Rrëfimin tronditës i atletit: Dikur vrapoja për ti shpëtuar vdekjes

”Dikur vrapoja për të shpëtuar jetën time, ndërsa tani e bëj thjesht për kënaqësi dhe për të frymëzuar të tjerët. Nuk e kisha menduar kurrë më parë se mund të vrapoja një ditë thjesht për kënaqësi”.

Këto janë fjalët me të cilët një prej yjeve të 5 000 metrave vrapim për meshkuj nisi rrëfimin e tij tronditës.

Lopez Lomong do të garojë ditën e mërkurë në këtë disiplinë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por dikur ai ishte thjesht një sudanez i varfër, që duhet të shpëtonte nga masakrat që ushtarët e veriut bënin në jugun e vendit, faji i vetëm i të cilit është pasuria e naftës që ka nëntokë.

27-vjeçari, u largua nga lufta civile në Sudan në fundin e viteve 1980 dhe jetoi për disa vite në kampe refugjatësh, përpara se të pranohej kërkesa e tij për të jetuar në SHBA, ku zbuloi se vite të tëra sprint për jetën, e kishin shndërruar në një prej vrapuesve më të talentuar në botë të distancave të gjata.

”Një mëngjes të diele, rebelët erdhën në kishën e fshatit tonë në Kimatong dhe më morën nga duart e nënës sime. Prindërit u lutën të na linin, por ata na rrëmbyen dhe na çuan në një kamp fëmijësh, ku na stërvisnin të bëheshim vrasës dhe ushtarë të aftë”, rrëfen Lomong.

Jeta në kushte mizerabël në kamp ishte edhe një provë e përditshme mbijetese. “Ushqimi ynë i vetëm ishte gruri i përzjerë me kokra rëre. Nëse nuk mund të tresje rërën, thjesht vdisje. Shumë prej shokëve të mi vdiqën kështu, ndërsa vajzat i ndanin dhe asnjëherë nuk e morën vesh se çfarë ndodhte me to, ndonëse sot arrij ta imagjinoj si trajtoheshin”.

Në moshën 6-vjeçare, Lomong e kishte të garantuar vdekjen, për faktin e thjeshtë se nuk ishte ende në gjendje të mbante në dorë një kallashnikov, por një mbrëmje, së bashku me tre djem më të rritur, arritën të arratiseshin nga kampi.

”Ky ishte edhe vrapimi im i parë”, kujton atleti. “Vrapuam si të çmendur me shpresën që të shkonim në fshatin tonë, por përfunduan në Kenia. Nuk e mësova kurrë më se çfarë i ndodhi familjes sime”.

Sot, njeriu që mbajti flamurin amerikan në Pekin 2008, kujton peripecitë me dhembje, por jo për veten e tij, por për faktin se dekada më pas, në Afrikë vazhdojnë të ketë kampe ku stërviten fëmijë ushtarë dhe ku ende një pafundësi të rinjsh vrapojnë për të mbijetuar.

”Atëherë, nuk do ta kisha konceptuar kurrë se mund të vinte një moment në jetën time që do të vrapoja thjesht për kënaqësi”, përfundoi rrëfimin e tij atleti.

Leave a Comment

%d bloggers like this: