Rezart Taçi do që të blejë klubin e Malagës

Pronari i ri Klubit te Malages mund të jetë pikërisht shqiptari Rezart Taçi, nëpërmjet kompanisë “Taçi Oil”.

Klubi spanjoll i Malagës po kalon një periudhë të vështirë financiare, pasi lojtarët dhe drejtuesit kanë disa muaj pa u paguar. E gjithë situata e ndërlikuar po ndodh për shkak të krizës së sheikut Al-Thani, e cila nuk lidhet vetëm me aspektin ekonomik, por edhe atë politik.

Në median spanjolle është bërë e ditur se pronari i Malagës ka vendosur që të shesë klubin, për të mos ndërlikuar më tepër problemet e tij. E përditshmja prestigjioze “AS”, e cila është dhe gazeta më e madhe sportive në Spanjë, ka publikuar se ka pasur kontakte mes kompanisë shqiptare “Taçi Oil” dhe krerëve të klubit spanjoll për një shitje të pronësisë. Duke iu referuar burimeve të afërta të Malagës, ka pasur kontakte mes Rezart Taçit dhe sheikëve nga Katari, ku është diskutuar konkretisht për shitjen e klubit. Sheiku Abdullah bin Naser Al-Thani e bleu Malagën në verën e vitit 2010 nga familja Sanz për një shifër prej 36 milionë eurosh, 14.5 prej të cilëve do shkonin për shlyerjen e borxheve. Ai u prezantua me një projekt tepër ambicioz, i cili nuk kishte të bënte vetëm me ndërtimin e një skuadre kompetitive, që do synonte edhe titullin kampion brenda pak vitesh, por edhe me ndërtimin e një infrastrukture të re. Në të përfshihej një kompleks i ri stërvitor, një stadium i ri dhe një akademi. Ai investoi në blerjen e futbollistëve prestigjiozë si Kazorla, Van Nistelroi, Hoakin apo Tulalan. Ndërsa si trajner mori Manuel Pelegrinin. Ekipi i formuar realizoi objektivin sezonal në edicionin e kaluar, duke u kualifikuar në Ligën e Kampioneve. Mirëpo, problemet e fundit të sheikut nga Katari e kanë detyruar këtë të fundit që të mos shlyejë shumë detyrime financiare dhe të pengojë ekipin që të bëjë merkato. Madje, përflitet se ai mund të ketë edhe probleme ligjore, pasi qeveria e Katarit e ka penguar që të investojë në një hotel në Marbela. Zgjidhja është pikërisht shitja e klubit sportiv. Dhe, sipas gjasave, pronari i ri mund të jetë pikërisht shqiptari Rezart Taçi, nëpërmjet kompanisë “Taçi Oil”. Media e vendit iberik i konfirmon zyrtarisht kontaktet mes palëve, por ende nuk dihet nëse është arritur një akord paraprak ose jo.

Investimet e Taçit, nga Milani te Reali
Rezart Taçi dhe kompania e tij “Taçi Oil” janë mjaft të njohura në botën e sportit, për shkak të bashkëpunimeve me klubet më elitare në futboll. Fillimisht, kompania ka nisur bashkëpunimin me Milanin, duke sjellë në Shqipëri projektin “Milan Junior Camp” dhe njëkohësisht edhe ndeshje miqësore me klubin italian. Janë zhvilluar dy herë sfida me kuqezinjtë, ndërkohë që kompania “Taçi Oil” është edhe sponsor zyrtar, pas një marrëveshjeje të arritur më shumë se një vit më parë. Por, edhe për spanjollët është një kompani mjaft e njohur. “Taçi Oil” solli në Shqipëri gjigantët e Realit të Madridit, në një miqësore kundër Gramozit të Ersekës. Biznesmeni Rezart Taçi njihet si një i pasionuar pas futbollit. Pak vite më parë ai tentoi edhe të blinte klubin e Bolonjës, por tratativat disa javore nuk u mbyllën me sukses. Gjithsesi, duket se investitori shqiptar është i gatshëm të marrë pronësinë e një skuadre spanjolle tashmë, madje një prej më cilësoreve.

“Shpërthimi” i Malagës në vitet e fundit
Malaga pësoi një transformim të rëndësishëm në vitet e fundit, që kur pronësinë e klubit e mori sheiku Al-Thani. Ai investoi shumë për formimin e një ekipi cilësor, duke marrë futbollistë si Van Nistelroi, Hoakin, Kazorla, Tulalan, Hulio Baptista apo Martin Demikelis. Ndërkohë, në krye të skuadrës u emërua ish-trajneri i Realit të Madridit, Manuel Pelegrini. Ai arriti ta rendisë Malagën mes katër skuadrave më të mira të Spanjës, duke dhuruar një futboll tepër cilësor. Mirëpo në verën e këtij viti, klubi ka qenë në një situatë tepër konfuze, pasi jo vetëm që nuk ka bërë asnjë përforcim për shkak të krizës financiare, por rrezikon që t’i largohen edhe yjet, të cilët kanë disa kohë që nuk paguhen.

Leave a Comment

%d bloggers like this: