Rezultatet e shqiptarëve ne Londer 2012. Një dështim total!

Ëndrra kuqezi për medalje rezultoi edhe një herë një flluskë sapuni

Dopingu – Djegia e Erkand Qerimajt dhe e Hysen Pulakut, që rezultuan me doping, ia ulën jo pak shanset, sidomos për shkak të të parit, ndërsa ata që dolën në pedanë bënë maksimumin, por që nuk mjaftonte

Pretendentët – Dështimi më i madh sportiv ishte xhudistja Majlinda Kelmendi, që nga pretendente medaljeje u eliminua që në fazën e 1/8-s. Ndërsa nga vendi i 11 i Romela Begajt në peshëngritje, duket se më shumë do të mbahet mend për fiflaken

Rekordet personale – Dy notarët Noel Borshi dhe Sidni Hoxha, që thyen rekordet personale, si dhe qitësi Arben Kuçana, bënë thjesht detyrën, edhe për faktin se askush nuk priste më shumë prej tyre


Një dështim total. Ky është verdikti i analizës për mbylljen e aventurës shqiptare në Lojërat Olimpike Londër 2012, që përfundoi me vendin e 37 në 50 metra pistoletë nga Arben Kuçana. Asnjë shenjë e lënë, përjashto disa rekorde kombëtare, por që në sytë e botës ishin një asgjë e madhe.

Olimpiada, ngjarja më e rëndësishme sportive e vitit në arenën ndërkombëtare, nisi fatkeqësisht me përcjelljen e një imazhi negativ për ekipin olimpik kombëtar shqiptar, i cili ende pa nisur mirë, u godit nga plaga e rëndë e këtyre lojërave, dopingu.

Dopingu – Kampioni shqiptar i Europës dhe njëkohësisht një ndër shpresat e mëdha të Shqipërisë për medalje në Londër 2012, Erkand Qerimaj, u pezullua për doping në muajin maj. Megjithatë, vendin e tij në ekipin olimpik e zuri peshëngritësi Endri Karina, që kompletoi grupin. Por nuk ishte e thënë: pak para startit të lojërave, dopingu goditi sërish. Këtë herë ishte peshëngritësi tjetër, Hysen Pulaku, i cili rezultoi pozitiv me substancën Stanozolol, në testin antidoping të kryer nga UADA në prag të ceremonisë hapëse të lojërave olimpike. Gjetja dhe përjashtimi i tij për doping ngarkon me përgjegjësi Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, por edhe KOKSH-in, pasi peshëngritësit dhe sportistët e tjerë duhet t’u nënshtroheshin kontrolleve të rrepta pa shkuar në Olimpiadë. Djegia e Erkand Qerimajt dhe pastaj e Hysen Pulakut, ia ulën jo pak shanset, sidomos për shkak të të parit, ndërsa ata që dolën në pedanë bënë maksimumin.

Gafa “Gega” – Në një analizë më të thellë, duke përfshirë gjithçka ka ndodhur me ekipin olimpik shqiptar që para nisjes për në Londër, mund të thuhet pa hezitim që KOKSH-i ka dështuar totalisht në organizim përgatitjen e sportistëve dhe realizimin e objektivave në këto lojëra. Problemi i parë lidhet me mospërfshirjen në listën e sportistëve pjesëmarrës në këtë ngjarje të atletes Luiza Gega, së cilës nuk iu njoh norma olimpike, pasi e kishte arritur në një gare miks, që nuk merret në konsideratë nga komiteti olimpik ndërkombëtar. Pavarësisht justifikimeve të ndryshme, është e qartë që jemi përfaqësuar me një atlete më pak, për shkak të paaftësisë së institucioneve sportive në menaxhimin e sportistëve.

Peshëngritja – Më pas vijnë përgjegjësitë sportive. Nuk pati kulm si vendi i gjashtë i Romela Begajt në “Pekin 2008”, ndonëse vetë ajo arriti të njëjtin rezultat 216 kg në dygarësh, ndërsa u dhuroi edhe një herë shikuesve dhe teleshikuesve vertikalen e saj të shkëlqyer si një peshëngritëse me të kaluar cirku. Vendi i nëntë i Caljes dhe vendi i 11 i Begajt ishte gjithçka e mirë që mundëm, ndërsa në 2008-n ishim pak a shumë po kështu, pasi Romela doli e gjashta dhe Erkand Qerimaj 20-vjeçar i 13-i. Ndryshe nga tani, sportistët realizuan shumicën e ngritjeve, 5 nga 6 gjithsej. Ashtu siç dështoi Godelli këtë herë, po ashtu nuk ia doli Gerti Trasha në vitin 2008 që i humbi të tria provat në stilin e shkëputjes në peshën deri 69 kg, duke u skualifikuar për fare. Vendi i 14 i Endri Karinës nuk rregulloi asgjë nga dështimi total: peshëngritja kuqezi thuajse përfundoi misionin në Londër 2012, duke u përpëlitur mes dëshirës dhe sakrificës së sportistëve për sukses dhe problemeve të saj.

Xhudo dhe të tjerët – Dy notarët Noel Borshi dhe Sidni Hoxha, që thyen rekordet personale, si dhe qitësi Arben Kuçana në 10 m e 50 m pistoletë, bënë thjesht detyrën, edhe për faktin se askush nuk priste më shumë prej tyre, por dështimi më i madh sportiv ishte xhudistja Majlinda Kelmendi, që nga pretendente medaljeje u eliminua që në fazën e 1/8. Nuk la shenjë në këtë Olimpiadë as Adriatik Hoxha i hedhjes së gjyles, kurse në atletikë, në garën e 200 metrave, shqiptarët nuk mundën ta shohin në garë Klodiana Shalën, e cila u tërhoq pas një dëmtimi në stërvitje. Të gjitha këto bënë që ëndrra kuqezi për të paktën një medalje në historinë 116-vjeçare të olimpiadave, të jetë vetëm se një tjetër zhgënjim i madh kuqezi.

 

Qitje

Arben Kuçana, i 37-i në 50 m pistoletë

Një tjetër rezultat që nuk e çon Shqipërinë më së paku në finalen e garës 50 metër me pistoletë për meshkuj. Dje, rreth orës 12:00, kanë përfunduar eliminatoret e kësaj gare, ku qitësi shqiptar Arben Kuçana kapi në total 524 pikë, duke u renditur i parafundit (i 37-i), me pikë të barabartë në këtë fazë me vendin e fundit, Nikola Saranoviç i Malit të Zi. Me këtë rezultat, qitësi shqiptar nuk e kaloi dot Shqipërinë në garën finale, që ishte pretendimi i drejtuesve të ekipit olimpik shqiptar. Performanca e atletit shqiptar nuk ishte fort e kënaqshme, ndërsa pikët më të ulëta në 6 setet u regjistruan te seti i fundit, ku në total kapi 83 pikë. Ndërsa në setin e pestë, Kuçana mori pikët më të larta në të gjithë garën e tij, 90 nga 100 të mundshmet. Qitësi shqiptar kishte garuar më datë 28 korrik në disiplinën e qitjes, më specifikisht në 10 m, pistoletë ajër, ku ka arritur një rezultat të kënaqshëm. Ai ka grumbulluar 577 pikë, duke zënë vendin e 20 në klasifikimin e përgjithshëm, mes 44 rivalëve në këtë garë. Për sa i përket garës së sotme, objektivi i qitësit shqiptar është fitimi i së drejtës për të garuar në finale.

 

Rezultatet e shqiptarëve

Noel Borshi

Not: 100 m, flutur

Koha: 1’5”49

Klasifikimi:    e 40-a

 

Arben Kuçana

Qitje:     10 m, pistoletë

Pikët e grumbulluara: 577

Klasifikimi:    i 20-i

 

Majlinda Kelmendi

Xhudo: Pesha 52 kg

Rezultati: 1 fitore, 1 humbje

Klasifikimi: 1/8-at

 

Romela Begaj

Peshëngritje: Pesha 58 kg

Rezultati: 216 kg (dygarësh)

Klasifikimi: e 11-a

 

Sidni Hoxha

Not: 100 m, stil i lirë

Koha: 51”11

Klasifikimi: i 37-i

 

Daniel Godelli

Peshëngritje: pesha 69 kg

Rezultati: 3 prova të humbura

Klasifikimi: i skualifikuar

 

Briken Calja

Peshëngritje: pesha 69 kg

Rezultati: 320 kg (dygarësh)

Klasifikimi: i 9-i

 

Adriatik Hoxha

Hedhje gjyleje

Rezultati: 17.58 metra

Klasifikimi: i 37-i

 

Endri Karina

Peshëngritje: Pesha 94 kg

Rezultati: 350 kg (dygarësh)

Klasifikimi: i 14-i

 

Arben Kuçana

Qitje: 10 m, pistoletë

Pikët e grumbulluara: 524

Klasifikimi:    i 37-i

Leave a Comment

%d bloggers like this: