Qytetarëve “u dridhen këmbët” për të bërë një vizitë në poliklinika

“Mjerë kush ka hall, se sot mjekët kur shkon për vizitë më parë “të vizitojnë nga xhepat” se sa të bëjnë vizitën për problemin që ke”,

Sistemit shëndetësor i jepet një vend primar në vendet e zhvilluara, me qëllim për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve. Ndërsa në Shqipëri është e vështirë që të thuash se po i jepet prioritet këtij sistemi. Dhe është akoma më e vështirë të thuash se, sot po u ofrohet një shërbim i mirë qytetarëve. Pakënaqësitë e qytetarëve i ndesh çdo ditë teksa i pyet për vizitat që u duhet të shkojnë në dyert e spitaleve. Pakënaqësitë vijnë nga pritja me orë të tëra për të bërë një vizitë, paratë që duhet të japin nën dorë për të bërë një vizitë të saktë etj.. Por rastet e dhënies së lekëve nën dorë mjekëve për të bërë një vizitë nuk janë të pakta, është një përqindje e madhe personave që kanë shkuar për të bërë një vizitë dhe që u është dashur me hir apo me pahir që të japin ndonjë lekë për të mbaruar punë saktë dhe shpejt, pasi në të kundërt nuk do dilnin të kënaqur me trajtimin që u bëhet. “Mjerë kush ka hall, se sot mjekët kur shkon për vizitë më parë “të vizitojnë nga xhepat” se sa të bëjnë vizitën për problemin që ke”, kështu e fillon përgjigjen e saj Selime. H., teksa e pyesim për shërbimin që ofrohet sot në spitalet tona dhe më konkretisht në Poliklinikën numër 3 në kryeqytet në të cilën ndodheshim. Teksa flet zonja Selime, një qytetare tjetër e Tiranës, që e kishte sjellë problemi i saj shëndetësor në ploklinikë shton: “sot po nuk pate lekë mos eja më mirë se nuk të zë njeri me dorë, si këtu tek Poliklinika si tek spitali i madh.  Është bërë një problem serioz, por s’kemi, ku të ankohemi se nuk na dëgjon njeri, qeveritarët nuk e kanë mendjen tek qytetarët, por e kanë mendjen tek karrigia e tyre”.

Edhe me librezat shëndetësore edhe me lekë nën dorë

Dhënies së lekëve nën dorë nuk i shpëtojnë as personat që janë të pajisur me librezë shëndetësore në ditët e sotme në vendin tonë. Kjo praktikë e dhënies së lekeve kur shkon tek mjeku tashmë duket se është bërë një praktikë e përditshme. Po përse ndodh kjo? Përse duhet të paguhen lekë nën dorë kur je i siguruar? Këto dhe pyetje të shumta lindin në mendjen e gjithsecilit. Dhe përgjigja duket se vjen shumë shpejt nga personat që shkojnë për të bërë vizitë sot në poliklinika, apo spitalet qendrore. Një zonjë që kishte shkuar për të bërë një vizitë me inicialet XH. S, tregon për “Telegraf”: “Edhe pse kam librezë shëndetësore, kur shkon për të bërë vizitën doktori, më parë të sheh nga xhepat. Nëse nuk i jep ndonjë lek nuk ta bën mirë vizitën”.

Blerja e ilaçeve, problem më vete

Sot nuk është problem për mjekët që pati të bëjnë vizitën të japin edhe adresën e farmacisë që do të blesh ilaçet. Sipas pacientëve kjo e gjitha bëhet për shkak se doktorët kanë farmacitë e tyre, ose kanë bërë pazare të pista me qëllim ndarjen e përfitimeve që mund të marrin nga shitja e ilaçeve. Abuzivizëm dhe padrejtësi pafund ndeshin pacientët e sëmurë ditët e sotme nëpër dyert e spitaleve ku i dërgon halli që kanë. Një pacient, me iniciale A.S, tregon se: Ilaçet që na jep doktori pas vizitës duhet t’i blejmë dhe në farmaci të caktuara, pasi doktori që me ka dhënë recetën më ka adresuar që të shkoj vetëm në një farmaci. Një Zot e di se përse duhet t’i marrësh vetëm atje, por halli më ka detyruar që t’i marr atje, ku më ka adresuar doktori që më ndjek”. Ndërsa të njëjtën gjë na thotë edhe E.M, një tjetër qytetare, e cila tregon:  “Bashkë me recetën doktori të jep edhe emrin e farmacisë, ku duhet të shkosh për të blerë”. Si këto që biseduam gjatë vëzhgimit tonë, ndesh me dhjetëra raste, të cilët kanë probleme të natyrave të ndryshme.

Leave a Comment

%d bloggers like this: