë më mirë. Një pyetje kisha për kryeministrin, a e ka kujtuar ndonjëherë Çamërinë?
– Nëse je këtu për të na mbështetur, na kthe përgjigje për pyetjet.
– Aman kushedi kush i shkruan këto statuse, S.B kot shkruan.
– Zoti kryeministër, historia njeh shumë burra shteti të cilët pas disa vitesh karrierë politike thanë “deri këtu ishte”. Po juve ju vjen ndonjëherë në mendje kjo, apo ne shqiptarëve vetëm vdekja na ndan nga politikanët?
– Akoma nuk je lodhur me hipokrizi? S’ke faj kur bagëtia të vjen nga pas.

Ndërkohë është edhe pjesa pothuajse indiferente për simpatitë partiake. Ata kometojnë njëlloj si te faqet e miqve te tyre. P.sh., njëri i jep vetes të drejtë që ta trajtojë Kryeministrin si shok, duke e pyetur: “Hë Sali si të kam, si je zgjuar sot?” Ose një vajze e re e cila, duket se beson tek apokalipsi i 21 dhjetorit, i bën këtë pyetje: “Zoti Berisha ku do të jesh më 21 dhjetor që të vijmë edhe ne aty?”
Pra, si përfundim, përtej qëllimit për të fituar sa më shumë popullaritet duke përdorur rrjetet sociale, kjo faqe ka edhe pjesën e saj zbavitëse, sepse njerëzit duke qenë para një kompjuteri, ndihen më të lirshëm për t’u shprehur edhe kur bëhet fjalë për të parin e qeverisë.

Leave a Comment

%d bloggers like this: