Rrokadë kuqezi: Ikën Dinjo, vjen Robinjo?

Ka pak kohë. Në SHBA merkatoja mbyllet më 15 gusht. Nëse Gauço shkon tek Galaksi, Robinjo mund të huazohet

Largohet Ronaldinjo, vjen Robinjo. Le të provojmë të imagjinojmë të ardhmen e “Djallit”. Është vërtet rasti për ta bërë, duke parë që interesimi i Los Anxhelos Galaksi për Ronaldinjon mund ta çojë drejt një kthese të papritur merkaton e Milanit. Skuadra amerikane nxiton për ta mbyllur çështjen. Kjo, pasi më 15 gusht mbyllet merkatoja e “Major Ligës” dhe se kundërshtarët, si Red Bull i Nju Jorkut, kanë ecur me blerjet, duke afruar Henrin dhe Markuez. Kështu, Galaksi, po i provojnë të gjitha për goditjen e madhe.
Presingu në dy fronte nuk rresht.

Shuma prej 8 milionë eurosh për Milanin është nga ato për t’u pasur nën vëmendje. Ndërkohë, po “joshin” dhe lojtarin. Një pagë prej 5 milionësh në vit dhe të ardhura të tjera nga imazhi i tij. Gjithçka për një kontratë deri në 2014-n. Një propozim ndjellës për Dinjon, por në këtë rast krijohet një situatë paradoksale.

Fjalët e presidentit Berluskoni në grumbullimin e 20 korrikut, bllokojnë të gjitha palët. Presidenti kuqezi e blindoi “Gauçon” duke e larguar nga merkato. Kështu, Milani nuk mund të hyjë në tratativa me amerikanët, por pret një lëvizje të brazilianit. Nga ana tjetër, futbollisti nuk lëviz pa marrë një sinjal nga klubi. Provat vijnë nga fjalët e agjentit dhe njëkohësisht vëllait të Dinjos, Roberto de Asis: “Dëgjoj të flitet për shumë gjëra, por mua s’më ka informuar njeri. Kam takuar Galianin të premten dhe ende s’kemi folur për ripërtëritjen e kontratës.

Nuk e di nëse ka ndryshuar diçka në këtë periudhë. Milani le të na tregojë diçka.” Nuk shkon më tutje, por ka “ethe”. Dinjo e di për interesimin e Galaksit dhe kërkon një zgjidhje të shpejtë. Milani ose e lejon të largohet, ose i propozon një rinovim kontrate. Duhet folur tani dhe jo në tetor, siç kërkohet nga drejtuesit e rrugës “Turati”. Kjo kërkon një takim tjetër. Jemi në momentin e duhur pasi amerikanët duan të mbyllin gjithçka, ndërsa Milani duhet të planifikojë sezonin që po vjen me një protagonist si është braziliani.

Një ndarje do të thoshte që klubi duhet të hidhej në merkato për ta zëvendësuar yllin nga Porto Alegre. Mendja të shkon tek një bashkëkombas i tij, Robinjo. Në Botërorin e fundit, Dunga preferoi atë përpara Ronaldinjos. Sulmuesi nga Sao Vinsente është 26 vjeç dhe ende nuk ka shpërthyer plotësisht në Europë. Milani kishte menduar për të që kur luante për Realin e Madridit, por më pas ai kaloi tek Siti për 42 milionë euro. Por, në Premier Ligë, Robinjo nuk u ambientua dot.

Në janar u huazua tek Santos. Tani mund të ndryshojë ekip i dhënë borxh, por duhet të ulë rrogën deri në 3 milionë. Ka pasaportë spanjolle dhe do të linte të lirë vendin për një jokomunitar. Pra, ka shumë arsye për t’i thënë “po” kësaj historie.


Komunikata
“Dinjo dhe Tiago Silva janë të pashitshëm”

Faqja zyrtare e Milanit rithekson dhe njëherë se lojtarët Ronaldinjo dhe Tiago Silva janë të pashitshëm. Një deklaratë zyrtare që tregon pozicionin e qartë të skuadrës kuqezi për të mos shitur dy brazilianët, të kërkuar respektivisht nga Los Anxhelos Galaksi dhe Real Madridi.

Problemi
Pato ndalon për shkak të kaviljes

Do të jetë një Milan “urgjence” ai që do vihet përballë Panathinaikosit në miqësoren e Detroitit. Edhe Pato nuk do të jetë pjesë e kësaj ndeshjeje pasi pësoi një dëmtim gjatë ndeshjes së kontrollit, tek e njëjta kavilje që kishte dëmtuar edhe ndaj Arsenalit.

Një dëmtim që nuk do të lejojë “Patokun” të zbresë në fushë. Alegri duhet të vendosë se cili do të jetë sulmuesi tjetër që do të luajë përkrah Borrielos (dy mundësitë e vetme janë Oduamendi dhe Bereta, pasi Huntelar dhe Inzagi nuk janë pjesë e ekipit për transfertën amerikane). Pjesa tjetër e formacionit është gati: në portë Abiati, Zambrota, Nesta, Tiago Silva dhe Antonini në mbrojtje, Gatuzo, Sedorf, Flamini dhe i riu Merkel në mesfushë.



http://www.sportishqiptar.com.al/rrokade-kuqezi-iken-dinjo-vjen-robinjo/

Leave a Comment

%d bloggers like this: