Sabri Godo-Vangjel Dule, pro dhe kundër regjistrimit

Janë qindra kërkesa, që janë drejtuar në Gjykatat e Gjirokastrës dhe Sarandës për ndryshimin e Kombësisë shqiptare drejt asaj greke, pak para regjistrimit të popullsisë në Shqipëri. E ndërsa një pjesë e madhe është aprovuar një pjesë tjetër e tyre është bllokuar. Pas apelit të nënkryetarit të KLD-së, Spahiu, është kryetari i Gjykatës së Sarandës, zoti Çela, i cili kërkon interpretimin e Gjykatës Kushtetuese. “Lëshimi” i parë, grekët, tërheqin konsullin e shumëpërfolur

 

Nëse në 20-vjetorin e themelimit të “Omonias” në Korçë, konsulli grek Theodhoros Ikonomu në përshëndetjen e tij drejtuar “grekëve” të Korçës nuk do të thoshte se “Korça quhet Vorio-Epir”, Shqipëria do të vazhdonte përhumbjen në tollovinë e saj të protestave dhe mega-koncerteve. Por, ja, që gjërat s’rrinë asnjëherë qetë. Në procesin e regjistrimit, që do të bëhet së shpejti dhe që përbën një nga çështjet më madhore të shqiptarëve, në zërat e kombësisë, religjionit etj., parashikohet që në Jug të vendit, të ketë shumë banorë që do të referojnë kombësinë greke. Vendi i përfshirë në një ngërç të paparë politik në historinë e tij, duket se është krejt i papërgatitur për t’u përballur me këtë çështje në disa aspekte. Së pari, shteti shqiptar ka ratifikuar konventat ndërkombëtare dhe si rezultat duhet t’u përgjigjet detyrimeve të tyre. Së dyti, Ligji i Gjendjes Civile parashikon elementin kombësi, e cila nuk parashikohet në Kushtetutë dhe kjo ka lënë shteg që shumë banorë në jug të ndryshojnë. Ky ka qenë momenti, që nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu, kur ka parë numrin e çështjeve në fjalë dhe konfliktin ligjor, të apelojë direkt: Në Gjykatën e Gjirokastrës janë dhënë 1600 vendime për ndryshimin e kombësisë nga shqiptarë në grekë, ndërsa në gjykatën e Përmetit janë evidentuar plot 600 të tilla. “Duhen ndryshime në Ligjin e Gjendjes Civile, që e parashikon këtë”. Por më shumë akoma, procesi të themi i greqizmit (pasi nuk ka pasur lëvizje masive nga minoritete të tjera), është bllokuar disi nga vendimi personal i kryetarit të Gjykatës së Sarandës, Alltun Çela, që i ka kërkuar interpretim Gjykatës Kushtetuese. Çështja është për një interpretim në lidhje me indekset e Kombësisë dhe shtetësinë. Në të drejtën ndërkombëtare publike, termi ‘kombësi’ nuk trajtohet si nocion juridik, por si përkatësi etnike. “Ndaj Kombësia nuk sjell më pas të drejta dhe detyrime për individin, ashtu si bën shtetësia e tij, as nuk është e rëndësishme për të individualizuar të drejtat e tij në aspektin familjar, aq sa nuk citohet fare në Kodin e Familjes”, ka thënë zoti Çela. Tashmë, është problem juristësh, të cilët duhet të flasin, ndërsa për burokratët e shtetit shqiptar, është një paralajmërim për ngutjen e tyre qesharake në ratifikime. Sjellim dy personazhe të rëndësishëm politikë për çështjen, të cilët japin opinione të ndryshme me çështjen. Zoti Dule kërkon respektimin e vullnetit, që buron nga angazhimet shqiptare; ndërsa zoti Godo, kërkon anulimin e këtyre. Në të njëjtën ditë, që flasin personazhet tona, Greqia e tërheq në atdhe konsullin “largpamës”…

***

“Vetëdeklarimi, qeveria një
sy qorr dhe një vesh shurdh”

Flet zoti Sabri Godo, kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane. Shqetësimi i tij përveç përpjekjes për greqizmin, që e shikon si një rrezik të madh, lidhet dhe me faktin se po preket Korça, një nga bastionet më të kulluara patriotike, që lidhet me ortodoksinë shqiptare

Sabri Godo nuk ka folur shumë këto ditë. Shëndeti dhe mbi të gjitha problemet e shumta, që ka vendi, në një farë mënyre e kanë bërë të stepet. Por, për përpjekjen për ndryshimin e kombësisë së shumë bashkatdhetarëve të tij është i prerë. Duhet të ndërhyhet sa më parë dhe bën gati një apoteozë për Kryetarin e Gjykatës së Sarandës, që e bëri çështjen precedent në jurisprudencën shqiptare

A ka ndonjë mekanizëm kushtetues, i cili sipas jush mund ta frenojë procesin e lënies së kombësisë tashmë nga qytetarë tanët, që në procesin e regjistrimit të prezantohen me kombësi tjetër?
“Në Kushtetutë nuk parashihet ndryshimi i kombësisë. Kjo është bërë krejt e lehtë me një ligj, i cili është përgatitur në vitin 1993, por pa u menduar thellë. Tani shikoj se ka një tendencë që duan ta përfshijnë në formularin e regjistrimit të popullsisë. Më duket se për sa u përket të Drejtave të Evropës neve duam të dalim në udhëheqje të Evropës për të Drejtat e Njeriut, sepse ndërkohë shumë vende as nuk e bëjnë një regjistrim të tillë me zërat e kombësisë, të përkatësisë etnike dhe ato të besimit fetar. Mua më tha njëherë ministri Pollo se në Angli një person ishte i deklaruar si i kombësisë hënore. Me këtë shembull dua të them se nuk mund të nisemi nga ekstravagancat që kanë qenë vazhdimisht në Angli dhe ta marrim p.sh. një ndodhi të tillë si të vërtetë. Duhet të jemi më seriozë dhe sikur të kërkohej, nga Komuniteti Evropian, por që nuk është e vërtetë. Ne duhet t’i thoshim Evropës që s’jemi as Zvicra dhe as Holanda, por jemi nga një vend ku ekzistojnë ende njerëz që duan të ikin, sepse nuk gjejnë ende rehati, e nuk po munden të sigurojnë jetesën dhe në kushte të tilla për një emigrim definitiv u nevojitet që të ndërrojnë kombësinë. Duhet ta kuptojmë këtë se është një problem politik dhe shoqëror. Dhe sikur të jetë e detyrueshme, ne duhet ta shtyjmë për një kohë të dytë”.

Gjatë kohës që politika shqiptare është e përfshirë në tollovinë e saj, qarqe të ndryshme, duket sikur kanë punuar nën dhè për të bindur shumë njerëz që duan të lenë kombësinë…
“Ka plot njëzetë vjet që punojnë pa u ndjerë dhe diku do dalin dhe sheshit, si në rastin e këtij konsullit grek në Korçë që është një person i padëshiruar apo siç bën ky Nikolas Geixh që shfaqet në Shqipëri dhe vjen gjithnjë kur ka ngjarje politike. E vërteta është se ata kanë punuar sistematikisht dhe sidomos në Korçë dhe në Gjirokastër për këtë qëllim. Ajo, e cila më shkakton dhimbje, është përpjekja për të greqizuar ortodoksët e Korçës. Të cilët si komunitet kanë qenë në ballë të punës dhe përpjekjeve për këtë vend dhe kanë dhënë një kontribut vërtetë të çmuar. Të përmendësh listat e tyre do shkonte gjatë me emra. Por, kjo ndodh tamam aty, sepse ata që ecin me mendjen e Vorio-Epirit e shikojnë Korçën si pikë strategjike, ndaj edhe aty i kanë vendosur forcat. Kështu dihen mirë sesi veprojnë- pasi kanë shkuar te pensionistët, të cilët me këtë rast marrin pensione inekzistente, me shuma të mira që shkojnë deri në 600 Euro apo 800 Euro për familje. Ka prova me qindra për këtë dhe kjo vetëm në këmbim të certifikatës për ndërrimin e kombësisë. Ia kanë dalë se qeveria ka bërë një sy qorr dhe një vesh të shurdhër. Mbasi mund të thuhet se i ka interesuar, sepse po i vinë para dhe si ka vënë rëndësi, por ajo duhet të ndjehet përgjegjëse, sepse është drejt për drejt një cenim i sovranitetit tonë kombëtar dhe prekje e interesave tona kombëtare, nga të cilat qeveria ka detyrën kushtetuese që t’i mbrojë”.

Mendoni se Shqipëria me këtë moskuptim dhe zhurmë që është krijuar mund që të gjeje mekanizmin për ta frenuar këtë fenomen?
“Puna e parë, e cila duhet bërë është për të rishikuar atë ligj, i cili u jep mundësi gjykatave të miratojnë ndërrimin e kombësisë. Mua personalisht më duhet të përshëndes dhe t’i shfaq nderimet e mia Kryetarit të Gjykatës së Sarandës, që duket se është një gjyqtar që punon me kushtetutën mbi tryezë, punë të cilën duhet ta bëjnë të gjithë gjyqtarët dhe askush nuk e bën. Gjyqtari ka detyrimin, jo vetëm në ndërgjegjen e tij si qytetar, por edhe atë si gjyqtar, që të mos vendosë për një çështje sipas ligjit, kur shikon që nuk pajtohet kjo me Kushtetutën. Ky gjyqtar, për mua, hyri në historinë e jurisprudencës shqiptare dhe u tregoi kolegëve të tij se duhet të kenë parasysh kurdoherë Kushtetutën. Është një nismë e një gjyqtari të vëmendshëm. Disa mund ta quajnë detyrim patriotik, por kjo ka të bëjë drejtpërdrejt edhe me detyrimet që ka gjyqtari ndaj profesionit të vet. Vete me shpresë se gjykata kushtetuese do shikoj lajthitjet që janë bërë dhe do të anulojë këtë ligj që nuk pajtohet me kushtetutën…”. B. an

***

“Prekja e vetëdeklarimit,
aventurë që do të dështojë”

Zoti Vangjel Dule, kryetari i PBDNJ është i prerë në atë që thotë.
Në Shqipëri ka probleme me të drejtat e njeriut dhe ky rast i shqetësimit
për vetëdeklarimin po e tregon hapur. Për të, kjo është një e drejtë bazike dhe që Shqipëria e ka pjesë të angazhimeve të saj ndërkombëtare

Ka një ndërhyrje të pastër të nënkryetarit të KLD-së Spahiu, në sistemin e Drejtësisë, por s’duhet të harrohet se Shqipëria ka angazhime për sa i përket ratifikimit të Konventave, shprehet zoti Dule. Duket se problemi i fundit, ku në zonat jugore, të njohura ndryshe nga Nacionalizmi grek si pjesë të Vorio- Epirit ka kërkesa të mëdha nga individë shqiptarë për të ndryshuar kombësinë…

Nëse do të dalin edhe mekanizmat e duhur kushtetues, për të hequr përcaktimin e kombësisë nga regjistrimi, ju si parti e të Drejtave të Njeriut, si do të vendoseni…
“Bëhet fjalë për një aventurë, e cila është apriori e destinuar të dështojë. Sepse e drejta e vetëdeklarimit të përkatësisë etnike, e thënë më thjesht e kombësisë, është një e drejtë e sanksionuar në konventat ndërkombëtare, të cilat i ka miratuar, nënshkruar dhe ratifikuar Republika e Shqipërisë. Rrjedhimisht, kjo e drejtë, prevalon mbi të drejtën vendase, kushdo qoftë ajo. Rrjedhimisht sërish, është një mision i pamundur”.

Mbas indeksit të kombësisë me anë të vetëdeklarimit, nuk do të ishte mirë që të kishte një shkallë prove në gjykata, nëse do të kërkohej një kombësi tjetër nga ajo ekzistuese?
“Duhet të jemi të gjithë shumë të vëmendshëm. Kemi një ndërhyrje fatkeqësisht nga nënkryetari i KLD-së Spahiu në sistemin e drejtësisë, që nuk ia jep këtë tagër legjislacioni në fuqi për kompetencat e këtij organi dhe aq më tepër krijon një precedent të rrezikshëm për të gjithë sistemim duke paragjykuar vendimin e drejtësisë, të cilat janë të formës së prerë dhe nuk janë të kontestuar. Rrjedhimisht, çfarë po bëjmë? Po ngremë sistemin e Drejtësisë në shtetin e së drejtës konform standardeve evropiane apo do t’ia nënshtrojmë gjithçka në këtë vend një pseudonacionalizmi të egër dhe të errët”.

Ka referenca se janë disa familje që janë të deklaruar ndryshe nga gjysma tjetër e familjes…
“Nuk mund të di raste konkrete dhe nuk do të kishte asnjë kuptim në qoftë se do t’u referoheshim rasteve konkrete. Ne e dimë atë që ndodhi në sistemin komunist, ku shumë pjesëtarë të komunitetit të minoritetit grek dhe të minoriteteve të tjera në mënyrë të dhunshme u është imponuar ndryshimi i kombësisë. Apo po të shikoni në regjistrat e Gjendjes Civile ekzistojnë, madje, dhe individë që janë pa kombësi. Është momenti që të vihet në vend e drejta dhe kjo e drejtë vihet në vend, ashtu si parashikohet në radhë të parë nga Konventat Ndërkombëtare në këtë fushë dhe e dyta dhe nga akte ligjore të vendit tonë, të cilat i trajtojnë këto elemente”.

Ka një dualitet në gjithë fenomenin të Kushtetutës me Ligjin e Gjendjes Civile, ku është e përcaktuar kombësia. Mendoni se është e qëllimshme tashmë që po kërkohet të kthehet dhe ky ligj?
“Besoj se është një moment ku dikush nuk e ka dëshirën dhe nuk e ka as kapacitetin për të realizuar misionin, i cili i është ngarkuar në bazë të legjislacionit në fuqi institucioneve të ndryshme. Duan që të heqin vëmendjen e opinionit nga aktualiteti, të krijojmë situata të paqena, apo të impresionojmë me fjalë më të thjeshta dhe “të shesin”, qoftë edhe duke i faturuar në këtë mënyrë një kosto të panevojshme imazhit të vendit dhe në të njëjtën kohë edhe koherencës shoqërore të vendit”.

Në këtë vazhdë, Ju mendoni se po shfrytëzohet negativisht thënia e konsullit grek?!
“Jemi në një sistem demokratik të hapur, ku ka thënie dhe kundërthënie. Politika, kjo është! Dhe, diplomacia kjo është! Janë fenomene klasike, të cilat nuk duhet të ndryshojnë dhe të ndikohen dhe kjo ndodh në sistemin e vlerave që kanë ngritur vendet perëndimore dhe këto nuk mund të ndikojnë në funksionimi e shtetit të së drejtës. Shteti i të drejtës është kyçi i gjithçkaje”.

Pse del gjithnjë problemi i minoritetit grek në këto zhvillime dhe jo i minoriteteve të tjera?
“Do të dëshiroja që t’ju bëj një përshkrim më të gjerë: Janë bërë hapa të rëndësishëm këto vite për përmirësimin e legjislacionit dhe në ecurinë me zhvillimet evropiane në lidhje me standardet e respektimit të drejtave të pjesëtarëve të minoriteteve etnike. Në vendin tonë janë ratifikuar të gjithë këto konventa që kanë lidhje me Organizatën për Sigurinë dhe Bashkëpunim Evropian, të Këshillit të Evropës, me përjashtim të asaj për gjuhët rajonale dhe ato të minoriteteve. E dyta kemi një problem shumë të madh në implementimin e këtij legjislacioni, në një kohë që është bërë kjo përpjekje e lavdërueshme. Për mendimin tim, kjo nuk bëhet për dy arsye: mungesa e vullnetit politik dhe për mungesë të strukturave dhe instrumenteve shtetërorë dhe qeveritarë që do të bënin të mundur implementimin dhe e treta ajo e opinionit publik. Po bëhet pak, në mos shumë pak, për kultivimin e këtyre koncepteve të reja, për sa i përket të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve në opinionin publik. Shpesh herë ndesh në bashkëbisedim me qytetarë shumë korrektë dhe mirëkuptimin më të madh që të mos të arrijnë të konceptojnë nga informacioni, por edhe nga background, që kanë, sistemin e të drejtave për pjesëtarët e minoriteteve dhe një rol shumë negativ për këtë kanë luajtur një pjesë e medieve, të cilat e quajmë mision të tyre gjoja patriotik që t’i kundërvihen çdo lloj zhvillimi cilësor në avancimin e statusit të së drejtave dhe pjesëtarëve të minoriteteve”.

Pozicioni i PBDNJ në lidhje me këtë fenomen?
“Është një mision ynë respekti i të drejtave të njeriut dhe jemi të vendosur për këtë. Shpesh herë thuhet pse duhet të vazhdojë ekzistenca e PBDNj-së në të njëjtën kohë që të gjithë partitë ekzistuese kanë në programin e tyre të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pjesëtarëve të minoriteve etnike. Është kjo arsyeja që ne ekzistojmë dhe jemi shumë larg si shoqëri, për respektin e të drejtave të njeriut. Por mes kryesores, mes shumë të tjerave, kujtojmë se roli i PBDNj-së është i domosdoshëm që të hapë këto beteja politike për të drejtat e njeriut, dhe të drejtat e minoriteteve e qytetarëve në përgjithësi që të bëhen jo vetëm pjesë e legjislacionit, por realitet i jetës së përditshme dhe pjesë e patjetërsueshme e konceptimit të realiteteve nga opinioni publik”. Ben Andoni

Leave a Comment

%d bloggers like this: