Rumunët: Shqiptarët synojnë hakmarrjen! Kuqezinjtë largojnë makthin 6-1!

Ora 20:00 (21:00, sipas asaj lokale rumune) e së premtes së 3 shtatorit dalëngadalë po afron dhe bashkë me të shtohet edhe ankthi, edhe lufta psikologjike në distancë mes dy palëve. Rumania dhe Shqipëria janë nisur tashmë drejt njëra-tjetrës, me kombëtaret e tyre respective në futboll, për t’u ballafaquar mbrëmjen e 3 korrikut në ndeshjen e parë eliminatore në grupin D, në kuadrin e “Euro 2012”. Dhe nëse nga të dyja kampet vlojnë deklaratat e zakonshme para ndeshjeve të këtij lloji, gjithsesi të matura dhe larg euforisë, ka një “emërues të përbashkët”, të cilit i referohen rumunët dhe shqiptarët. Eshtë një “gozhdë”, që duket se dhemb ende, për njërën palë, ndërsa për tjetrën, rumunët, përdoret si “relike”, apo si “monument”, për t’u frymëzuar. Fjala është për humbjen e thellë të kuqezinjve tanë në ndeshjen e fundit me rumunët, në vitin 2007, me rezultatin 6-1. Cka shkaktoi njëfarë tërmeti në vendin tonë, teksa zëra për shitje të ndeshjes nuk munguan, madje dolën edhe nga goja e kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, dhe e ish-ministrit të sporteve, Ylli Pango. Tashmë jemi në një “stacion” të ri të ballafaqimeve mes dy kombëtareve në fjalë, ballafaqime të cilat janë dukshëm në anën e rumunëve, ndaj llogaritë bëhen më shumë në bazë të forcave reale të palëve për momentin, edhe pse e shkuara nuk mund të zhbëhet, kurrsesi, madje ajo përbën njëfarë “sistemi referimi” edhe për pritshmëritë e sfidës së 3 shtatorit…
Prag Rumania: Kombëtarja barazon 1-1 me Apoloninë
Kombëtarja kuqezi vijon përgatitjet për ndeshjen eliminatore të 3 shtatorit, në Rumani, ndaj kombëtares vendase. E para eliminatore kjo për grupin tonë kualifikues për në “Euro 2012”. Në këtë kuadër, trajneri Kuzhe i ka parë të tijtë një “aksion”, në ndeshjen miqësore me Apoloninë e kategorisë së parë në Shqipëri, luajtur të martën në Durrës. Një test që ka zhgënjyer, sa u takon kuqezinjve, të cilët barazuan 1-1 me skuadrën fierake. Hamdi Salihi shënoi për kombëtaren, ndërsa Ribaj barazoi për Apoloninë. Nëse i referohemi rezultatit, kemi të bëjmë vërtet me një zhgënjim para Rumanisë. Në radhët e kuqezinjve është pikasur mungesa e impenjimit në këtë miqësore, por kjo nuk duket se e ka shqetësuar trajnerin Kuzhe, as lojtarët që janë nën urdhërat e tij.
Kuqezinjtë: Denjësisht, kundër cdo kundërshtari
Përsa i përket ndeshjes me Rumaninë, futbollistët kuqezinj premtojnë maksimumin, pse jo, një hakmarrje për atë përballje të fundit me rumunët, në vitin 2007, që u mbyll me shifrat tenistike dhe turpëruese, 6-1. Një rezultat që nuk do të përsëritet më, sipas protagonistëve të kombëtares shqiptare. “Unë nuk besoj se ka patur ndonjëherë ndonjë lojtar të kombëtares sonë që ka dashur që Shqipëria të mos fitojë. Nëse u referohemi statistikave, vërtet jemi shumë larg Rumanisë, por bazuar në mundësitë reale të momentit, mund të ballafaqohemi me dinjitet ndaj kujtdo kundërshtari. Me statistikat duhet të merret media më shumë, ndërsa ne jo edhe aq. Dy ndeshje kanë shumë ndryshim, madje edhe kur luhen në harkun e dy ditëve. Ne mund të mundemi më keq, por kjo nuk do të thotë se humbja erdhi për shkak të “6-1”-shit të parë. Ne lojtarët kuqezinj e kemi hequr nga mendja atë disfatë, ndoshta duhet ta bëni edhe ju mediat këtë. Tani gjithçka është ndryshe, sepse është një ndeshje komplet e re”, – shprehet Hamdi Salihi, sulmuesi i kombëtares.
Duke iu referuar ballafaqimit të fundit me rumunët, mjaft i hidhur (humbja e vitit 2007, 6-1 në Bukuresht), Debatik Curri analizon: “Ajo çfarë na ndodhi neve në Rumani në vitin 2007 mund t’i ndodhë çdo ekipi. Besoj se aty nuk ka pasur kurrfarë kalkulimi dhe të gjithë lojtarët dhanë maksimumin. Pësuam 6 gola dhe pastaj njerëzit nisën të dyshonin, por ajo ndeshje për ne është harruar, sepse është periudhë e re.”

Kuzhe ka gati një rrokadë, Duro-Muzaka
Shqipëria do të shkojë në Rumani pas disa rezultatesh pozitive radhazi, të marra në ndeshjet miqësore, të cilat kanë krijuar idenë se cili do të jetë formacioni bazë i kombëtares. Ndryshimi i vetëm pritet të jetë një rrokadë mes Duros dhe Muzakës, në krahun e djathtë të mesfushës kuqezi, për faktin se mesfushori i LASK Linzit nuk ka zhvilluar ende një ndeshje zyrtare për këtë sezon dhe nuk gëzon një formë të mire, pasi nuk ka zhvilluar as fazë përgatitore. Në krahun tjetër, lojtari i Dinamos ka shkëlqyer në ndeshjet e fundit, sidomos në miqësoren e 11 gushtit kundër Uzbekistanit. Ndërkohë, në portë do të luajë Beqaj, ndërsa para tij pritet të jenë Dallku, Cana, Curri dhe Vangjeli. Në mesfushë pritet të luajnë Bulku, Lila, Muzaka dhe Agolli, ndërsa në sulm dyshja Bogdani-Salihi.

FIFA: Kombëtarja shqiptare, e aftë për surpriza
“Shqipëria, kundërshtarja e Francës në eliminatoret e Euro 2012-s, është një ekip solid në mbrojtje, por transparent në sulm”. Ky është thelbi i një shkrimi të botuar në faqen zyrtare të FIFA-s mbi kombëtaren shqiptare të futbollit.
“Trajneri kroat, Josip Kuzhe, duke dashur të marrë maksimumin e mundshëm nga objektivi i skuadrës që drejton, duke parë që edhe se rezultatet në nivelin europian dhe botëror kanë qenë shumë modeste, ka aplikuar një lojë shumë mbrojtëse. Të paktën gjashtë lojtarë të formacionit bazë, Cana, Dallku, Curri, Vangjeli, Lila dhe Bulku mbulojnë vetëm mbrojtjen. Katër të parët luajnë në linjën përpara portierit titullar Beqaj, ndërkohë që Lila dhe Bulku janë mesfushorë mbrojtës, por që shohin pak drejt sulmit”, – thuhet në këtë artikull.
Sipas FIFA-s, problemi më i madh i formacionit shqiptar është sulmi dhe gjallëria ofensive. “Mesfushorët sulmues dhe sulmuesit kanë qenë gjithmonë në problem madhor për formacionin shqiptar. Por dhe vetë lojtarët e përfaqësueses rrallë ia kanë dalë të përshtaten në ekip dhe të ndërtonin një profil sulmues që do të bënte të shpresonin për rezultate më të mira”.
Titullarët kuqezinj, Skela, Duro dhe Bogdani, janë tashmë të moshës nga 32 deri në 34 vjeç dhe luajnë shumë pak ose aspak në klubet e tyre respektive, vetëm pak ditë larg një cikli të ri të kompeticionit, ç’ka nuk premton për një të ardhme ofensive në përfaqësuese. “Me gjithë eksperiencën e tyre me përfaqësuesen, këta lojtarë janë në fund të karrierës së tyre ndërkombëtare, sepse luajnë pak me klubet respective. Megjithatë, ata përfaqësojnë problemin më të madh në ekipin shqiptar, me një organizim jo aq të gjallë në lëvizshmërinë ofensive. Por, ekipi shqiptar është i aftë që, në ditët e tij të mira, të shkaktojë surpriza. Për të vënë në dukje janë fitoret kundër Rusisë dhe Gjeorgjisë dhe barazimet kundër Zvicrës dhe Irlandës, po kështu pathyeshmëria e shqiptarëve në shtëpi gjatë eliminatoreve të Euro 2004-s. Në shtator të vitit 2004, ekipi kombëtar mundi Greqinë në Tiranë, me rezultatin 2-1. Greqia ishte kampione e porsakurorëzuar e Europës. Gjatë eliminatoreve të Botërorit 2010, shqiptarët morën një barazim 0-0 në Portugali (në tetor të vitit 2008).”

Edmond Kapllani huazohet te Padeborni
Gjatë sezonit të kaluar, Edmond Kapllani, i cili nuk gjeti hapësirën e duhur te Augusburgu, u huazua te Tuz Koblenzi. Një fat të tillë e ka edhe këtë sezon, që sapo ka nisur, sulmuesi i grumbulluar edhe në ekipin kombëtar. Sulmuesi shqiptar ka lënë Augsburgun e Bundesligës 2 gjermane, për t’u huazuar te Padeborni, po i Bundesligës 2 gjermane. Kapllani, i cili para një viti nga kaloi nga Karlsruhe te Augsburgu, nuk ka luajtur në dy ndeshjet e para të Bundesligës 2, pavarësisht se shënoi golin fitues (3-2) në ndeshjen e Kupës së Gjermanisë kundër Sandhauzenit.

Shtypi rumun
Rumunët: Shqiptarët synojnë hakmarrjen!

Nuk ka më sekrete. Shqiptarët do të bëjnë gjithçka të mundshme për ta prishur debutimin tonë në këto eliminatore, ditën e premte, në kuadrin e eliminatoreve të “Euro 2012″. Ky, një paralajmërim për “tricolori! Shqiptarët duan të hakmerren për humbjen e turpshme 6-1, të pësuar në nëntor 2007, në Bukuresht, në ndeshjen e fundit të eliminatoreve për “Euro 2008″. “Ne ju kemi ndihmuar, duke ndalur dy herë bullgarët në eliminatoret e Europianit 2008, ndërsa ju nuk keni kursyer asgjë në ndeshjen e fundit, edhe pse ishit të kualifikuar tashmë. Për këtë kemi për t’ua bërë jetën më të vështirë,” – mësohet të jetë shprehur një ndërmjetës, në emër të lojtarëve të kombëtares shqiptare, tek i cili janë këshilluar dhe konsultuar drejtuesit e Federatës Rumune të Futbollit për kundërshtarin e 3 shtatorit.
Shqiptarët e kanë filluar tashmë luftën psikologjike. Bëhet fjalë për një protokoll të pashkruar të Federatës Rumune të Futbollit, që i është bërë i ditur edhe stafit të kombëtares së këtij vendi, teksa i është bashkangjitur kasetës video të miqësores së fundit të shqiptarëve, luajtur në fushën e tyre, kundër Uzbekistanit, fituar me rezultatin 1 0, më 11 gusht. Një kasetë që do të analizohej edhe nga drejtori i shkollës së trajnerëve në Rumani, Mirçea Radulescu, për t’i dhënë indiciet e duhura trajnerit Lucesku. Por, një surprizë e pakëndshme ka ndodhur. Kur është vënë për t’u parë kjo kasetë video, konstatohet se ajo është kopjuar në një format të çuditshëm, krejt të paqartë. Vetë trajneri Luçesku, pasi është njohur me DVD, ka pohuar se nuk mund të shohë asgjë në të, pasi pamjet janë të një formati të çuditshëm dhe krejt të paqarta. “Në fund të fundit, specialistët tanë u munduan ta deshifrojnë këtë DVD, e cila nuk na ndihmon shumë, sepse cilësia e figurës ishte e tmerrshme. Ne kemi qenë të sinqertë me shqiptarët, teksa u kemi dhënë atyre një DVD të mirë të miqësores sonë të fundit në Turqi, ndërsa ata na e kanë punuar me gjakftohtësi,” tha një zyrtar i federatës rumune.
Kësisoji, trajneri Razvan Luçesku është munduar ta njohë dhe zbulojë kundërshtarin duke mbledhur materiale mbi përfaqësuesen shqiptare në rrugë të tjera.
“Shqiptarët na konsiderojnë neve si miq, ndaj nuk e shpjegoj dot se si ata duan të na i prishin planet me të tilla DVD. Kjo tregon se dëshira e tyre për të na befasuar më 3 shtator është shumë e madhe. Bëhet fjalë patjetër për një hakmarrje,” – ka thënë Mircea Radulescu, drejtor i shkollës së trajnerëve (Scoala Federala de Antrenori) në Rumani.
Ndërkohë, asistenti i Razvan Luçeskut, pjesë e stafit teknik të Rumanisë, Stephan Iovan, ka lëshuar një apel të tij: “Kujdes Bogdanin, është i rrezikshëm!” Gjithashtu, ai ka shtuar se Shqipëria do të jetë e vështirë për t’u mundur, pasi ka një ekip që mbron në mënyrë shumë të organizuar. “Shqipëria, edhe pse emri i saj nuk thotë shumë, mund të na e bëjë jetën të vështirë. Ky është përfundimi im, nisur nga ajo që pashë në videot e tyre, bashkë me trajnerin Razvan Luçesku. Ajo mbron mirë dhe luan me shumë angazhim. Në gjirin e tyre, shqiptarët kanë Bogdanin, i cili mund të na krijojë probleme,” thotë Iovan.
Iovan vuri në dukje se sulmuesi i kombëtares shqiptare, Erjon Bogdani, mund të dhurojë momente të papritura për mbrojtësit rumun. “Ai është i lartë dhe ka një konstrukt shumë të mirë fizik. Bogdani është gjithashtu shumë luftarak, luan te Cesena në Itali, në një nga ligat më të mira në botë. Ndaj, ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm ndaj tij.”
Stephan Iovan mendon se shqiptarët kanë një ekip të mirë dhe të organizuar, ndaj ballafaqimi i fundit mes dy kombëtareve në fjalë (fitorja 6 1 e Rumanisë), nuk duhet marrë kurrsesi për bazë, apo për referim. “Shqipëria luan më së shumti me një skemë fleksibël, 4 4 1 1. Ata do të vijnë me mendje të mbledhur, për t’u mbrojtur fort në Rumani dhe për të shfrytëzuar kundërsulmin e tyre,” – ka thënë Stefan Iovan, ndihmëstrajneri i komnbëtares së Rumanisë.

Marica: Starti pozitiv, mjaft i rëndësishëm!
Ciprian Marica, sulmuesi i kombëtares rumune, tha se një fitore në ndeshjen me Shqipërinë është shumë e rëndësishme për fushatën kualifikuese të Europianit 2012. “Unë kam ardhur për të bërë shërbimin e duhur ndaj kombëtares. Shpresoj të luajmë mirë. Mbaj mend me detaje fushatën e madhe kualifikuese të Europianit të mëparshëm, kur kishim në grup sërish Shqipërinë. Të cilën, ndeshjen e fundit e mundëm me rezultatin e thellë, 6 1. Natyrisht, nuk mendoj se do të përsëritet kjo gjë, sepse Shqipëria është tashmë një ndër ekipet e mira në botë. Fitorja, edhe minimale ndaj tyre, do të jetë një gëzim i madh. Trajneri ka rikthyer në kombëtaren tonë Kozmin Kontrën. Nuk e di shkakun e vërtetë të këtij veprimi, por di të them se kemi nevojë për një lojtar me përvojë, si ai. Unë shpresoj se publiku do të vijë për të na mbështetur, për të krijuar një atmosferë të bukur në stadium”, tha Ciprian Marica.

Sandu: 6 pikë në dy eliminatoret e para
Për dy eliminatoret e para në grup, të “Euro 2008″, ka folur edhe Mircea Sandu, presidenti Federatës Rumune të Futbollit. “Ne duhet të marrim gjashtë pikë në dy eliminatoret e para, me Shqipërinë dhe Bjellorusinë, por kjo nuk do të jetë e lehtë. Unë nuk e di sa të mëdha janë shanset tona për kualifikim, por sigurisht që do të punojmë që tani edhe për “Euro 2016″.

Demollari: Shqipëria e sotme, si ajo e humbjes 6-1!
Shtypi rumun nuk kishte si të mos kontaktonte me një yll shqiptar, që ka luajtur në kampionatin e vendit të tyre, Sulejman Demollarin, para ndeshjes eliminatore të 3 shtatorit. Për të marrë mendimin e tij në lidhje me pritshmëritë e verdiktit të kësaj sfide, bazuar në forcat reale të të dyja palëve. Dhe Demollari, një njohës i mirë i futbollit rumun, por edhe atij shqiptar, natyrisht, duke qenë edhe trajner i kombëtares kuqezi U-15, nuk ka ngurruar të qëmtojë situatën, duke dhënë mendimin e vet. I cili shkon në anën e Rumanisë, si favorite për ta fituar ndeshjen e parë eliminatore në grup me Shqipërinë. Në sintezë të fjalëve të ish-lojtarit të Dinamos së Bukureshtit, Sulejman Demollari, është vlerësimi: “NE JEMI TË DOBËT, SI NË VITIN 2007, KUR NA KENI MUNDUR ME REZULTATIN E THELLË 6-1!”
– Le të flasim pak për ndeshjen Rumani-Shqipëri. Përpara kemi ndeshjen mes dy kombëtareve tona…?
– Hmm, një ndeshje shumë e vështirë për ne. Duhet ta pranoj, Rumania ka një ekip shumë më të fortë se Shqipëria. Por, siç e dini, në futboll çdo gjë mund të ndodhë.
– Vërtet ju duket e fortë Rumania aktuale?
– Po, sepse ka lojtarë që në planin individual janë më shumë si numër se tanët, por kanë edhe vlera më të mëdha. Ju keni Mutunë, por a është rikthyer në kombëtare?
– Jo, akoma, pas rreth një muaji pezullimi i tij përfundon…
– E pra, edhe kështu, pa Mutunë, edhe pse ai ishte numri një, sa i takon rrezikut që sjell, Rumania është ende ekip më i fortë se yni, këtë duhet ta pranoj.
– Cilin ekip shihni më favorit në grupin tonë kualifikues?
– Natyrisht, Francën. Pastaj, sipas mendimit tim, vjen Rumania.
– Na e bëni pak “spiunin” shqiptar për këtë ndeshje…
– (Qesh) Unë po ju them disa të fshehta të vogla. Fjala vjen, ne kemi një trajner kroat, shumë ambicioz, që kanxitur shumë lojtarë të rinj nga kombëtarja U-21.
– A ka vend për t’u përsëritur “cirku” i ndeshjes së fundit mes nesh, rezultati 6-1?
– Edhe nga kjo gjë duhet të kemi frikë.
– A keni ndonjë lojtar, i cili mund të jetë vendimtar në kombëtaren shqiptare?
– Po, Lorik Cana, lojtar i Gallatasarajit. Ka lindur në Kosovë, por përfaqëson prej disa vitesh Shqipërinë.
– Trajneri ynë është Razvan Luçesku. E njihni ndopak?
– Oh, vërtet, ai tani është trajneri juaj? Kam një mendim të mirë për të. Ishte një djalë inteligjent në këtë sport, kjo dukej që kur unë isha lojtar i Dinamos së Bukureshtit.
– Shqipëria do të kërkojë hakmarrje pas humbjes së thellë 6-1 në Rumani?
– Unë nuk dua ta kujtoj atë ndeshje, që për mua ishte më shumë “cirk”. Nuk dua të flas vërtet për atë lojë, sepse nuk e di çfarë ndodhi në të vërtetë.
– Por, na thoni diçka. Shqipëria e tanishme a është më e fortë se e asaj humbjeje të thellë?
– Jo, në asnjë mënyrë. Asokohe kombëtarja shqiptare ishte më e mirë.
– Tani çfarë po bëni?
– Punoj në federatë, në Tiranë, drejtoj kombëtaren U-15 të Shqipërisë.

Edhe…ndeshje “të papunësh”
Ndeshja e së premtes mbart në vetvete një aspekt të ri. Si grupi i lojtarëve rumunë, edhe ata të Shqipërisë, kanë përfshirë në kombëtaret e tyre nga një lojtar të “papunë”, të pa inkuadruar me ndonjë klub. Është Kosmin Contra, i cili është i lirë që pardje, pas përfundimit të kontratës me P.Timishoara. Në grupin e shqiptarëve, në një pozicion të tillë është Ervin Skela, i cili gjithashtu nuk ka klub, ndërsa herën e fundit ka luajtur me Koblenz, në Gjermani.

Mallkimi rumun, shkon në katër numri i të dëmtuarve
Ka pësuar “korrektimin” e katërt të detyrueshëm lista e kombëtares së Rumanisë, e publikuar nga trajneri Rizvan Luçesku për dy ndeshjet e radhës kualifikuese për “Euro 2010”, njëra ndër të cilat, ajo hapëse e kësaj fushate, luhet kundër Shqipërisë. Pikërisht, më 3 shtator, me rumunët pritës. Të hënën në mëngjes, kombëtares rumune i është dashur të zëvendësojë me mesfushorin Kostin Lazar lojtarin e tretë, pikërisht Mikael Radut, që u dëmtua në ndeshjen Steaua-FC Timishoara, ndërsa të marten në mbrëmje, trajnerit Lucesku i është dashur të njihet edhe me lojtarin e katërt të dëmtuar, pikërisht Ovid Dănănae. Ky i fundit u dëmtua gjatë séances stërvitore të pasdites së ditës së martë, gjatë një përplasje me një shok të skuadrës, ndërkohë që mjekët e kombëtares rumune thane se për 10 ditë duhet të bëjë pushim absolute. Trajneri Lucesku thirri në vendin e tij Marius Constantin. Ky është ndryshimi i katërt, që trajneri Razvan Luçesku u detyrua t’i bëjë listës fillestare të Rumanisë për dy ndeshjet e radhës, pas dëmtimeve të para të Kristian Tanase dhe Kristian Sapunaru, të zëvendësuar nga Mihai Roman dhe Kosmin Kontra.

Kosmin Kontra rikthehet te Rumania
Një lojtar veteran, por që kthehet në kombëtaren rumune, si rezultat i situatës kritike të dëmtimeve që po kalon kjo skuadër. Ai është thirrur me urgjencë nga trajneri Luçesku, në vendin e Kristian Tanase, i cili u dëmtua në minutën e 59-të të ndeshjes Rio Ave-Porto, që mbaroi me rezultatin 0-2, në kuadrin e fazës së 3-të të Kupës së Portugalisë. Kontra rikthehet pas më shumë se një viti në kombëtaren rumune. Ai ka regjistruar deri tani 72 ndeshje me kombëtaren, me të cilën ka realizuar shtatë gola. Vitin e kaluar, lojtari në fjalë kishte njoftuar tërheqjen e tij nga ekipi kombëtar, pas ndeshjes me Austrinë. Por situata kritike që po kalon Rumania e ka bërë të detyrueshme rithirrjen e tij, për të mbushur sadopak boshllëqet e lëna nga dëmtimet e shumta.

Me gjuhën e statistikave
Nga 15 ndeshje të luajtura midis Rumanisë dhe Shqipërisë, “tricolorii” ka fituar 12, ka humbur 2 (Kupën Ballkanike) dhe 1 tjetër ka dalë në barazim. Golaverazhi është 42 9, në favor të rumunëve. Ballafaqimi i parë mes dy kombëtareve në fjalë ka ndodhur në vitin 1946, i cili përfundoi me fitoren e shqiptarëve, 1 0. Ndeshjen e fundit mes tyre, Rumania dhe Shqipëria e kanë luajtur në Bukuresht, më 21.11.2007, në kuadrin e fazës kualifikuese eliminatore në grupe, për “Euro 2008″, e cila është fituar nga rumunët me rezultatin e thellë 6 1. Kjo, sa u takon ndeshjeve zyrtare, ndërsa miqësorja e fundit daton në vitin 1988 (3 0, në Konstanca).
Ja edhe bilancet e ekipit kombëtar Shqiptar me Rumaninë.
Miqësore me Rumaninë
10.23.1949: Bukuresht, Rumani Shqipëri 1 1
11.29.1949: Tiranë, Shqipëri Rumani 1 4
10.05.1950: Bukuresht, Rumani Shqipëri 6 0
09.20.1988: Kostancë, Rumani Shqipëri 3 0
Zyrtare me Rumaninë
13.10.1946: Shqipëri Rumani 1 0 (Kampionat Ballkanik)
25.05.1947: Shqipëri Rumani 0 4 (Kampionat Ballkanik)
02.05.1948: Rumani Shqipëri 0 1 (Kampionat Ballkanik)
23.10.1949: Rumani Shqipëri 1 1 (Kampionat Ballkanik)
29.10.1972: Rumani Shqipëri 2 0 (Eliminatore të Botërorit 1974)
06.05.1973: Shqipëri Rumani 1 4 (Eliminatore të Botërorit 1974)
25.03.1987: Rumani Shqipëri 5 1 (Eliminatore të Euro 1988)
28.10.1987: Shqipëri Rumani 0 1 (Eliminatore të Euro 1988)
06.09.2006: Shqipëri Rumani 0 2 Euro 2008
21.11.2007: Rumani Shqipëri 6 1 Euro 2008

Dy fitoret e Shqipërisë ndaj Rumanisë
13.10.1946, Tiranë, stadiumi “Qemal Stafa”
Kupa Ballkanike
SHQIPERI Rumani 1 0 (0 0)
Arbitër: Matançiç (Jugosllavi).
Shënues: Teliti (55′)

Rumani SHQIPERI 0 1 (0 0)
02.05.1948, Bukuresht, stadiumi “Giulesti”
Kupa Ballkanike
Arbitër: Stojanov (Bullgari).
Shënues: Mirashi (63′).



http://www.sportishqiptar.com.al/rumunet-shqiptaret-synojne-hakmarrjen-kuqezinjte-largojne-makthin-6-1/

Leave a Comment

%d bloggers like this: