Rrëfimi i gardianit: Teme Sejkos i morëm rrobat para se ta groposnim

Në dosjen “Hazbiu” dëshmitë e dy gardianëve të përzgjedhur për operacionin e fshehtë me Teme Sejkon, pas shpalljes së vendimit gjyqësor, mbajnë datën 14 qershor 1983. Rrëfimi rrëqethës i njerëzve të besuar të Kadri Hazbiut dhe krerëve të Sigurimit të Shtetit zbulon për herë të parë misteret e çasteve të fundit të ishkomandantit të Flotës Luftarake. Hetuesit e ministrit më jetëgjatë të Policisë Sekrete kanë hedhur në letër me përpikmëri çdo detaj nga pohimet e zyrtarëve që kanë kryer aktin e fundit me kufomën e Teme Sejkos duke lënë të nënvizuar pjesën më makabre të tyre. Historia që tregojnë para hetuesve të Hazbiut dy zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, Islam Gjondeda e Qemal Xhaferri, fillon me torturat çnjerëzore mbi trupin e Teme Sejkos në bazën e Sigurimit në Maminas, vazhdon me çastet kur e mbytën me litar në makinën e degës dhe mbyllet me zhveshjen e rrobave para groposjes në zonën e Linzës. Ngjarja e pa precedentë ka qenë arkivuar “Top sekret” në skutat e Ministrisë së Brendshme për t’u zbuluar pas 20 vitesh në procesin e njërit prej protagonistëve kryesor të saj.

DËSHMIA E QEMAL XHAFERRIT

Lidhur me sa pyetëm, kam për të dhënë këto shpjegime: Në vitin 1960 më thërret në zyrë pasdite, në Ministrinë e Brendshme, armiku Mihallaq Ziçishti. Atje gjeta edhe Qemal Birçen e Islam Gjondedën, Luto Beqirin dhe Jorgo Bimon, kushëri i Mihallaqit, që kishte qenë shofer e u bë më pas oficer e që ka vdekur. Ishte ora rreth 17:00 pasdite. Pak më pas erdhi edhe Mihallaqi. Më tha disa herë ku ishit, do t’i thoni asgjëkundi, e kishte fjalën që çdo gjë ta mbanim sekret. Na mbajti Mihallaqi në zyrë pa na thënë gjë. Rreth orës 21:00 erdhi armiku Kadri Hazbiu, nuk e mbaj mend kush erdhi tjetër. Pa na thënë asgjë, na morën me makinë e na sollën te burgu i vjetër Nr. 5. Nga Qemal Birçe mësova se ishte arrestuar Teme Sejko dhe Tahir Demi. Na thanë që po bënim roje, me ta nuk do të bisedoni, nuk do të lini njeri të futet brenda. Përgjegjës ishin Qemal Birçe dhe Islam Gjondeda. Nuk e mbaj mend sa qëndruam atje. Në këtë kohë që i mbanim atje, Temja me Tahirin ishin dënuar me vdekje dhe prisnin vendimin përfundimtar. Temen me Tahirin i mbanin në dy dhoma, ballë për ballë në kat të dytë, ndërsa ne që bënim shërbim, rrinim në dy dhoma në kat të parë. Lart në korridor, midis dy dhomave ku rrinin të arrestuarit, qëndronte roje vetëm një nga ne të katërt që bënim shërbimin sipas radhës… Më kujtohet se gjatë kohës që dy të arrestuarit kanë qëndruar atje, kam parë që kanë ardhur bashkërisht disa herë ditën Kadri Hazbiu me Rexhep Kollin, Mihallaq Ziçishtin e Nevzat Haznedarin, ku qëndronin gjysmë ore a një orë dhe iknin. Se çfarë bënin, nuk e di se nuk futeshim brenda, por me sa mbaj mend, të dy të arrestuarit i kisha parë që shkruanin. Kadri Hazbiu ose të tjerë nuk i kam parë të vinin vetëm, nga të sipërmit mundet të ketë ardhur ndonjëri natën, por unë mund të kem qenë në gjumë, po edhe shokët nuk më kanë thënë gjë. Një natë, unë e kisha shërbimin e rojës nga ora 2 deri në 4 të mëngjesit. Kur u ngrita, më tha shoku tjetër, Luto Beqiri që e kanë marrë Teme Sejkon dhe se ku e kanë çuar. Kush e mori, i thashë unë. Lutua më tha, ishte Mihallaq Ziçishti, Rexhep Kolli, Nevzat Haznedari, Qemal Birçja, Islam Gjondede dhe Jorgo Bimo. Pas një ore, erdhi tek ne Jorgo Bimo me makinë dhe më tha hajde, se do të vemi në një vend. Më çoi afër Maminasit, në mes të vreshtit ku ishte një shtëpi e vetmuar që në të nuk banonte njeri. Kur shkova atje, gjeta Mihallaqin, Rexhepin, Nevzatin, Qemal Birçen, Islam Gjondedën, kishin edhe Teme Sejkon që ishte me duar të lidhura. Unë i gjeta duke e rrahur Temen me shkopinj. I kishte plasur gjaku në gjithë trupin. Sa ndenja unë, u thyen 5-6 shkopinj. Të gjithë e rrihnin me radhë. Unë aty ndenja pak minuta se pastaj më thanë e dola roje në një kodër të vogël mbi shtëpi, ndërsa Islam Gjondede, poshtë shtëpisë se mos afrohej njeri. Qëndruam deri në darkë, rreth orës 20:00 kur erdhi Kadri Hazbiu, i cili u fut brenda, qëndroi pak minuta, se ç’bisedoi dhe u largua. Si iku Kadriu, që nga vendi ku bëja roje, pashë që Temen e nxorën jashtë për duarsh e për këmbësh dhe e hodhën në makinë. Aty shkuam edhe unë e Islami. Kur vajta aty, dëgjova shokët që thanë që do ta mbysim, që mos të qëllojmë me armë, se dëgjohen të shtënat. Se kush e tha këtë, nuk e mbaj mend. Që pa u nisur makina, mbaj mend se Temes i hodhëm në fyt një litar kërpi të trashë sa gishti dhe të dy anët e litarit i tërhoqëm me radhë në të dy krahët, derisa e mbytëm Temen, pra s’kishte më asnjë shenjë jete. Mihallaq Ziçishti e Rexhep Kolli kanë qenë prezent gjatë gjithë kësaj kohe. Ne të shërbimit e bashkë me ne edhe Nevzat Haznedari u nisëm në drejtim të Tiranës e pastaj shkuam në Linzë, në disa kodra. Para nesh, me sa më kujtohet, ishte makina e Mihallaq Ziçishtit dhe kur ndaloi ai, ndaluam edhe ne. Aty nuk e pashë më Rexhep Kollin, se ku kishte qëndruar nuk e di, mundet në Tiranë. Kur shkuam në Linzë, ishte errësirë dhe vend me shkurre. Temen e kapëm dy veta dhe zvarrë e zbritëm rreth 20 metra poshtë rrugës, vendi ishte shumë i pjerrët. E çuam ku ishte një gropë e hapur, se kush e kishte bërë, nuk e di. E hodhëm në gropë. Në gropë, me sa më kujtohet, dikush i ra me kazmë në kokë disa herë dhe tha: “Sa të fortë e paska kokën”. Para se ta hidhnim në gropë, Jorgo Bimo i hoqi pantallonat dhe një bluzë kadife dhe i mori me vete. Pas kësaj, e mbuluam me baltë, shkuam tek makinat dhe erdhëm në Tiranë.”

DËSHMIA E ISLAM GJONDEDËS

I vitlindjes 1914, banues në Tërbaç të Vlorës, pensionist, dëshmonte më 14 qershor 1983 rreth vdekjes së Teme Sejkos si më poshtë: “Lidhur me sa pyetëm, kam për të dhënë këto gjëra: vitin e saktë nuk e mbaj mend, por duhet të ketë qenë viti 1960. Isha në Drejtorinë e Policisë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në sektorin e zbatimit të vendimeve penale. Një ditë më thirri në zyrën e tij armiku Mihallaq Ziçishti që në atë kohë ishte zëvendësministër i Punëve të Brendshme. Aty gjeta edhe shokë të tjerë që nuk i mbaj mend. Mihallaqi na tha se do t’u ngarkoj me një detyrë të rëndësishme. Në mbrëmje vonë, me makinën që e drejtonte Jorgo, kushëriri i Mihallaqit, na çuan te burgu i vjetër. Veç Nevzat Haznedarit, kishte edhe tre-katër vetë të tjerë që nuk i mbaj mend. Kur sh kuam te burgu i vjetër, erdhi edhe Mihallaq Ziçishti, i cili na tha që do të ruani Teme Sejkon dhe Tahir Demin. Temen e Tahirin, siç mora vesh aty, pasi i dënuan me vdekje, i prunë aty. Sepse, nuk e di. Unë për vete e dija deri atë ditë se ata qenë pushkatuar. Temen dhe Tahirin i kishin vendosur në dy dhoma përballë njëra–tjetrës në katin e dytë, që ndaheshin me një korridor në mes. Edhe ushqimin atje e hanin. Aty kemi qëndruar rreth një muaj. Aty bënim roje katër veta, që s’i mbaj mend cilët ishin. Roje bënim dy e nga dy. Gjatë kohës që qëndruam aty, mbaj mend që kanë ardhur Mihallaq Ziçishti, Rexhep Kolli, Nevzat Haznedari që futeshin në dhomat e këtyre, se ç’bënin nuk e di se e mbyllnin derën. Tjetër njeri nuk më kujtohet të ketë ardhur. Një mbrëmje erdhi Mihallaq Ziçishti me Nevzatin dhe shofer Jorgon. Sonte, tha Mihallaqi, do ta heqim Teme Sejkon. Dhe, me sa kujtoj unë, që atë natë e hoqën Temen, e çuam me makinën e Jorgos në një shtëpi në Maminas, midis vreshtit. Atje nuk banonte njeri. Mua më kujtohet se atje kemi qëndruar rreth dy ditë. Aty, veç ne të shërbimit, erdhi edhe Mihallaqi me Jorgon. Tjetër njeri unë nuk mbaj mend të ketë ardhur. Mua më caktuan dhe qëndrova roje aty tek dera e shtëpisë. Unë Teme Sejkon e kam njohur shumë mirë, sepse atë e kam pasur komisar batalioni për një vit, më 1944, në Batalionin e Disiplinës në Gurrë të Tiranës. E kam parë edhe më pas kur ka qenë në Vlorë. Edhe te burgu i vjetër që e morëm në makinë dhe e çuam në Maminas, unë kam qenë prezent dhe Temen e kam ruajtur e shoqëruar. Kam qenë prezent edhe kur e kanë nxjerrë Teme Sejkon jashtë nga shtëpia në oborr, i vumë një litar me lak në fyt dhe katër veta, dy në një krah e dy në një krah e shtrënguam sa Temja vdiq. Mihallaqi tha e lëvizni njëherë. Ne e kthyem në Linzë (Linzë) në disa kodra. Qëndruam atje ku kishte qëndruar Mihallaq Ziçishti. Prezent ishte edhe Nevzat Haznedari. E morëm kufomën unë me shokë dhe e çuam tek gropa që ishte bërë përpara, se nga kush, nuk e di, dhe ishte rreth 100-200 metra larg xhadesë në një vend të pjerrët me shkurre. E hodhëm në gropë dhe e mbuluam me baltë. Nuk mbaj mend të jetë bërë ndonjë veprim tjetër aty me kufomën. Kujtoj gjithashtu që gjithë këto veprime janë bërë në errësirë, po a ishte herët në mëngjes pa u gdhirë mirë, a ishte mbrëmje, nuk e mbaj mend. Unë nuk kam dijeni nëse Temen e kanë rrahur gjatë kohës që e mbajtën në Maminas dhe nuk mbaj mend nëse e kishin dëmtuar në fytyrë me gjak. Më kujtohet vetëm një gjë, që kur i hodhëm litarin në fyt, ia bëri vetëm njëherë “ah”, sytë i zgurdulloi dhe nuk foli më … vijon.

“E mbytën, e pushkatuan apo e nxorën nga burgu Teme Sejkon?!”

Fundi i Teme Sejkos ishte një nga enigmat që kreu i regjimit nuk e zbardhi asnjëherë. Deri në çastet e fundit, për Hoxhën fati i ish-admiralit të Flotës Luftarake nuk e kapërceu kufirin e dilemës përvuajtëse. E mbytën, e vranë apo e nxorën fshehtazi nga burgu Teme Sejkon?! Njëri nga zyrtarët e kabinetit të kreut të Partisë pohon se e vërteta për çastet fatale të “gjeneralit tradhtar” ka qenë një nga misteret e periudhës së diktaturës që ka shkaktuar përvuajtje të jashtëzakonshme për Enverin. Historia e admiralit nga Çamëria, i dënuar me vdekje në vitin ‘61 si agjent i grekëve dhe amerikanëve, sipas ndihmësit të shefit të regjimit, u rikthye në vëmendjen e Enver Hoxhës në fillimin e viteve ‘80. Në gjyqin që Sekretariati i KQ i bëri Kadri Hazbiut, pas dënimit të Mehmet Shehut në shtator ‘82, u publikuan për herë të parë disa aspekte të panjohura të dosjes së Teme Sejkos. Sipas tyre, pohon ish-funksionari i KQ, admirali i Flotës nuk kishte qenë vetëm agjent i grekëve e amerikanëve, por edhe i KGB-së. Ndërkaq, në këtë mbledhje është dëshmuar edhe një fakt tjetër: Teme Sejkon nuk e kanë pushkatuar sipas vendimit të gjyqit, por e kanë mbytur në qeli! Enigma këtë radhë tronditi fort Enver Hoxhën, i cili kërkoi me ngulm arsyen pse dy ish-zëvendësministrat me bekimin e Kadri Hazbiut kishin kursyer skuadrën e pushkatimit dhe i morën jetën Sejkos me duart e tyre! Gjithçka në këtë lëmsh të dhënash parakuptonte një veprim të mundshëm të Mehmet Shehut për të fshehur gjurmët e tij. Sidoqoftë, mbledhja maratonë e 20 shtatorit 1982 nuk ofroi ndonjë gjë të re mbi fatin e dosjes së Teme Sejkos. Një ditë më pas, kujton ishpunonjësi i K.Q, një letër e papritur në zyrën e Hoxhës e riktheu çështjen e Temes me një dramaticitet rrëqethës. “Teme Sejkoja është parë në Patos!” Ky lajm që Enverit i vinte nga një i njohur, e fuste situatën në një tjetër hulli. Në zbardhjen e enigmës, Enveri i dha urdhër të prerë Hekuran Isait, atëherë ministër i Brendshëm, për të gjetur vendvarrimin e Teme Sejkos e për t’i sjellë eshtrat e tij që t’i shikonte me sytë e vetë. Njeriu që ka punuar në kabinetin e Enverit mban mend që pas kësaj u ndërmor një operacion sekret në kërkim të eshtrave të Teme Sejkos. “Për tre muaj, mbi 300 ushtarë, shpjegon ai, kërkuan në kodrat e Linzës, por përpjekjet e tyre rezultuan pa sukses. Pikërisht ky ka qenë momenti, sipas funksionarit të KQ, që Enveri ka porositur krerët e lartë të Sigurimit për të thirrur në procesin e Hazbiut gardianët që kanë pasur në ruajtje komandantin e Flotës, por edhe dëshmitë e tyre nuk kanë zbardhur ndonjë gjë rreth enigmës për vendvarrimin e Sejkos.

AFRIM IMAJ

 

Panorama ONLINE

Leave a Comment

%d bloggers like this: