Qytezat turistike në Kavajë, 2 miliardë euro investime

Dy projekte turistike që do të zënë vend në bregdetin e Kavajës do të zbatohen nga dy koncosorciume të huaja dhe kapin vlerën 1 miliard euro secili si investim dhe do të ndiqen nga AIDA.
Detajet lidhur me këtë zhvillim i ka dhënë një ditë më parë kreu i qeverisë, Sali Berisha, në mbledhjen e radhës së Bordit të Agjencisë Shqiptare
për Investime dhe Zhvillim (AIDA). Saktësisht resoret turistike do të pozicionohen në Gosë e në Synej dhe do të kapin një sipërfaqe prej qindra hektarësh. Projekti i parë që do të zbatohet nga konsorciumi britanik
“Development” sh.p.k parashikon ngritjen e një qyteze me qëllime multifunksionale në një sipërfaqe prej 650 hektarësh, kurse projekti i dytë
që do të zbatohet nga konsorciumi zviceran “Finsec” L.T.D përveçse ndërtimit të një tjetër qyteze turistike me një sipërfaqe 160 hektarësh, propozon
ndërtimin e një porti jahtesh. Duke vlerësuar këtë interesim të kompanive të huaja për të zhvilluar në sektorin e turizmit, kreu i qeverisë kërkoi
nga bordi i AIDA-s që të ndjekë procedurat për realizimin e tyre duke qenë se janë edhe dy projektet e para ku do të punojë për të përmbushur
detyrimin, si agjencia e kontaktit dhe shërbimeve ndaj investitorëve
vendas dhe të huaj. Kreu i qeverisë në fjalën e tij përveç vlerësimit pozitiv për këto investime, vuri theksin edhe në kujdesin që do të ndiqet për të mos abuzuar me shfrytëzimin e kësaj zone. “Ne kemi rreth 90 për qind të
bregut të pazhvilluar. Kjo do të thotë se nuk duhet të jemi asnjëherë
lakmitarë për shfrytëzim intensiv. Ne duhet t’u mbetemi standardeve më të mira të shfrytëzimit, të ruajtjes së mjedisit, të hapësirave dhe të lartësive
të ndërtimeve”, tha ai. Paralelisht me vendimin për ndjekjen e procedurave për këto investime të rëndësishme bordi i agjencisë miratoi edhe amendimin e dy akteve nënligjore dhe një projekt-akt të ri që lidhen me fonde grantesh që qeveria ka vënë në dispozicion të SME-ve dhe eksportuesve vendas, të cilat do të menaxhohen nga AIDA me synim rritjen e konkurueshmërisë.
Ç’ËSHTË AIDA
Agjencia Shqiptare për Investime dhe Zhvillim (AIDA) është
institucioni që menaxhon kontaktet me investitorët e huaj të interesuar
për të investuar në vendin tonë si dhe dhënien e asistencës dhe shërbimeve që këta të fundit kërkojnë. Një tjetër aspekt që përfshin puna e agjencisë është rritja e aftësisë konkurruese të SME-ve, si dhe nxitja apo ndihma ndaj eksporteve të mallrave dhe shërbimeve. Modeli i AIDA-s është adaptuar nga vendet europiane dhe u krijua në fillim të këtij viti. Në krye të AIDA-s qëndron drejtorja Ekzekutive, Eneida Guria. Lidhur me statusin e kësaj agjencie, ajo përcaktohet si person juridik, publik, buxhetor, i cili drejtohet nga Bordi Drejtues dhe përbëhet nga përfaqësues të sektorit publik dhe të sektorit ekonomik privat
NERTILA MAHO

Leave a Comment

%d bloggers like this: